Nënë Tereza, gruaja që sfidoi dhe modifikoi portretin e shekullit

Sep 6, 2019 | 11:47
SHPËRNDAJE

Ferdinand Samarxhi, Mjeshtër i Madh

NË VEND TË EPILOGUT… Rrebeshe, luftëra, gjakderdhje. Majë malesh epike. Legjenda kreshnike. Tela lahutash. Simfoni epike, që derdhin histori trimash, plagësh, varresh në trup. Piskama, Hyjnizim epos heronjsh. Njerëz të egër, për liri. Gra të një kohe barbare, që gugutitin gjuhë të ashpër. Pëllumbesha Oristriadhiote, Peleje, që tregojnë për njerëzimin, profeci. Kohë të një gjeneze, të një toke të lashtë, sa dhe vetë dheu i krijuar. Orakuj tempujsh, Jupiter Thesprot. Tokë Molosësh.

ferdinand-samarxhi

Dodonë, që thërret thellë historinë në mitologji. Shkrime të Shenjta. Kodikë qytetërimi, të një bote të lashtë. Papë të një gjeneze dhe toke të lashtë Ilire, që thërrasin Omeli, nga më të lashtat, më të bukurat, për njerëzimin e kohëve, apateos altarësh, shenjtëri Ilirie.

Perandorë gjaku, të fisshëm, të hershëm, që histori gdhendin nëpër kohë e luftëra gjeneze të ndritur. Mitologji. Nga më të lashtat. Sa dhe ato, homerike. Para helenike skapalitin kohë. Si mëmë, pjellin e lindin fise e popuj të tjerë, të këtij dheu, të këtij trungu, të këtij eposi. Pararendëm kështu, para të tjerëve, në histori. Para të mëdhave Perandori, para të mëdhenjve kombe e popuj. Treguam histori, u dolëm zot në kohëra popujve, kombeve, të tjerëve. U gjakosëm si të pabarabartë me ta. Të përgjunjur, s’na panë. Mburojë. Shpëtuam civilizim.

Famë dhe emër, Skënderbeu përshkroi. Majat e kreshmëve më të bardha nga hallet u bënë. Shqiponjë Deodoniane, me kthetrat, krahët e saj, çau tisin e hapësirës. Shkoj lart e më lart, në besimin te Hyu, që kurrë nuk zhgënjen, por shpresë ngjall në flamurin e saj.

PANTEON I RRALLË

nene tereza1

Krishterimi, Vatikani, Papati, jeton inkandeshencën që rrezatoi gjeneza pararendëse në galidhenë e madhe të kombeve. Papë me origjinë Ilire: Papa Shën Eleuteri, 171:185, Prej një Nikopolit të Epirit, Prevës, që renditet i 14- ti në listën e Papëve, Shën Urbanit të parë 222- 230 prej Ilirie, që renditet i 18-të në listën e Papëve, Shën Kai Papë 283-296 prej Salone Dalmaci, Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555-1559 që renditet i 45-ti në listën e Papëve. Gjatë kohës dhe nën drejtimin e Tij, botohet libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut”. Papa Sisti V, Pereti, 1585- 1590, familja e tij emigroi nga Kotori, që renditet i 229-ti në listë. Papa Klementi XI, Albani, 1700-1721, që renditet i 245-ti. Me urdhër të Tij u mbajt Kuvendi i Arbrit, në 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës së parë shqipe. Nga ky vend shqiponjash do të lindë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që mbrojti civilizimin europian përtej Adriatikut nga sulmet e hordhive osmane, që Papati e nderoi dhe vlerësoi duke e quajtur atlet i Krishtit.

VAZHDË HYJNIZIMI: Në një shtëpi patriote shqiptare të Kol Bojaxhiut, kombi shqiptar do t’i falte shekullit gruan që i mungonte. 26 gusht 1910, Shkup, qendra tregtare e njohur me emrin GTC, në të djathtë të lumit Vardar, rruga “Koçina”, nr.13, vilajet shqiptar i kohës, i pushtuar prej Perandorisë Osmane, do të lindte nënën, që siç thotë ajo, Zoti e kish thirrur për një mision jete për gjithë njerëzimin: “Isha e sigurt se zëri që më thërriste, ishte zëri i Zotit. Zoti tashmë e kishte thirrur atë, eja, eja, më bart në kasollen e të varfërve. Eja dhe bëhu drita ime”. Qysh në moshën pesë vjeç e gjysmë, kur ajo pranoi për herë të parë kungimin e shenjtë, dashuria për shpirtrat kishte depërtuar në brendinë e saj. “Kam ardhur në Indi vetëm me shpresë që të shpëtoj shumë shpirtra dhe të fitoj kurorën e martirizimit. Apostolimi që kam, më erdhi me thirrje brenda thirrjes. Kam mësuar që varfëria për të varfër është më e rëndë se çdo gjë. Kam ecur gjithnjë, derisa kam pasur dhembje në duar dhe në këmbë. Kam menduar dhe se atyre duhet t’u dhëmbë trupi dhe shpirti, derisa kërkojnë ushqim, shtëpi, ndihmë”. “O Zot, nëse nuk mund të bëj asgjë për këta njerëz të mjerë, atëherë më jep së paku fuqi që të vdes në mesin e tyre për të dëshmuar dashurinë Tënde!”.

nene tereza2

DHURATË E ZOTIT… Që në lindje të saj, më 26 gusht 1910, Zoti dëshmoi dashurinë e Tij. Një ditë pas lindjes së saj, Nënë Tereza u pagëzua në kishën e zemrës së Krishtit nga famullitari atdhetar, patrioti Don Zef Ramaj, ditë të cilën ajo llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë në familjen e Kol Bojaxhiut nga Prizreni dhe Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Bernaj nga Novo Sella e Gjakovës). Në 1 janar të 1918, në bazë të traktatit të Versajës, Shkupi do t’i merrej Shqipërisë e do t’i kalonte Maqedonisë. Gonxhja, mësimet e para i mori në një shkollë shqipe, në Shkup, ku po ashtu kreu edhe gjimnazin, por në gjuhën serbokroate. Emrin Tereza e mori kur ishte 18 vjeç dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua për herë të fundit nga Shkupi në 26 shtator 1928, në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër, nuk do të shiheshin më kurrë. 12 shtator 1928 kishte shkruar letër, drejtuar tezes së saj: “Shkup, 12.09.28: E dashura teze Lis, më 26, të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue, dy-tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju japë gjithçka që ju dëshiron zemra. Dua t’ju fal gjanat më të përzemërta, Gonxhe”.

VUAJTJET, MËSHIRIM I ZOTIT… Ky ishte bashkëbisedimi i fundit me familjen e saj dhe vetëm pas 30 vjetësh do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza këtë gjë do ta merrte vesh vonë, pasi censura ishte e tillë, që nga frika e ndëshkimit të diktaturës së egër nuk e lejonte besimin. Në vitin 1959, Nënë Tereza e vëllai i saj, Lazër, u takuan në Romë, që të dy tepër të brengosur, pasi kishin pa parë nënën e motrën e tyre.

tereza

Në fillim të viteve ’70, kur Nënë Tereza mësoi për gjendjen shëndetësore të nënës së saj, siç tregon bibliografi i saj, Don Lush Gjergji, drejtoi sytë nga qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj, por e kam të vështirë të pranoj dhe ta kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyme nuk dëshiron asgjë tjetër, veç të shohë dhe një herë”. Edhe pse shumë letra iu drejtuan Hoxhës nga personalitete të mëdha, si ish-gruaja e parë e SHBA, Zhaklin Kenedi, Presidenti De Gol etj., përsëri ajo nuk mund të shihte loken e saj dhe një ditë të keqe do t’i drejtohej motrës së saj: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm të lutem për ju”. Në 4 korrik të vitit 1972, vëllai i saj, Lazeri, do t’i çonte Nënë Terezës lajmin e kobshëm se nëna e tyre vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte birin në Itali dhe bijën misionare në Indi. Dhe motra e saj, Agia, do të vdiste një vit pas nënës së saj.

Në vitin 1989, pasi i kishte dërguar tri letra Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, iu drejtua Presidentit të Republikës së Shqipërisë të asaj kohe, duke i thënë: “Për 60 vjet kam vizituar shumë vende, jashtë atdheut tim, por vendin tim, Shqipërinë, ende s’e kam vizituar, ende s’e kam parë: U desh të vinte viti 1989, kur Europa po përjetonte dhe po i afrohej Gllasnosti dhe Peristrojka dhe valët e fuqishme të demokracisë kishin përfshirë edhe Rumaninë, të kujtohej qeveria shqiptare, t’i jepte një pasaportë diplomatike, gruas që tashmë ishte bërë me famë botërore, nobelistes së Paqes, me origjinë shqiptare.

nene tereza3

SAKRILEGJ I PROVONISË HYJNORE. 10 shtator, duke udhëtuar me tren, për Darjeelind, drejt Himalajeve, Nënë Tereza do të dëgjojë si vegim zërin hyjnor. Ishte kjo thirrja në thirrje – thirrje e dytë ndaj saj, që të linte kuvendin e Loretës, t’i përkushtohej plotësisht tërë jetën e saj të varfërve. Ishte thirrje në thirrje, ishte vullneti i Tij, i Zotit, që duhej doemos të shkonte pas Tij. Nuk kisha, kurrfarë dyshimi, se kjo do të ishte vepra e Tij. Nënë Tereza do të jetojë në mesin e të mjerëve, me një qëllim të vetëm: të dëshmoj, dashurinë e Zotit, pikërisht atyre që ka shkelur jeta, varfëria, sëmundja, gërbula… “Dua të bëhem shenjtëreshë, për të shuar etjen e Jezusit, do të shkruante ajo, në prill të vitit 1952, Imzot Perierit, për dashuri ndaj shpirtrave. Hyu më thërret në një jetë të tillë, nuk e di përse, por dua tërësisht t’i përkas Atij, me çdo çmim, ta kryej vullnetin e Tij. Dua rreth vetes të mbledh shpirtra të tjerë, që të bënin të njëjtën gjë për t’i shërbyer të varfërve ndër më të varfër, më të braktisur, më të përbuzur.

Miliona të tjerë jetojnë nëpër qytetet dhe fshatrat e Indisë, duke mos e njohur Zotin dhe Jezusin, në mëkate të tmerrshme. Do t’i afrojmë Krishtit dhe Krishtin atyre”. 26 shtator 1928, Nënë Tereza veshi sarin e bardhë, të qarkuar me shirita të kaltër dhe filloi jetën e re të Misionares së Dashurisë. “O Jezu, dashuria e vetme e zemrës sime, dua të vuaj atë që vuaj dhe çdo gjë që Ti do të lejosh të vuaj nga dashuria e pastër ndaj teje. Ty, për të lëvduar Ty, për të bekuar Ty, si në gëzim, ashtu dhe në pikëllim”. Gabriela Zadrima, që u ishte bashkuar motrave të Loretos, me ëndje dhe dashuri, do t’i shkruante Nënë Terezës:

“Qofsh bekuar ti, që Zoti të zgjodhi për këtë flijim të madh, sepse prej Tij gjithmon, ke pranuar Kryqin, mu për këtë Zoti të ka caktuar këtë rrugë të rëndë; Ai e di se ti mund ta mbartësh Kryqin e Tij”. Nënë Tereza, duke qenë sakrilegj i provonisë hyjnore, do t’i drejtohej Zotit: “Me zgjedhjen time të lirë, nga dashuria për Ty, dua të mbes dhe ta bëj vullnetin Tënd të shenjtë për Ty”.

NËNË TEREZA PORTRETIZOI SHEKULLIN

Presidenti Nishani, duke marrë pjesë në Shenjtërimin e Nënë Terezës, në Vatikan do ta portretizonte shekullin me figurën emblematike të Nënë Terezës: “Nga tradita e kësaj kishe, e këtij vendi, doli modeli madhështor i besimit, sakrificës, mirësisë, dashurisë e humanizmit, që modifikoi fytyrën e një shekulli, të mbarsur me luftëra të nxehta e të ftohta.

Ajo është bija e madhe e këtij kombi të vogël, e Lumja Nënë Terezë. Ne jemi populli i Nënë e Terezës”. Vetëm dashuria mes njerëzve do ta bëjë botën më të mirë, njerëzimin më të mbarë. Nuk është e rëndësishme ç’bëjmë,-thoshte Nënë Tereza,- por sa dashuri kushtojmë. Mundohuni, mos ua vritni njerëzve sadopak buzëqeshjen. Varfëria nuk është krijuar nga Zoti. Ne e kemi prodhuar atë vetë. Ju dhe unë, me egoizmin tonë. Sikur të kishte të varfër në Hënë, ne duhet të shkonim edhe atje. Varfërinë mund ta gjeni kudo në botë, në Kalkutë etj., por duhen vetëm sy për ta parë,thoshte Nënë Tereza. Kudo në botë, gjenden njerëz, që nuk i do kush, që nuk i ndihmon kush, që janë braktisur dhe harruar nga shumëkush. Kjo, thoshte Nënë Tereza, është varfëria më e madhe, më e tmerrshme. Jam e bindur që tortura më e madhe është braktisja. Vetëm në parajsë do të kuptojmë se sa borxh u kemi ne të varfërve, të përvuajturve, skamnorëve, sepse ata na kanë ndihmuar të duam Zotin më shumë dhe duke dashur Zotin më shumë, do të bindemi se vdekja është kthim në shtëpinë e Zotit.

NËNË TEREZA VUAJTI SIÇ VUAJTI SHËN MARIA PARA KRYQIT… Nënë Tereza u mundua dhe sfidoi jetën e saj dhe ashtu si etja e Krishtit në Kryq, të mbushi etjen e Hyut me etjen e dashurisë për njerëzit. Nënë Tereza vuajti siç vuajti Shën Maria para Kryqit, kur Jezusi vuante, vuajti për ata që vuanin duke thirrur Jezusin: Eja, eja, na shpëto! Kur dhimbjet dhe nata bëhet tepër e errët dhe unë martirizohem për ata që nuk kanë shpresë, më duket se do sh koj në ferr dhe do t’i ofroj veten time Jezusit. Tash, nga vetja gëzohem që hareshëm e kam mbajt Kryqin tim me Jezusin. Kishte shumë vuajtje, kishte çaste që kryqëzimi i kryqit për mua ishte falënderim i Zotit. Vuajtja është e madhe, por më e madhe është dashuria… vuajtja, vetvetiu nuk është asgjë, por si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit, është një dhuratë. Njerëzit që vuajnë, janë për ne Jezu Krishti, janë dashuri. Sot, bota është kalvar i hapur dhe ne s’mund të shkojmë te Jezu Krishti pa përqafuar kryqin e tij. Mundimi për ne, është shenja se dhe ne i kemi afruar Jezusit në kryq. Kjo është pavdekësia që nuk mbaron të premten e madhe, por me ringjalljen e tij. Dhe ne, në sajë të dashurisë, do të ringjallim botën dhe do ta shpëtojmë atë.

SHQIPTARJA NËNË TEREZË, SIMBOL SOT I BOTËS

Papa Francesku, kur erdhi në Shqipëri në kremtimin ekuaristik të sheshit “Nënë Tereza”, tha: “Ky shesh, mban emrin e bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës”. Bill Klinton: “Nënë Tereza ishte e par, që më bëri ta dua kombin shqiptar”. “Nënë Tereza, ikonë e mbarë planetit”, Ismail Kadare. Nelson Mandela: “Humbje për paqen botërore”. Më pak së dy vjet, pas vdekjes së Nënë Terezës, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të saj, Papa Gjon Pali II, lejoi të hapej çështja e Kanonizimit. 20 dhjetor 2002, miratoi dekretin mbi virtytet dhe mrekullitë e saj. Në vitin 2003, u bënë ritualet e beatifikimit, si fazë e dytë e që i paraprinë shenjtërimit. 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II, shpalli të Lume misionaren e madhe shqiptare, Gonxhe Anjeza Bojaxhiu, e njohur në botë si Nënë Tereza.

NËNË TEREZA HAPI KRYEGJYSHATËN BOTËRORE

Martirizimi i saj bënte që ajo të ndjente dhimbje dhe vuajtje jo vetëm për të varfrit, por edhe për vëllezërit e saj bektashianë, që u kishte belbëzuar liria e besimit, por nuk kishin faltoren e tyre. Nënë Tereza do të luftonte në atë kohë me pushtetin komunist, do t’i drejtohej personalisht Ramiz Alisë dhe do t’i kërkonte atij që Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës t’u lirohej dhe dorëzohej vëllezërve të saj bektashianë. 22 marsi 1991 është një ditë ku spikat dashuria e veçantë e Nënë Terezës për të gjithë besimet si bijtë e Adamit dhe Evës. Duke përshëndetur në këtë ditë të shenjtë të hapjes së selisë, Nënë Tereza, do ta quante Kryegjyshin Botëror, Dede Reshat Bardhin, të përvuajtur, apostul të vërtetë të besimit, Dishepull të dashurisë dhe provonisë hyjnore të Zotit.

UNË JAM SHQIPTARE… Në 10 dhjetor 1979, kur shqiptarja jonë Nënë Terezë merrte çmimin “Nobel për Paqen”, do t’i përgjigjej sallës dhe gjithë botës, kur u pyet për të përcaktuar vetveten dhe identitetin e saj, se cila ishte ajo?: “Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane, përmes thirrjesh i përkas, gjithë botës”. Në sallën e OKB-së, pas fjalimit përshëndetës, do të përgjigjej: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Ne nuk jemi vetëm një popull i vogël, pa emër dhe i padëgjuar sepse i kemi dhuruar të gjithë botës, një NËNË kaq të Madhe, simbolin e dashurisë, ndaj egërsisë njerëzore, barbarisë së shekullit. I kemi dhuruar botës një vizion të ri për jetën, shoqërinë njerëzore, galidhenë e madhe të kombeve, kemi ndërtuar për gjithë botën, qytetërimin e dashurisë njerëzore, lirisë, paqes, humanizmit dhe prosperitetit kudo, për të gjithë, në botë sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura