“Nëntori” pa mbështetje, piktorët ekspozitë me paratë e tyre

Nov 19, 2015 | 19:42
SHPËRNDAJE

“Jemi të dënuar me pasion”. Kështu thotë piktori Aleksandër Filipi, një ndër organizatorët e ekspozitës së përvitshme “Nëntori”.

nentori, besimiNë këtë ekspozitë ai është paraqitur me dy punë, një ndër të cilat tregon përpjekjen e përjetshme prej Sizifi të njeriut. Mbijetesa e kësaj ekspozite është pjesë e kësaj përpjekjeje.

Tashmë, në edicionin e tij të 18-të, ky aktivitet ka arritur t’u rezistojë vështirësive ekonomike apo mungesës së ambienteve.

Pjesëmarrësit në të nuk presin më ndonjë mbështetje nga shteti, por kanë vendosur të shtien të gjithë një kuotë për ta mbajtur gjallë këtë aktivitet e për të mbuluar shpenzimet e rastit.

EKSPOZITA

Sipas organizatorëve Aleksandër Filipi e Besim Tula, vëmendja e kësaj ekspozite nuk është te kuratori, por tek artisti, ndaj ai ka qenë i lirë të sjellë në këtë edicion konceptin e tij, pa iu nënshtruar një koncepti të përgjithshëm kuratorial.

“Ne mbështetemi në parimin e lirisë krijuese, e megjithatë çdo grupim ka disa principe të vetat. Kjo është një ekspozitë jo vetëm në gjininë e pikturës së kavaletit, por ka pasur edhe një preferencë për tablonë kompozicionale. Dhe ky grupim po shkon drejt forcimit të këtij identiteti.

Ndërsa mendimi, ideja, dimensioni, që është një formë personale e të shprehuri, janë tërësisht individuale, pa asnjë lloj trysnie. Por është një përgjegjësi personale, përpara të tjerëve, por edhe vetes, sepse çdo pjesëmarrje është një sfidë”, thotë Filipi.

Por siç thotë Tula, në qendër të ekspozitës është pikërisht njeriu me shqetësimet e së përditshmes.

“Nëntori” është ekspozita e punëve në telajo, pa përfshirë në të mediume të tjera. Madje, edhe brenda kësaj teknike është përpjekur të lihet mënjanë peizazhi, që tashmë përfaqësohet nga piktorët e “Plein Air”-it.

Dhe, në të vërtetë, në shumicën e punëve të ekspozuara në këtë “Nëntor”, ndihet shqetësimi i ditës, që nga taksat mbytëse, te kaosi urban, vetmia e moshës së tretë, emigracioni, siç nuk mungon edhe ndonjë natyrë e qetë apo portrete fëmijësh, a ndonjë çift me biçikleta që presin agimin.

“Artisti është pjesë e shqetë- simit të kohës. Arti është një lloj EKG-je e botës, e mënyrës se si ai përthyhet në art nga artisti, është kontakti që ai ka me të, me njerëzit, informacioni që merr… dhe këtë e jep si në formë, edhe në përmbajtje”, thotë Filipi.

Krahas emrave të piktorëve të njohur, si Vilson Kilica, Zef Shoshi, Ksenofon Dilo, Llazar Taçi, Gazmend Leka, etj., që vazhdojnë të jenë besnikë të këtij aktiviteti, sipas Filipit, këtë vit i janë shtuar edhe 7 piktorë të rinj, veprat e të cilëve i përshtaten frymës së përgjithshme të ekspozitës dhe kërkesave cilësore të saj.

Në këtë të fundit, piktori thotë se pjesëmarrësit nuk bëjnë lëshime. Tashmë “Nëntori” është kthyer në një traditë dhe artistët e kanë si një kronometër për të matur pulsin e tyre, por edhe të kolegëve.

FINANCIM ME KUOTA

Tashmë “Nëntori” mbështetet me të ardhura tërësisht personale. Nuk ka ndonjë mbështetës institucional, shtetëror, por edhe privatët nuk është se janë dorëlëshuar në këto raste. Pasi janë lodhur duke trokitur, ata thonë se e kanë zgjidhur çështjen e financimit. “Në mungesë të sponsorizimeve, e kemi zgjidhur vetë këtë punë.

Paguajmë të gjithë një kuotë të barabartë, me të cilën paguajmë qiranë e sallës, banerin, ftesat etj.

Do të kishte kosto më të lartë, nëse do të nxirrnim katalog, por këtë po mundohemi ta nxjerrim një herë në 2-3 vjet”, thotë një nga organizatorët e “Nëntorit 18”, Aleksandër Filipi. Sipas tij, “Nëntori” është një ndërmarrje tërësisht personale dhe tashmë ky grupim e ka të vështirë që të zgjerohet, edhe pse ka shumë artistë që duan të marrin pjesë.

“Nuk është çështje përjashtimi, por mundësish. Edhe të rinjtë që i pranuam mes tonë, shquam tek ata preferencën për tablonë kompozicionale. Mund të krijohen edhe grupe të tjera, siç janë ngritur ‘Plein Air’ apo ‘Pranvera’”, vijon ai.

Për sa u takon mbështetjeve institucionale, apo përfshirjes në kalendarë të institucioneve kulturore, ai thotë se: “Kërkuam sallën e Galerisë së Arteve, por nuk na u kthye asnjë përgjigje.

Sallat e tjera janë të kushtueshme. Shumë nga pjesë- marrësit janë pensionistë dhe e kanë të vështirë të paguajnë edhe atë sasi lekësh që ne kemi caktuar. Ndërsa këtu ndihemi mirë, pasi jemi pranë një institucioni arti, mes studentësh dhe pedagogësh, të cilët kanë interes të na ndjekin”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura