Nepotizmi, gjyqtari Stavri Kallço rrezikon shkarkimin për shkelje ligji

Dec 10, 2015 | 8:24
SHPËRNDAJE

Gjyqtari i Apelit të Korçës, Stavri Kallço, duhej të kishte hequr dorë nga gjykimi i një çështjeje që më parë ishte shqyrtuar nga mbesa e tij, gjyqtare e Shkallës së Parë.

Gjyqtari Stavro Kallço
Gjyqtari Stavro Kallço

Ky mosveprim i tij është jo vetëm shkelje ligjore, por që ka për rrjedhojë masa disiplinore. Pasi gazeta publikoi dy ditë më parë nenin e Kodit të Procedurës Penale që përjashtonte gjyqtarët, të afërm mes tyre, për të ndjekur të njëjtin procedim, sot po bëjmë të ditur dhe pasojat që vijnë nga kjo shkelje.

Përcaktimin e bën ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor. Në nenin 32 të tij parashikohen rastet që konsiderohen shkelje disiplinore, të cilat ndahen në disa kategori. Për çdo gjyqtar që ka shkelur nenin 16 të Kodit të Procedurës Penale, shkelja disiplinore konsiderohet “shumë e rëndë”.

1“Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskretitojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit këto 11 raste”, thuhet në nenin 32 të ligjit. Në njërën prej tyre, pika dh, thuhet se “mosbërja e kërkesës për heqje dorë nga gjykimi, kur kjo është e detyrueshme, sipas Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Procedurës Civile”.

Pikërisht këtë shkelje ka kryer gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Korçë, kur në nëntor të këtij viti ka marrë në shqyrtim një dosje penale, me disa të pandehur, kur dosja në Gjykatën e Shkallës së Parë ishte gjykuar nga mbesa e tij, gjyqtarja e Faktit, Ariola Kristo.

Më tej, ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor parashikon edhe masat disiplinore për rastet e shkeljeve shumë të rënda. Sipas nenit 33, pika 2, germa d, thuhet se në rast të shkeljeve sipas nenit 32, atëherë për gjyqtarin merret masa e shkarkimit nga detyra.

2Të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e ka ministri i Drejtësisë. Neni 34 përcakton se fillimi i procedimit disiplinor mund të bëhet jo më vonë se 1 vit nga data e konstatimit të shkeljes nga organi që ka të drejtën për fillimin e këtij procedimi, por jo më vonë se 5 vjet nga data e kryerjes së shkeljes.

Shkelja më e fundit e bërë publike nga ana e gjyqtarit të Apelit në Korçë, Stavri Kallço, është ajo e datës 23 nëntor të vitit 2015. Gati 7 muaj nga shqyrtimi i së njëjtës çështje, me të njëjtët të pandehur, nga gjyqtarja Ariola Kristo (mbesa), gjyqtari Stavri Kallço ishte pjesë e trupit gjykues në Gjykatën e Shkallës së Dytë. Dosja kundër Valbona Musës e Janaq Nikollës prej datës 23 nëntor ndodhet në dorën e Stavri Kallços. Gazeta do të publikojë në ditët në vazhdim çështje të tjera që lidhen me raste flagrante nepotizmi, ku të përfshirë janë dajë e mbesë. e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura