Nepotizmi, zbulohet vendimi i ri i gjyqtarit Kallço me mbesën

Dec 14, 2015 | 8:12
SHPËRNDAJE

Zbulohet një tjetër rast kur gjyqtari i Apelit të Korçës, Stavri Kallço, ka marrë në shqyrtim një çështje, ku ishte e përfshirë më herët edhe mbesa e tij, gjyqtare në Shkallën e Parë, po në Korçë.

Gjyqtari Stavro Kallço
Gjyqtari Stavro Kallço

“Panorama” disponon dokumentet e një rasti pronësie, ku për të njëjtin kanë dhënë vendimet e tyre, si gjyqtarja Ariola Kristo, ashtu edhe daja i saj, Stavri Kallço. Edhe pse palët ndërgjyqëse dhe të akuzuar kanë qenë të njëjtët, ata kanë marrë pjesë në çështjen ku thelbi ka qenë po ai, përfitimi i një toke truall.

Bëhet fjalë për një çështje, ku diskutohet pronësia mbi një sipërfaqe prej 290 m2, në qytetin e Korçës. Pala e dëmtuar, përfaqësuar nga Premti Qirinxhi ka kërkuar në gjyq që t’u quhet prona që, sipas tyre, ishte falsifikuar në Hipotekë nga ana e palës tjetër. Ata i janë drejtuar Gjykatës së Korçës dhe më 9 shkurt të vitit 2011, gjyqtarja Ariola Kristo ka dhënë vendimin e saj.

Sipas këtij vendimi, paditësit nuk kanë arritur që të marrin pronën në emër të tyre dhe të rrëzojnë një kontratë të vitit 1975, në favor të kushërinjve të tyre, që e cilësojnë totalisht të pavlefshme. Kjo çështje, edhe pse kanë kaluar disa vite, nuk është zgjidhur ende, pasi pala e dëmtuar ka kërkuar në shkallët e gjyqësorit të drejtën e saj, e së fundmi, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

1Por para se të arrinte këtu, një vendim kundër saj ka kaluar në duart e gjyqtarit të Apelit, Stavri Kallço. Në qershor të vitit 2014, për të njëjtin rast pronësie, jep vendimin trupi gjykues i Apelit, drejtuar nga Kallço. Palët janë të njëjta, si paditësit, ashtu edhe të paditurit, pasi çështja që diskutohet është po ajo e pronësisë mbi sipërfaqen në tokën ku jetojnë Qirinxhinjtë.

Këtë herë kërkohet që për këtë sipërfaqe, të detyrohet pala e humbur që të dorëzojë pasurinë për të cilën pretendojnë, si dhe njohja e pasurisë së paluajtshme prej tjetrës. Vendimi i marrë nga Kallço është në mbështetje të vendimit që kishte dhënë më herët mbesa e tij, Ariola Kristo, në gjyqin e kryesuar prej saj. E njëjta palë del sërish e dëmtuar.

2Edhe pse çështja është akoma në gjyq, përmbarimi është urdhëruar që të ndërhyjë, duke i nxjerrë jashtë nga shtëpia të dëmtuarit, pavarësisht pretendimeve dhe dokumentacionit që zotërojnë. Aktualisht, çështja i është drejtuar për rekurs Gjykatës së Lartë. Në argumentin e saj, pala mbrojtëse e të dëmtuarve nxjerr në dukje lidhjen nepotike mes gjyqtarëve në gjykimin e çështjes.

Kërkesa e drejtuar në Gjykatën e Lartë nis që në hyrje me ankesën se njëra palë nuk është lajmëruar për datën kur do të shqyrtohej dhe do të merrej vendimi nga ana e trupit gjykues të drejtuar nga Stavri Kallço.

“Trupi gjykues kryesohet nga Stavri Kallço, i cili merr në shqyrtim çështjen civile të shqyrtuar nga mbesa e tij, Ariola Kristo, gjyqtare në gjykimin e një çështjeje tjetër që ka lidhje direkte me padinë e themelit të kësaj çështjeje, për të cilën ne po i drejtohemi me rekurs Gjykatës së Lartë. Në këtë rast ka lidhje nepotike mes dy gjyqtarëve në dy nivelet e gjyqësorit, në dëm të drejtësisë”.

Sipas palës së dëmtuar, nuk është lajmëruar në kohë për zhvillimin e gjyqit, por kanë mësuar në fund se dosja po shqyrtohet nga gjyqtarë që janë konsumuar në çështjet civile, ku palët e të akuzuarit, për të njëjtin rast, kanë qenë të njëjtët.

“Këto shkelje flagrante antikushtetuese dhe me lidhje nepotizmi primitive, përbëjnë dyshime serioze dhe manipuluese mbi të drejtat tona të mbrojtura nga ligji”, thuhet në kërkesën për rekurs.

ELIDA DOMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura