Nënë Tereza e Rinasit, në rrethrrotullimin e Qafë Thanës

Apr 15, 2016 | 14:47
SHPËRNDAJE

Nënë Tereza e Rinasit vendoset në Qafë Thanë. E kthyer në një objekt debati, për mënyrën se si u trajtua pas heqjes nga Aeroporti i Rinasit, më në fund statuja e shenjtores shqiptare, vepër e skulptorit Luan Mulliqi, ka gjetur një vendndodhje të re.

E destinuar për t’u vendosur nëpër rrethrrotullime, si drejtuese trafiku, nga rrethrrotullimi i Rinasit, është vendosur në atë të Qafë Thanës. Dje, në orën 11:00, u organizua ceremonia e rivendosjes së statujës së Nënë Terezës, vepër e skulptorit Luan Mulliqi.

nen-tereza statuje

Në ceremoni morrën pjesë zv./ministri i Kulturës, Zef Çuni, kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit, Miranda Rira, autori i veprës dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Sipas Ministrisë së Kulturës, “Statuja e Nënë Terezës iu nënshtrua restaurimit nga QRVA, ku përfshihen të gjitha proceset teknologjike të pastrimit dhe restaurimit të veprës”.

Statuja, e cila i ngjan një shigjete që shkon drejt qiellit, por që për shkak të një përplasjeje automjeti ishte anuar, u hoq nga vendi ku qëndroi për disa vite, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në 21 shtator të vitit 2014.

Ajo u vendos në oborrin e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, ku më shumë dukej si e braktisur sesa nën restaurim. Fotografi të statujës, në kushte jo fort të përshtatshme, bënë xhiron e rrjeteve sociale.

Do të duhej një shpjegim nga ana e drejtuesve të QRVA-së dhe vetë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, për proceset nëpër të cilat do të kalonte vepra. Pas një heshtjeje disamujore, më në fund Nënë Tereza u vendos në Qafë Thanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura