Nënkolonelja Shkurte Bytyçi: Meshkujt i rrinë gatitu!

Dec 17, 2012 | 14:10
SHPËRNDAJE

Me një karrierë gati 20-vjeçare në Ushtrinë shqiptare, mes sakrificave me natyrë herë gjinore dhe herë familjare, vajza e lindur në një qytezë të Kukësit tregon se si ka “luftuar” me armët e saj për të vjelë meritat dhe arritjet profesionale deri në gradën aktuale, atë të nënkoloneles. Në jubileun e 100-të të Ushtrisë shqiptare, Shkurte Bytyçi vjen përmes një profili femëror të sintetizuar në uniformën ushtarake, ndërsa përtej saj ajo është bashkëshorte, nënë e dy fëmijëve dhe një grua e kuruar deri në detajet estetike…

Edhe pse një ditë me shi dhe njerëzit i kanë të mbuluara portretet nga çadrat shumëngjyrëshe, kur ajo u kalon aty pari… nuk i shpëton shikimeve dhe vëmendjes së tyre. Jo vetëm për shtatlartësinë e saj, fizikun e hajthëm dhe imazhin e kuruar, sesa për uniformën që ajo mban veshur. Nga yjet në spaleta dhe shiritat e florinjtë kuptohet që ajo nuk është një ushtarake e thjeshtë, por e graduar sipas pozicionit të saj. I janë dashur mbi 20 vite për të qenë në statusin ku gjendet sot, por nuk është e velur nga deliri i postit. Edhe vartësit e saj gjatë bisedës i quan shpesh kolegë. Thotë se vetëm përmes një bashkëpunimi të mirë me ta mundet të dalë në pah e gjithë puna e saj. A urdhëron?! Sigurisht. Madje të shumtë janë meshkujt që marrin detyra prej saj, edhe pse thellë brenda vetes ajo e di se pas uniformës ushtarake brishtësia femërore e ndihmon të shfaqet me tone të zbutura…
Nga uniforma e të vëllait tek ajo e nënkoloneles
Në fëmijërinë normale në Kukës i bënte bisht mentalitetit ndrydhës të kohës. Edhe pse një nxënëse me rezultate të shkëlqyera, që një ditë ëndërronte të vishte përparësen e bardhë të mjekes, shpesh marrosja pas uniformës ushtarake të të vëllait e bënte të humbiste për orë të tëra në të. Me provat përpara pasqyrës, qëndrimin herë të fiksuar dhe mashkullor, për Shkurte Bytyçin, materiali prej teritali ushtarak u kthye shpejt në rrobën e saj të preferuar. Sigurisht që përmasat ishin të tjera, e fiziku i dobët e bënin të humbiste në to, përsëri dëshira për t’u bërë pjesë e radhëve të Ushtrisë shqiptare u kthye në qëllimin e vajzës kuksiane. “Isha rritur në një familje me rregulla të qarta, ndërsa im vëlla ishte ushtarak. Që fëmijë, më tërhoqi shumë uniforma, me atë jeshilen e fortë, kopsat e florinjta, kapela… të gjitha më bënë për vete. Kur përfundova shkollën e mesme, isha në dilemë për zgjedhjen e profesionit, por veten e kisha bindur se do të bëhesha ushtarake, më pëlqente shumë ky profil. Ushtria nuk është profesion i lehtë. Duhet angazhim, seriozitet dhe shumë përkushtim. Që në momentin e veshjes së kësaj uniforme, përgjegjësia të ndjek në çdo hap…”, thotë Bytyçi. Në fillimet e saj ka marrë pjesë përkrah meshkujve në stërvitjet tokësore, ato të mbrojtjes, forcës. Karakteri luftarak dhe disiplina me të cilën ishte rritur e ndihmuan të prezantonte veten gjatë viteve të karrierës ushtarake. Teksa, sakrificat, ato të natyrës familjare, kanë qenë pjesë e arritjeve profesionale. Si nuse në një derë ushtarakësh, bashkëshorti Iliri ka qenë një mbështetje e fortë. “Më është dashur të shkëputem nga familja për ditë të tëra, sepse duke qenë shefe e logjistikës jam angazhuar kryesisht në terren. Krijim i kushteve të posaçme për skuadrat ushtarake, ngritja e çadrave, baza materiale dhe ushqimore. Kohë pas kohe kam fituar besimin te vetja dhe mbështetjen e kolegëve të mi. Sidomos për një femër nuk është e lehtë përfshirja në Ushtri, por duke qenë pak, nuk e kam hasur dallimin gjinor. Them se më kanë respektuar më shumë, si mua edhe koleget e mia femra, duke qenë një numër i kufizuar, sigurisht”, vijon 43-vjeçarja.
Urdhëron meshkujt, por gëzon respektin e tyre
E graduar si nënkolonele dhe në pozicionin aktual të punës, atë si shefe BCU-je (Bashkëpunimi Civil Ushtarak), për Shkurte Bytyçin, profili në nivele drejtuese nuk është vetëm prestigj, është kryesisht përgjegjësi. Kujdesi ndaj mbarëvajtjes së  detyrave, angazhimi në kryerjen e tyre dhe puna me vartësit është përditshmëria e saj, edhe pse ajo nuk zgjedh t’i quajë kështu… Të gjithë janë kolegë për të! Qëndrimi i sertë apo korrekt përballë tyre nuk do të thotë vetëm dhënie urdhrash dhe ndarje detyrash. Edhe pse pjesa dërrmuese e kolektivit të saj përbëhet nga meshkuj. “Ndasia gjinore nuk është mirë të ekzistojë. Dihet që në radhët e Ushtrisë shqiptare ka më shumë meshkuj sesa femra. Gjithnjë kam ndier respektin dhe vëmendjen e tyre, ndoshta edhe pse jam shefe femër. Uniforma që mbaj veshur më jep autoritetin, por jo të drejtën e ngritjes së zërit apo krijimit të konflikteve. Jam bashkëpunuese me të gjithë, edhe në përmbushjen e detyrave apo planeve tona ushtarake”. Në ditën jubilare të festimit të 100-vjetorit të Ushtrisë shqiptare, Shkurtja e ndjeu veten më shumë se kurrë pjesë të saj. 20 vitet e përfshirjes në të e kanë ndihmuar që të ecë përkrah arritjeve dhe zhvillimeve që ka pasur Ushtria jonë e të gjitha spektrave, tokësore, detare, ajrore, apo Policia ushtarake. “Jam angazhuar shumë edhe në realizmin e paradës ushtarake në ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe, kur pashë parakalimet e të gjitha forcave tona ushtarake gjatë paradës, u ndjeva krenare si pjesë e tyre”.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura