Nepotizmi i Stavri Kallços, ja provat për ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani

May 3, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Disa shkelje të kryera në gjyqësorin e Korçës u denoncuan nga gazeta “Panorama” dhe qytetarë të prekur direkt nga vendimet. Në qendër të denoncimeve ishte gjyqtari i Apelit në Korçë, Stavri Kallço, i cili, përveç vendimeve që, sipas qytetarëve, i ka marrë për interesa përfitimi, ka dhe shkelje nepotike.

Gjyqtari Stavro Kallço
Gjyqtari Stavro Kallço

Mbesa e tij, Ariola Kristo, është gjyqtare në Shkallën e Parë, po në Korçë, megjithatë, kjo nuk e ka penguar dajën e saj që të shqyrtojë dhe të jetë pjesë e trupit gjykues në Apel për të njëjtën çështje.

INSPEKTIMI

Gazeta “Panorama” denoncoi raste konkrete, duke vënë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë, kreu i së cilës, Ylli Manjani, urdhëroi nisjen e inspektimit për veprimtarinë e gjyqtarit Stavri Kallço. Pas disa javësh, më 29 shkurt, ky institucion doli në përfundimin se nuk u gjetën shkelje dhe nuk kishte papajtueshmëri në veprimtarinë e gjyqtarit Kallço.

Edhe pse rastet ishin konkrete, duket se grupi i inspektimit nuk ka mundur që “të gjejë” shkeljet e ligjit. Gazeta po zbardh një tjetër vendim të marrë jo shumë larg, por pikërisht vitin që shkoi, periudhë e cila, në fakt, ishte pjesë e inspektimit. Me këto fakte po i bëjmë të njohur edhe ministrit Manjani dhe stafit të tij rastet që nuk u konstatuan si shkelje të gjyqtarit Kallço, edhe pse ligji e përcakton qartë se kur cilësohet si e tillë dhe masat që merren.

Siç mund të dallohet edhe në dokumentet që po botojmë, brenda pak muajsh, një çështje është shqyrtuar nga mbesa e daja, pa marrë parasysh lidhjen familjare mes tyre. Çështja është e njëjta, për të njëjtin person dhe për të njëjtën vepër penale. Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë, më 1 prill 2015, vendimi është marrë nga trupi gjykues, ku merr pjesë dhe Ariola Kristo.

Ndërsa më 10 nëntor 2015, Gjykata e Shkallës së Dytë në Korçë, edhe pse me anëtar të trupit gjykues Stavri Kallçon, merr vendim të formës së prerë, duke shkelur kështu ligjin, siç e përcakton Kodi i Procedurës Penale (neni 16) e për pasojë dhe ligji për gjyqësorin.

ÇËSHTJA

I pandehuri, për të cilin u mor vendimi në 1 prill të vitit 2015, është A. Hysen, i vitlindjes 1972, banues në Korçë, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë. Me gjykim të shkurtuar, në këtë datë, trupi gjykues, anëtar i të cilit ishte Ariola Kristo, vendosi që të dënojë me 7 vjet heqje lirie të pandehurin.

1“Brenda 10 ditësh mund të bëhet ankim për vendimin në Gjykatën e Apelit Korçë”, thuhet në vendimin e marrë në fillim të muajit prill. Pas ankimimit, çështja u regjistrua në Apel, ku pavarësisht se ligji detyron që, “Në të njëjtin procedim penal nuk mund të marrin pjesë si gjyqtarë personat që janë të afërm mes tyre ose me pjesëmarrësit në gjykim”, kjo nuk e ka penguar dajën e Kristos që të jetë pjesë e trupit gjykues.

Vendimi nga treshja e Apelit, ku bënte pjesë edhe Stavri Kallço, u mor brenda 9 muajsh nga vendimi i Shkallës së Parë. Më 10 nëntor 2015, siç tregohet edhe në faksimile, u mor vendimi për të njëjtin të pandehur.

Stavri Kallço dhe kolegët e tij vendosën që të ndryshojnë akuzën për A. Hysen, nga vrasje e mbetur në tentativë në plagosje të rëndë me dashje, duke ia ulur dhe një vit dënim. Sipas dokumenteve, konfirmohet e njëjta çështje, me të njëjtin numër vendimi (353).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura