11-mujori i vitit 2021/ Ja me sa për qind u rrit fitimi i sektorit bankar në Shqipëri

Jan 10, 2022 | 23:34
SHPËRNDAJE

Fitimi i sektorit bankar me standardet mbikëqyrëse të raportimit financiar u rrit më tej për muajin nëntor të vitit të kaluar.

bankar

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 11-mujorin 2021, fitimi neto arriti vlerën e rreth 19.15 miliardë lekëve, me rritje prej 33.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimi i sektorit bankar për periudhën janar-nëntor vitin e kaluar ishte më i larti më i larti që prej vitit 2017, vit kur sektori bankar ka shënuar fitimet më të larta historike.

Viti 2021, me të dhënat deri në fund të nëntorit, po shënon fitimin e dytë më të lartë historik të sektorit bankar në vend. Megjithatë, këto të dhëna bazohen në standardet e raportimit sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore. Sidoqoftë, edhe sipas këtyre standardeve tendenca e fitimeve të sektorit bankar është pozitive. Mbështetur në të dhënat e 9-mujorit 2021 të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me standardet IFRS sektori bankar ka regjistruar fitimin më të lartë të dekadës së fundit.

Edhe treguesit e rentabilitetit paraqiten në nivele më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Kthimi nga kapitali aksioner në fund të nëntorit 2021 (gjithmonë sipas standardeve lokale) arriti në 12.5%, nga 9.91% që kishte qenë për 11-mujorin e vitit 2020. Kthimi nga aktivet ka arritur në 1.34%, nga 1.11% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fitimeve të sektorit bankar po mbështetet nga zmadhimi i sektorit dhe rritja e huadhënies dhe nga përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor niveli i kredive me probleme zbriti në 6.2%, niveli më i ulët në 13 vjet. Përmirësimet në ekonominë reale gjatë vitit 2021 dhe vijimësia e huadhënies kanë dhënë një efekt të dukshëm pozitiv në ecurinë e raportit të kredive me probleme. Ulja e raportit të kredive me probleme ka një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën financiare të sektorit bankar. Pakësimi i kredive të këqija sjell më pak shpenzime në formën e provigjioneve, duke e ndikuar pozitivisht përfitueshmërinë e bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit shtator vlera e provigjioneve për kreditë ka pësuar rënie me 84% krahasuar me një vit më parë (gjithnjë sipas standardeve lokale të raportimit). Rënia e provigjioneve ka ndikuar direkt në rritjen e fitimit të bankave krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me vitet pararendëse.

Nga ana tjetër, rritja e porotfolit të kredisë dhe letrave me vlera ka zgjeruar të ardhurat nga interesat, ndërsa gjallërimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar pozitivisht edhe të ardhurat nga tarifat dhe komisionet.

Rritja e përfitueshmërisë është një parakusht i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të sektorit dhe për mbështetjen e nevojshme të ekonomisë me kreditim, por edhe për ta bërë sektorin bankar më tërheqës për investitorë strategjikë. Në vitet e fundit, sistemi është përballur me largimin e disa prej grupeve të rëndësishëm bankare të Eurozonës, që ka sjellë një proces konsolidimi dhe rritjen e peshës së investitorëve lokalë dhe rajonalë. Shumica e bankave janë shitur me çmime relativisht të ulëta dhe nën vlerën e kapitalit të tyre aksioner, pikërisht për shkak të keqësimit të performancës financiare në periudhën e pas krizës së vitit 2008. /Monitor/

Burimi: Banka e Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura