Nepotizmi dajë-mbesë, avokati: Pse gjyqtari Stavri Kallço shkeli ligjin

Dec 17, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Rekurs në Gjykatën e Lartë për lidhjen nepotike mes gjyqtarit të Apelit të Korçës, Stavri Kallço dhe mbesës së tij, gjyqtares Ariola Kristo.

Gjyqtari Stavro Kallço
Gjyqtari Stavro Kallço

Avokati me përvojë i çështjeve civile, Berhan Malevi, në cilësinë e mbrojtësit të Premti dhe Sotiraq Qirinxhisë, në një dosje pronësie, u ka adresuar tashmë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë faktet për këtë lidhje.

Në një intervistë për “Panorama”, avokati Malevi tregon shkeljet që janë konstatuar në gjykimin e çështjes në Korçë, ku më flagrantja është lidhja familjare që çoi në vendime arbitrare dhe të padrejta. Konkretisht, shkeljet e ligjit avokati i bën të njohura në këtë intervistë.

Kur ka nisur procesi i gjyqeve për paditësit Premti dhe Sotiraq Qirinxhi?

Prej janarit të vitit 2009 e deri sot, ende nuk është dhënë e drejta për ta, edhe pse janë pronarë të ligjshëm të pasurisë tokë truall.

Pse e bënë padinë dhe kush e mori në shqyrtim këtë çështje në gjykatë?

Padia u paraqit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Korçë, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së dhurimit, me numër 537 Rep dhe 214 Kol, datë 2.12.1975. Paditësit kërkonin pavlefshmërinë e kësaj kontrate, meqenëse bëhet fjalë për pronën e të ndjerit Spiro Kostaq Kondi (Qirinxhi), (babait të tyre), pasuri të cilën e kishte dhuruar Kostaq Qirinxhi, me kontratën e dhurimit të datës 25.5.1960. Në këtë kontratë konstatohet fakti se Kostaq Qirinxhi e përcakton individualisht se i dhurohet Spiros gjysma e pjesës së pronës dhe konkretisht kati poshtë, me dyqan, qilarët dhe bahçja mbrapa, duke përjashtuar hyrjen dhe qilarin që ndodhet nën të. Pas dhurimit, kjo kontratë është regjistruar në zyrën e ish-Hipotekës. Që nga viti ’60 e deri sot, kjo pasuri e paluajtshme tokë truall është disponuar dhe përdorur nga trashëgimtarët e të ndjerit Spiro Kondi (Qirinxhi). Por kjo nuk u mor parasysh nga kryetarja e trupit gjykues, Ariola Kristo. Ajo, që në fillim të çështjes mbajti qëndrim të njëanshëm, duke u pozicionuar në rolin e avokates së palës së paditur, që prapësonte këtë kontratë, pa asnjë mjet provues.

Përse thoni për gjyqtaren Kristo që ishte e njëanshme?

Së pari, për faktin se në bazë të Kodit të Procedurës Civile, një nga parimet është se gjykata duhet të pozicionohet në rolin e saj pasiv, jo në rolin aktiv. Siç e thashë, që në seancën e parë ajo shfaqi zell dhe vullnet që këtë rol ta përmbushë në mënyrën më perfekte, ndonëse vazhdimisht i tërhiqja vëmendjen, duke i thënë se “nuk jeni ju që të bëni prapësime të provave të mia, sepse të paditurit përfaqësohen nga avokatja”. Që në këtë moment, mora sinjalet se po gjykonte një çështje me njëanshmëri. Së dyti, të gjitha seancat gjyqësore i zhvilloi në një zyrë 2×2 m², duke mos pasur as kushtet më minimale për të servirur dokumentet. Prapë them se kjo ishte e qëllimshme. Kristo e zvarriti çështjen në mbi 25 seanca gjyqësore dhe në asnjë moment në një sallë gjyqësore. Pas 25 seancash, më 9 shkurt 2011, ajo rrëzoi padinë, jashtë çdo logjike, dokumenti dhe prove, edhe pse unë dorëzova të gjitha provat, ndërsa pala kundërshtare asnjë, duke shpallur një vendim haptazi të padrejtë. Unë them se ajo e ka pas vendimin të marrë më herët, edhe për faktin se në seancat e fundit të gjykimit kërkoi ekspertin, që jo vetëm të nxirrte të ligjshme kontratën e ’75, por edhe t’i shërbente palës tjetër për të kryer veprimet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Po kur e apeluat çështjen?

Direkt për këtë çështje ka qenë i interesuar gjyqtari i Apelit, Stavri Kallço. Për të humbur gjurmët nga e vërteta, në mënyrën më djallëzore, u caktua një gjyqtare relatore, për të cilën unë kisha sinjale se ishte futur nga Kallço, pasi vetë ai ishte i interesuar për të lënë në fuqi vendimin e mbesës së tij. Kërkova përjashtimin e gjyqtares, bashkë me kryetaren e trupit gjykues, me argumentin se kryetarja kishte lidhje shoqërore të fuqishme me avokaten kundërshtare. Nuk u mor parasysh kërkesa ime dhe u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, gjykuar nga Ariola Kristo. Ky vendim u përdor që pala tjetër të kërkojë pronësinë fizike të pasurisë së paluajtshme.

Çfarë bëtë ju më pas?

Denoncova në Prokurori se dokumenti i ’75-s ishte në formë dhe përmbajtje false. Në atë kohë, një noter nuk mund të bënte akte noteriale, se toka në 1975-s ishte pronë e shtetit. Por Prokuroria nuk e regjistroi fare çështjen, duke argumentuar se nuk dispononte origjinalin, kur aktet origjinale ishin në dosjen gjyqësore, brenda një godine. Sipas meje, kjo ka ndodhur me ndërhyrjen e bashkëshortit të gjyqtares së çështjes, i cili është prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Korçës.

Sipas dokumenteve, në vitin 2014, gjyqtari i Apelit, Stavri Kallço, ka marrë në shqyrtim një çështje të ankimuar nga pala kundërshtare me ju. Përse?

Sepse pala kundërshtare u kthye në akuzuese, duke kërkuar ta merrte në natyrë pasurinë, nëpërmjet vendimeve të padrejta, të kundërligjshme dhe nepotike në gjykatat e Korçës.

Çfarë ndodhi në Apel?

Çdo gjyq në Shkallën e Dytë në Apel gjykohet pas 5- 6 muajsh a më tepër. Çuditërisht, këtë çështje e gjykon pas 3 muajsh, si dhe në muajin korrik (pak ditë para se të nisnin pushimet zyrtare). Kryetar i trupit gjykues zgjidhet Stavri Kallço, daja i gjyqtares Kristo. Çështja u gjykua dhe vendimi u shpall në mungesë të palës sonë, në një seancë të vetme.

Sipas rekursit që keni bërë në Gjykatën e Lartë, theksoni se lidhja nepotike dajë-mbesë, konkretisht Stavri Kallço dhe Ariola Kristo, është një nga shkeljet kryesore në këtë çështje. Si e argumentoni këtë?

Në pamje të parë duket sikur çështjet nuk kanë lidhje njëra me tjetrën dhe ky mund të jetë për gjyqtarin “justifikim ligjor”. Në fakt, nuk është kështu, sepse të dyja çështjet kanë lidhje organike mes tyre, pasi bëhet fjalë për të njëjtën pasuri të paluajtshme dhe të njëjtët palë ndërgjyqëse. Edhe pse nuk ishim lajmëruar ne si palë për zhvillimin e seancës, vetë gjyqtari, në bazë të nenit 73 të Kodit të Procedurës Civile, duhet të hiqte dorë. Mos-heqja dorë e bën këtë gjykim dhe vendimmarrjen e kësaj trupe gjykuese haptazi të padrejtë dhe komprometuese.

Sipas jush, cili është ndikimi i gjyqtarit të Apelit, Stavri Kallço, në këtë çështje të klientit tuaj?

Gjyqtari Kallço dha vendim të padrejtë dhe komprometues.

Cilat do të jenë veprimet e mëtejshme?

Unë kam bërë rekurs në Gjykatën e Lartë me bindjen e plotë se Gjykata e Lartë ka gjyqtarë profesionistë, të përgjegjshëm dhe me vullnet të mirë për të dhënë drejtësi. Në rekurs kam paraqitur shkeljet të detajuara të dy gjykatave të Korçës, si ato formale procedurale, duke iu referuar dispozitave përkatëse, si dhe zgjidhjen totalisht të gabuar të objektit të padisë, duke iu referuar dhe ligjit substancial të Kodit Civil.

Si e komentoni deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, për nisjen e inspektimit mbi veprimtarinë e gjyqtarit Kallço në Korçë?

Ministri i Drejtësisë, me inspektorët e kësaj ministrie dhe inspektorët e KLD-së, në kuadër të reformës, mund të arrijnë të saktësojnë figurën jokorrekte të gjyqtarëve, nëpërmjet vendimmarrjeve të kundraligjshme. Unë e inkurajoj ministrin për këtë nismë, edhe për faktin që unë kam punuar për 11 vjet pranë kësaj ministrie, pikërisht në Drejtorinë e Inspektimit dhe këto nisma i kemi praktikuar shumë herë me KLD-në. Ky inspektim do të verifikojë shkeljet e kryera, do të zbulojë këto lidhje nepotike, duke vënë para përgjegjësisë çdo gjyqtar që shkel ligjin, duke u bërë kështu objekt shqyrtimi për masa disiplinore në KLD.

ELIDA DOMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura