Nënshkruhet Memorandumi për projektin e depozitimit nëntokësor të gazit natyror. Zona ku do të zbatohet projekti

Mar 4, 2021 | 17:28
SHPËRNDAJE

Një memorandum bashkëpunimi për Projektin e Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë është nënshkruar sot nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtoresha e Njësisë së Zhvillimit të Biznesit Ndërkombëtar dhe Drejtore e Operacioneve Financiare të kompanisë italiane SNAM, Alessandra Pasini.

balluku

Ministrja Balluku theksoi se “Zhvillimi i rrjetit të transmetimit të gazit është një nga objektivat strategjike të Qeverisë Shqiptare, në kuadër të të cilit është miratuar dhe Master Plani Kombëtar për gazifikimin e vendit, pjesë e të cilit është dhe projekti i Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë”.

Zhvillimi i këtij projekti është parashikuar të shtrihet në dy faza. Faza e parë konsiston në zhvillimin e një strukture depozitimi, e cila mundëson kapacitetet e ruajtjes së gazit për mbulimin e kërkesës në vend, nëpërmjet krijimit të dy venddepozitimeve me kapacitet 230 milion m3 gaz me vlerë investimi rreth 78 milion euro.

Ndërkohë, faza e dytë zhvillon përfundimisht projektin mes zgjerimit të kapaciteteve depozituese, duke marrë karakter rajonal. Në këtë fazë investimi arrin në 150 milionë euro dhe kapacitetet depozituese arrijnë në 800 milion m3 gaz.

Ministrja Balluku shprehu besimin se bashkëpunimi me SNAM do të jetë i frytshëm në funksion të realizimit të këtij projekti

 

Memorandumi i nënshkruar sot parashikon shfrytëzimin e hapësirave për bashkëpunim midis Albgaz dhe SNAM për zhvillimin e depozitave nëntokësore të gazit natyror në zonën e Dumresë, projekt i cili do të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike të vendit tonë, por edhe në një plan me të gjerë rajonal.

Në ceremoninë e nënshkrimit, merrnin pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci dhe Drejtori i ALBGAZ, Arbër Avrami.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura