Nënë Tereza, lutjet e fundit për Shqipërinë

Sep 4, 2016 | 13:57
SHPËRNDAJE

Ajo sot rri në krah të shenjtëve. Nëna e lutjes, tashmë do të dëgjojë lutjet e të tjerëve. Sot Vatikani shenjtëroi Nënë Terezën, shqiptaren më të njohur në botë, edhe pse fama nuk ishte qëllimi i saj. Në këtë ditë, kur ceremoni madhështore zhvillohen për nder të saj, ajo është më shumë e pranishme se kurrë përmes lutjeve.

4

“Nënë Tereza me shqiptarë”, kështu titullohet albumi i përgatitur nga Visar Zhiti e Roland Tasho.

Një botim i vyer me lutje të shenjtores të përzgjedhura nga Zhiti dhe fotografi të Nënë Terezës në Shqipëri, realizuar nga fotografë të ndryshëm shqiptarë, por mbledhur dhe përgatitur për këtë format nga Roland Tasho. Janë fotografi të siguruara pranë Agjencisë Telegrafike të Lajmeve, ose në arkivat personalë të fotografëve Petrit Kumi e Roland Tasho.

Ky album është përgatitur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por fatkeqësisht, në atë tollovi aktivitetesh të zhvilluara me ngut dhe të ngjeshura brenda një periudhe fare të shkurtër ky botim ka mbetur jashtë vëmendjes.

Fotografi Roland Tasho tregon se, edhe pse ky botim u porosit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, asokohe, nuk qe i lehtë realizimi i tij dhe kjo nuk kishte të bënte me materialin bazë, por fondet, të cilat do të zhbllokoheshin vetëm kur vetë Zhiti do të bëhej ministër.

3

“E mora Visarin prej krahu dhe i thashë, tani shkojmë dhe takojmë ministrin për librin…Ai u hutua për një moment, pasi gati e kishte harruar që ishte ministër, pastaj qeshi. Është e vërtetë që kur flitet për Nënë Terezën, duket fare e vogël të bisedosh çështje parash, por bashkëpunëtorët duheshin shpërblyer dhe kishin bërë një punë të mirë”, tregon Tasho, teksa ndan sot shqetësimin që ky album ka mbetur në harresë.

Libri paraprihet nga disa tekste të përgatitura nga Visar Zhiti, që flasin për vokacionin e Gonxhe Bojaxhiut, më pas misionin e saj, lidhjen me Shqipërinë, shqipen, familjen, biseda me njerëz të mëdhenj e mbi të gjitha lutjen.

2

“Modeste skajshmërisht, e varfër po aq skajshmërisht, por dinjitoze gjithmonë, Nënë Tereza pa asnjë lloj biznesi, pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend e (nëse ka personalitete që futen në histori me dhunë, duke bërë plojë të madhe e dalin prej andej, duke i zvarritur statuja), pra, pa zbuluar ligje të fizikës, megjithëse rizbulon zjarrin e shpirtit me shkencën e mrekullisë, pa shkruar epope, veç lutej me mërmërima, duke investuar dhembej. Ajo u bë e përbotshme, u bë vetë botë”, shkruan Visar Zhiti.

Mes qindra lutjesh, autorët kanë përzgjedhur ato që u flasin të gjithëve. Ka lutje për fëmijët e sapoardhur në jetë, për nënat e reja, për gjykatësit, të dehurit, shoferët, ushtarët, të burgosurit. Ka lutje për përdorimin e parasë, ka lutje për paqen, tolerancën, punën…, ka falënderime për buzëqeshjen. Ka edhe për Shqipërinë. Për Shqipërinë që kur e shkeli e kuptoi se nuk ishte më një ëndërr, për Shqipërinë e ’97-s, për jetët e humbura. “E di pse s’kemi paqe tani?/Kemi harruar të shohim/te tjetri vetveten”, shkruante ajo në vitin e tmerrshëm në 1997 “Për Shqipërinë time”.

1

Dhe pak ditë përpara se të ndahej nga kjo jetë, më 27 gusht të vitit 1997, shkruan: “Dua të kthehem në Shqipëri, /t’u shërbej/ më të varfërve të të varfërve/të gjakut tim./ Dhe në nderim të kujtimit të prindërve dua të kthehem,/pranë tyre të mbyll sytë…”.

Sa u përket fotografive ato e sjellin shenjtoren gjatë vizitës në Shqipëri, duke u takuar me njerëz, në mesha, në shtëpinë e saj, me klerikët e dalë nga burgjet e komunizmit… Me kërkesë edhe të porositësve të albumit janë hequr prej tij fotografitë e Nënë Terezës me politikanë të kohës, apo ish-udhëheqës të Shqipërisë diktatoriale. Por nuk mungon ish-kryeministri Berisha, atëherë kreu i opozitës shqiptare me bashkëshorten e tij.

“Nëse ato fotografi me funksionarë të kohës do të ishin lënë në botim, atëherë dëshmia historike do të ishte më e plotë… Por tek e fundit, Nënë Tereza nuk ishte e politikës, por e njerëzve të thjeshtë. Dhe janë këto fotografi që mbushin albumin”, thotë Roland Tasho.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura