Nënë Tereza e Shenjtë, lutu për ne…!

SHPËRNDAJE

FRANO KULLI/ Frano KulliSi dje dy vjet më parë, të di elën, më 4 shtator 2016, E lumja nënë Tereza, e shpallur shenjtënesha më e re e Kishës Katolike dhe e njerëzimit mbarë, u shfaq në sheshin “San Pietro” në Romë, në dimensionin e Shenjtes së Dashurisë dhe Mëshirës.

Ajo erdhi në këtë ditë të lume si “dërgatë” e kongregatës (Urdhrit) së Misionarëve të Bamirësisë. Një urdhër i krijuar prej saj dhe i miratuar prej Ipeshkvit të Kalkutës. Më pas, Urdhri miratohet edhe nga”Propagada Fide” në Romë dhe kështu ajo fiton “legalitetin” për të ndërtuar e perfeksionuar mbretërinë e saj të përshpirtshme të dashurisë dhe mëshirës në tokë. Në fillim e përgjithmonë në Kalkuta të Indisë.

Por, edhe anembanë botës, me prezencën e saj. Në 123 shtete, rreth 750 shtëpi bamirësie, në të cilat gëlojnë më se 4000 motrat me uniformën bardhekaltër të kongregatës së bamirësisë. Pa shënuar këtu edhe shtëpitë e shërbesat e vëllezërve kontemplativë (soditës, kundrues).

Më pas, së bashku me Atë Sebastian Vazhakala ka themeluar edhe “Misionarët Laikë të Dashurisë”, një lloj urdhri i Tretë i Misionarëve të Dashurisë. Bashkëpunimi ynë me të na ka sjellë edhe në shqip, pas botimit në shumë gjuhë të botës, kroniken e e përndritshme pranë Nënës së Lume… (Atë Sebastian Vazhakala M.C “Jetë me Nënë TerezënMiqësia ime tridhjetëvjeçare me nënën e të varfërve”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2008) Atë Sebastiani, njëri nga 6 vetët që mbante arkëmortin me kurmin e Nënë Terezës, në ditën kur nisi pavdekësia e saj, më 4 shtator 1997, është njëherësh edhe mbartës i shumë kujtimeve të rëndësishme, përshkruar në kronikën e kësaj miqësie hyjnore në 30 vite jete pranë Nënë Terezës. (shkruan Visar Zhiti në parathënien e librit).

Më pas… Më pas, kështu deri në çastin që shkëputet prej botës së tokës drejt botës hyjnore të qiellit, pa u ndalur asnjëherë, në shërbesën e mëshirës për nevojtarët e gjithsojshëm e të gjithkundgjindshëm (kudondodhur). Ajo i apelon njerëzimit, sot e përgjithmonë, nevojën e përjetshme për më shumë dashuri ndërnjerëzore, për më shumë vëmendje prej të pasurve për më të varfrit e të varfërve, për më shumë drejtësi prej atyre që kanë në dorë pushtet, për më shumë afri e mbështetje prej të fuqishmëve për të pafuqishmit, për më shumë buzëqeshje, si ilaç për dhimbjet.

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe – do ta përsëriste shpesh si devizën e misionit të saj, Nënë Tereza-… Se gjërat e mëdha i bën tjetërkush… Kur Nënë Tereza kishte fituar Çmimin Nobel të Paqes, në vitin 1979, e takon mbreti i Suedisë e i thotë:

– Unë, nuk po vij në ceremoni. Nuk dua që të jem në qendër të vëmendjes!

– Madhëri! Mos nguroni të vini- i thotë Nënë Tereza – në qendër të vëmendjes nuk do të jeni, as Ju e as unë. Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti!

Shenjtërimi i saj vjen pas lutjeve të pandërprera kurrë, asnjëherë, për asnjë çast të vetëm. Vjen gjithashtu pas veprave të përditshme e të përorëshme, duke ua kushtuar gjithçka të përshpirtshme të saj, të varfërve, të uriturve deri në pragvdekje, të pamundurve e të papërkrahurve.

Sipas ritualit kanonik, shenjtërimi i saj vjen pas shpalljes E lume trembëdhjetë vjet më parë, si mrekullibërëse, si shëruesja e një gruaje indiane të sëmurë me sëmundje të pashërueshme. Me vargun e paprerë të lutjeve, me shpirtin dhe me duart e sajë të imta.

Aty, në sheshin “San Pietro”, asohere ishim edhe ne bashkëkombës të saj, shqiptarë të ngadoardhur. Dhe u ndjemë ngrohtë, shumë ngrohtë nën mbulojën e shenjtërisë së saj. Si edhe të tjerët, natyrisht. Patetika nuk vlen, heshtja më shumë. Dhe lutjet e saj për ne. Shenjtja jonë Terezë, lutu për ne mëkatarët, lutu për dashurinë e acaruar mes nesh, lutu dhe kërko mëshirë për të shtypurit nën pabarazinë.

Si në qiell, ashtu në tokë… Amen!

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakEMRI+FOTO/ Kush është i riu që u ekzekutua, konflikti për plagosjen e 5 viteve më parë
Artikulli tjetër10-vjetori i binjakëzimit Tiranë-Pekin, Veliaj: Ja fushat ku do bashkëpunojmë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.