Nepotizmi, KLD nis inspektimin për gjyqtarin Stavri Kallço

Dec 11, 2015 | 8:23
SHPËRNDAJE

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nis procedurën për inspektim ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Korçës, Stavri Kallço. Burime të sigurta pranë KLD-së bënë me dije se nga ana e këtij institucioni janë nisur verifikimet në lidhje me rastet e denoncimeve publike të bëra ndaj gjyqtarit.

Gjyqtari Stavro Kallço
Gjyqtari Stavro Kallço

Duke nisur me vendimin për lirimin nga salla e gjyqit të Apelit të një personi të akuzuar për vrasje nga familja e viktimës, te denoncimet e qytetarëve për raste të gjykuara nga Stavri Kallço e deri tek rastet e konstatuara të nepotizmit, KLD ka vendosur të verifikojë pozicionin e tij.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për gjyqtarin Kallço, bazuar në indiciet e marra në media për raste denoncimesh të shkeljeve procedurale të kryera prej tij gjatë ushtrimit të detyrës”, thanë burimet nga KLD-ja. Të njëjtat burime bënë të ditur se KLD-ja pritet t’i drejtohet me një shkresë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, ku do ta vërë në dijeni për nisjen e kësaj procedure. Kjo për shkak të një memorandumi të nënshkruar më herët mes dy institucioneve për rastet e inspektimeve.

kodNë vijim, në varësi të pozicionit që do të mbajë Ministria e Drejtësisë për rastin, do të përcaktohet nëse inspektimi ndaj gjyqtarit do të bëhet nga Ministria apo nga KLD-ja. Sipas nenit 32 dhe 33 të ligjit për gjyqësorin, përcaktohet se quhet shkelje shumë e rëndë ajo e kryer nga gjyqtari i Apelit të Korçës, Stavri Kallço.

Ai ka marrë në shqyrtim çështje të cilat më parë i ka pasur në gjykim mbesa e tij, gjyqtare në Shkallën e Parë, po në Korçë.

Gazeta “Panorama” botoi një rast konkret, të kryer brenda këtij viti, ku ndonëse vendimin e mori mbesa e Kallços, Ariola Kristo, në prill të këtij viti, në nëntor të këtij viti çështja kaloi në Apel, në duart e Kallços. Sipas nenit 16 të Kodit të Procedurës Penale, nuk lejohet që i njëjti procedim të kryhet nga persona të afërm mes tyre, jo vetëm djalë, vajzë, grua apo burrë, por edhe rasti që përmendëm, dajë-mbesë.

Në rast se gjyqtari nuk heq dorë nga çështja, atëherë ai realizon shkelje shumë të rëndë, e klasifikuar kjo në nenet 32 e 33 të ligjit për gjyqësorin.

Gazeta disponon edhe raste të tjera të nepotizmit në Korçë, ku Stavri Kallço ka marrë në gjykim çështje për ta cilat ka dhënë vendimin e saj edhe mbesa. Këto veprime, që janë në kundërshtim të pastër me ligjin, do të jenë nën verifikim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili do të nxjerrë në vijim dhe raportin konkret.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura