Nëntë orë me ambasadorët për zgjedhjet, ku ndahen PS e PD dhe pika që i bashkoi, sot takimi për marrëveshjen

Jun 3, 2020 | 9:47
SHPËRNDAJE

Dështimi i Këshillit Politik për përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda 31 majit, detyroi ambasadorët e SHBAsë, BE-së dhe Britanisë së Madhe të uleshin për 9 orë me anëtarët e këtij Këshilli.yurikim

Jo shumë entuziastë dhe të lodhur pas 9 orësh diskutime me katër përfaqësuesit politikë në Këshillin për Reformën Zgjedhore, ambasadorët njoftuan se do të vijojnë përpjekjet e tyre nesër (sot) për të parë mundësinë e arritjes së një dakordësie. Në deklaratat e tyre, ambasadorët thanë se është bërë përparim, por ka dhe shumë punë për të bërë, një slogan ky që, nisur nga negociatat mes politikanëve shqiptarë, përkthehet se palët nuk janë aq afër një marrëveshjeje të dakordësuar.

Takimi i ambasadorëve me Këshillin Politik vjen pas një takimi të gjatë që zonja Kim dhe ambasadorët Soreca dhe Duncan zhvilluan në selinë blu me kryedemokratin Basha, pas dështimit të negociatave më 31 maj për gjetjen e dakordësisë në Këshill. Më e drejtpërdrejtë, duke përcaktuar vijat e kuqe, mbi të cilat duhet të ecet në negociata për Reformën Zgjedhore mes palëve, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, e bëri të qartë se nuk duhet të lëvizet nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për Reformën Zgjedhore.

“Qëllimi ynë sot dhe qëllimi ynë nesër, sepse do të ritakohemi sërish nesër, është që Shqipëria të përmbushë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR, në mënyrë që të jetë një anëtare me të drejta të plota në BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej ODIHR-it, do të biem dakord me ta. Por nëse konsensusi për këto pika që ODIHR ka kërkuar nuk arrihet, atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa”, tha ambasadorja Kim.

Ndërkohë mësohet që në këshillin Politik, PS e PD janë dakordësuar për identifikimin biometrik të votuesve në të gjithë vendin. Por pika e nxehtë ku palët kanë ngecur në Këshillin Politik duket se është administrata zgjedhore dhe depolitizimi i saj. Nisur nga rekomandimi i ODIHR-it që kërkon depolitizim të administratës zgjedhore, në draftin fillestar, ekspertët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore propozuan që të gjithë komisionerët/ numëruesit e votave të ishin të depolitizuar dhe të zgjidheshin nga radhët e mësuesve, infermierëve apo edhe qytetarë të tjerë të Shqipërisë, të cilët do plotësonin disa kritere të vendosura nga KQZ-ja. Përzgjedhja e tyre do të bëhej me short në mënyrë rastësore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.reforma

Opozita e bashkuar e kundërshtoi këtë propozim të maxhorancës, me arsyetimin se mësuesit dhe infermierët apo kushdo qoftë nga administrata shtetërore janë emëruar politikisht në rastin më të keq dhe në rastin më të mirë janë lehtësisht të shantazhueshëm nga partia në pushtet. Në këto kushte, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili depozituan propozimin e tyre. Opozita kërkonte që nga 7 anëtarë që ka Komisioni Zgjedhor, 1 të ishte i depolitizuar e të zgjidhej nga KQZ-ja dhe 6 të tjerë të propozoheshin nga partitë politike, tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita me të drejtë vote. Propozimi i opozitës së bashkuar nuk u pranua nga maxhoranca, me arsyetimin se në rekomandimin e fundit të OSBE/ODIHR sugjerohet depolitizimi i administratës zgjedhore.

Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, sipas burimeve, PSja erdhi me një propozim konsensual. Propozimi i maxhorancës sanksiononte që tre komisionerë të zgjidhen nga KQZ-ja me short dhe të jenë të depolitizuar, çka nënkupton se ata do të vijnë nga radhët e administratës publike etj.

Ndërsa 4 të tjerë të propozohen nga partitë politike, përkatësisht dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita, por me kushtin që komisionerët politikë të mos kenë rol vendimmarrës, por vetëm si vëzhgues. Ende me sa duket nuk ka një zhvillim në këtë pikë nga palët politike në Këshillin Politik.

AMBASADORJA E SHBA, YURI KIM:kim

Siç mund ta shihni, jam e shoqëruar nga dy kolegët e mi, Norman dhe Soreca. Të tre ne kemi shpenzuar rreth 9 orë me të gjithë anëtarët e Këshillit Politik. Ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë, por është bërë përparim. Kjo ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithë u kërkuan që të japin në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria, miku dhe aleati ynë, është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese. Ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë. Sikurse jeni në dijeni, BE ka vendosur një sërë kushtesh në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësimin në BE. Mes tyre është Reforma Zgjedhore, e cila duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e ODIHR. Kështu që, qëllimi ynë sot dhe qëllimi ynë nesër, sepse do të ritakohemi sërish nesër, është që Shqipëria të përmbushë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR, në mënyrë që të jetë një anëtare me të drejta të plota në BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej ODIHR-it, do të biem dakord me ta. Por nëse konsensusi për këto pika që ODIHR ka kërkuar nuk arrihet, atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa. Sikurse e kam thënë, ne duam që Shqipëria të jetë në BE, kjo është një dëshirë e SHBA-së dhe e popullit shqiptar. SHBA do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të vazhduar që ta mbështesin popullin shqiptar”, tha ambasadorja Kim pas takimit me Këshillin Politik.

AMBASADORI I BE-SË, LUIGI SORECA:soreca

Kemi pasur një ditë shumë të mirë pune të gjithë së bashku. Kemi bashkëshoqëruar punën e anëtarëve të Këshillit Politik. Për BE-në është e rëndësishme që të mund të përmbushen kushtet dhe të fillojë procesi i anëtarësimit. Kufijtë janë rekomandimet e vendosura nga ODIHR dhe kjo është ajo që BE po i kërkon Shqipërisë të bëjë. Shumë shpejt, Komisioni Europian do prezantojë kornizën negociuese. Dhe një arritje në Reformën Zgjedhore do ta bëjë punën e negociatave më të lehtë. Dëshiroj të falënderoj të gjitha palët për qasjen e tyre konstruktive që shfaqën ditën e sotme. Dhe i ftoj gjithashtu që të vazhdojnë me të njëjtën qasje edhe nesër. Kemi një pikë vrulli, kështu që të mos e shpërdorojmë sepse para së gjithash është në interes të shqiptarëve, por gjithashtu për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

AMBASADORI I BRITANISË SË MADHE, DUNCAN NORMAN:norman

Këshilli Politik u krijua për të përfunduar Reformën Zgjedhore. Sot është bërë një përparim i mirë, por mbetet ende punë për të bërë. Është thelbësore që këtë ta përfundojmë nesër. Jo vetëm që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt BE-së, por në mënyrë që votuesit shqiptarë të kenë zgjidhje më të mira herën e ardhshme. Kështu që, le ta bëjmë punën. Le ta mbarojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura