“Nëna vetëm qante, ishte e re dhe ata të komandës i bënin shantazhe. Kur u rrita ajo më tregoi se…”/ Rrëfimi tragjik i të mbijetuarës nga Kampi Tepelenës

Aug 1, 2022 | 7:31
SHPËRNDAJE

kampi i telepenesNga Marçel Hila

                             -Vizitë në vendet e vuajtjes, të vdekjes dhe të zhdukjes…! –

Ishte data 23 gusht, e vitit 2019. U nisëm nga Tirana për në Tepelenë. Mbërritëm pas rreth tre orësh e gjysmë. Sepse, besoj se dihet nga të gjithë, kjo ditë është përkujtimorja e viktimave të totalitarizmave, botërisht e tillë: të nazizmit, të fashizmit e të komunizmit. Autoriteti për Informim për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, aty ku unë punoj, kishte planifikuar vizitë përkujtimore në ish-kampin e Tepelenës, vend internimesh në periudhën 1949-1953.

Autobusi që sillte personelin e punës mbërriti. Disa kishin ardhur me makina e tyre. Hymë në oborrin e madh, në fushimin e ish-kampit, dikur repart ushtarak, i ndërtuar nga italianët, në kohën e luftës italo-greke 1940-1941 dhe i tillë mbeti, deri në largimin e tyre.

Kur erdhi komunizmi tek ne, mbeti repart, siç kishte qenë….!

U ngritën kampe internimi në vitet e fillimit, e kam fjalën për fundin e vitit 1944 e fillim e vitit 1945 e në vazhdim, si në Kuç të Vlorës, në Porto Palermo te kalaja e Ali Pashait, në Urën Vajgurore, në Berat, në Valias të Tiranës, në Krujë. Por nevojiteshin shumë të tjerë, për dyndjet e mëdha me të internuar, që shtoheshin çdo ditë. Ndodhi pastaj prishja me Jugosllavinë. Jemi në vitin 1948, muajt korrik-gusht. Tani kufiri qe i hapur e pa mundësi ruajtjeje nga Ministria e Brendshme. Kjo bëri që shumë të arratiseshin.

Kryesisht ata që kishin dalë maleve si pjesëtarë të “bandave” e që tani u jepej mundësia të largoheshin nga kufijtë pa klon e pa tela, të mbrojtur keq e të shpartalluar kudo, e që jugosllavët po i pranonin të sapoardhurit e nuk po i kthenin pas, edhe për inat të komunistëve shqiptarë, që tradhtuan, sepse, për të ruajtur pushtetin e tij, Enver Hoxha u lidh me sovjetikët e i ktheu shpinën në çast Titos. Ikjet qenë një hemorragji e vërtetë. Deri gjysma e banorëve të fshatrave arratisej: në Kukës, në Tropojë, në Dibër, në Theth e në Vermosh. Atëherë, regjimi komunist, i pafuqishëm që të ndalonte këtë rrjedhje, vendosi internimin në jug, kryesisht të veriorëve, që largoheshin.

Kështu që në rrethanat e krijuara, hodhi sytë të gjente vende ku të rraste të degdisurit dhe bëri vend internimi të familjarëve – pra të grave, fëmijëve e prindërve pleq të tyre – kampin e shkatërruar e që nuk kishte asnjë kusht: atë të Turanit, në afërsi të Tepelenës. Por, meqë filluan vdekjet në masë, kryesisht të fëmijëve e të pleqve, kampi u transferua në Tepelenë, aty ku po thoshim, afër qytetit, ku kishte qenë reparti ushtarak italian. Prurjet njerëzore vazhduan gjatë viteve 1949-1953. Sipas statistikave, banorë të atij ferri, për këtë periudhë katër vjeçare, qenë rreth 5.000 mjeranë hallexhinj, përfshirë këtu viktimat që vdiqën e të tjerë të dhunuar.

Kufiri me Jugosllavinë qe mbyllur disi tashmë, por njerëzit iknin në Greqi, me ç’të mundnin e si të mundnin, sepse grekët nuk i kthenin. Dhe atje çonin lajme të kobshme: sesi konsideroheshin armiq të popullit fëmijët e vegjël, sesi vdisnin pa ushqime e pa ilaçe, sesi vdisnin pleqtë; si nënat shihnin fëmijët e tyre duke i vdekur në duar, e të pafuqishme t’i ndihmonin, të dorëzuara, vuanin tmerrësisht e sesi disa ishin çmendur kur i kishin vdekur dy fëmijë brenda nate e, sesi dikush kishte tentuar edhe vetëvrasjen.

Ishte koha kur Shqipëria bënte përpjekje të pranohej në Kombet e Bashkuara, por Greqia, tani që dinte nga këto fshehtësi të vendit të saj kufitar, vendosi ta pengonte anëtarësimin, deri sa t’i jepte fund trajtimit mizor të të pafajshmëve, e në këtë rast, përmendi të dhënat e freskëta që kishte siguruar: “Në Tepelenë“, – tha, – “po vdesin të pafajshmit. Ky kamp është një Aushvic shqiptar. Pa e mbyllur këtë kamp përqendrimi harrojeni se do të votojmë për pranimin“.

E regjimi, nga nevoja për njohje ndërkombëtare, që të mos i përmendej më kjo njollë skandali e t’i konsiderohej si kusht bllokues, në këtë vit, 1953, vendoi mbylljen e tij.

Sot ndërtesa – jo ndërtesa, por disa kazerma ku dikur fjetën ushtarët italianë e pastaj të internuarit e shkretë, diku tek shtatë a tetë gjithsejtë, të gjatë, shumë të gjatë, gati tetëdhjetë metra secili, e të gjerë diku të pesëmbëdhjetë metrat, janë pa çati, gërmadha, në qiell të hapur.

Në mes të oborrit janë mbjellë 300 qiparisa, në përkujtim të treqind fëmijëve të vdekur aty e të gjithë pa varr. I nxehtit i madh i kësaj vere, që qe krejtësisht pa shira, i kishte tharë disa prej tyre, pa u rritur mirë. Askush nuk qe kujdesur që t’i ujiste. Një ngjyrë e verdhemë i rrethonte, që ishte bari i djegur nga dielli i fortë e zhuritës. Ndërsa selvitë anemike, të dobëta e në tentativë në harlisje, ishin katandisur keq nga mos ujitja.

Shihet se ai vend përkujtimoreje i viktimave nuk ka kujdes. Kur erdhëm ne, një dikush, i kujtuar në çastin e fundit, mori një zorrë të gjatë uji, e vuri diku tek një çezmë, larg, e filloi ujitjen e pemishtes. (Sa për kujtesë, varrezat kanë qiparisa e selvi që përdoreshin si pemë vdekjesh, sepse nuk bëjnë lule në pranverë, nuk harlisen, nuk bëjnë fruta që të kujtojnë jetën, nuk hedhin rrënjë që të deformojnë varrezat e të nxjerrin eshtrat jashtë. Kështu janë përdorur që gjithmonë si elementë të një liturgjie vdekjeje. Përvojë e vjetër e njerëzimit).

Tek hyrja, ku ishte dikur komanda, ku rrinin rojat e policët, sot është një mish-mash gërmadhash, të rëna brenda. Tamam tek dera e hyrjes, aty ku nxirreshin gratë e reja për të bërë dru në mal për komandën, për shtëpitë e oficerëve e të policëve, për Komitetin e Partisë, për Komitetin Ekzekutiv, për Degën e Punëve të Brendshme, për institucionet e ndryshme, aty qe hapur një gropë e përbashkët, e thënë kolektive, dhe varroseshin të vdekurit e një dite më parë.

Aty futej i shkreti. Nëse vdiste dikush tjetër, ndiqej po kjo praktikë. Dhe gropa zmadhohej çdo dite. Ata gra e nëna që shkonin në punë, u duhej të kalonin para atij vendi, ku dje kishin varrosur fëmijët. Çfarë tmerri! Nuk ka fjalë që i përshkruan. Më duhet të saktësoj se, meqë në Turan, kampi fillestar, siç u tha, mungonin krejtësisht kushtet, kishin vdekur shumë fëmijë, çdo ditë. Një natë vdiqën 33. Britmat dhe klithmat e nënave nuk pushuan gjithë ditën. E kështu, u mendua që kampi të transferohej te reparti, për të cilin po flasim.

E meqë njerëzit po tmerroheshin nga varreza që mbushej çdo ditë me të afërmit e tyre, e që gjendej tamam tek dera e hyrje-daljes, e që duke dalë, gratë e nënat për punë çdo mëngjes, qëllonte që të hapej gropa për të futur aty të vdekurin e radhës – gropë që rritej çdo ditë – ndodhte që lopata, ndërsa gërmonte, haste në mishin e atij që qe varrosur dje e duke nxjerrë dhe, nxirrte jashtë edhe pjesë mishi të të vdekurve, ato të shkretat alivanoseshin nga tmerri, se qëllonte që ai mish i shkretë të ishte i fëmijës së saj.

U mendua pra që të groposeshin bri bregut të lumit Bënçë, që kalonte afër telave me gjemba rrethues të kampit. Kështu që qe diçka më mirë, sepse e merrnin familjarët të vdekurin e tyre, nën shoqërinë e policëve dhe ku t’i urdhëronin autoritetet e kampit, afër vijës së ujit, e groposnin. Vinin ujërat e vjeshtës e të dimrit e i nxirrnin eshtrat e mjeranëve jashtë e i merrnin me vete.

Shkurt, me tri varreza në katër vite, por pa varre. Një varrezë e madhe në Turan, që e zbrazën dhe të vdekurit i sollën te dera e hyrjes së kampit të Tepelenës, kjo gropa te dera qe e dyta; dhe në fund varret në gropën e madhe kolektive bri lumit të Bënçës. Këtu qe gropa e tretë. Këtu u sollën eshtrat e gropës së derës së oborrit e u rrokullisën brenda. Gropë anonime, kolektive, e përbashkët. Disa të internuar të caktuar me varrimet bënin këtë punë.

Duhet thënë se përzgjedhja për t’i sjellë sa më larg kishte një qëllim tjetër: pleqve, pra baballarëve e nënave të të arratisurve, grave të tyre dhe fëmijëve, motrave e vëllezërve më të vegjël, duhej t’u jepej edhe një mundim tjetër: askush nga të afërmit që kishin mbetur atje të mos mund të vinte t’i shihte. Veriorët ishin internuar të gjithë në Jug. Arratisja prej kampit as që mendohej, sepse kishte tela me gjemba e roje të armatosura.

Një racion bukë misri me krimba e një tas supë, që supë nuk mund të quhej, ishte ushqimi i tyre. Vdekje çdo ditë. Sipas dëshmive, përveç 300 fëmijëve të vdekur, janë shumë pleqtë e të moshuarit që mbetën aty. Prandaj, ky është një kamp si ai i përqendrimit, sepse të pafajshmit qenë dënuar me izolim, pa ushqim, pa ilaçe, pa kujdes shëndetësor, pa bukë, pa kujdes. Viktimat e vërteta qenë fëmijët.

Duhet ta dini se, edhe kur u dha urdhri që kampi të lirohej e të internuarit e mbetur fituan lirinë e shkuan në shtëpitë e tyre, nuk i’u lejua atyre që të merrnin me vete eshtrat të afërmeve të vdekur, të varrosur e të rivarrosur. Askujt nuk iu dha leja që të hapte gropën e madhe e të kontrollonte. I nisën, ashtu si i kishin sjellë. Ende sot, shumë burra në moshë, kërkojnë eshtrat e nënave të tyre, të vëllezërve, motrave dhe të gjyshërve. Por nuk gjenden.

Dy vite më parë, ndërsa gjendesha në kamp, – kisha shkuar për vizitë, sepse kam pasur familjarët e mi në këtë ferr në vitet 1949-1953, e po ecja drejt kazermës së parë, se më thoshte nëna se aty kishin qëndruar – m’u afrua një burrë rreth të pesëdhjetave. Ndërsa filluam të flisnim, ndër të tjera më tha se: “Një shok i imi, kur deshi të hapte themelet për ndërtimin e shtëpisë së re që donte të bënte, diku atje”, – e më tregoi me dorë në drejtim të bregut të lumit, – “hasi në eshtra të vdekurish. I ndërpreu punimet!”.

– Për frikë të shenjtë?

– Ka shumë mundësi!

– Për respekt ndaj të vdekurve?

– Mundet, patjetër për këtë!

– Apo se duheshin lajmëruar familjarët e të gjorëve që t’i viheshin punës dhe procedurave për gërmimin e tokës dhe nxjerrjes së mbetjeve?

– Ndoshta! Por punimet i ndërpreu.

Kishin ardhur, pra, njerëz. Kryesisht, familjarët e atyre që patën prindërit këtu. Ndonjë që qe vetë i internuar, por që ishte i vogël atëherë, fëmijë. Ka edhe ca gra me veshje mirditore, që dallohen menjëherë në masën e veshur modern sot. Të pranishëm janë edhe përfaqësues të pushtetit lokal, të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, deri edhe një klerik bektashi, dervish, me rrobën e tij të bardhë e të gjelbër, me pala të shumta, me një çallmë tipike dervishësh, që nuk di t’ia gjej llojin e përkatësinë.

Pastaj, filluan ceremonitë. Së pari, bëhen fotografi tek një pllakë përkujtimore, ku thotë se këtu, në këtë vend, në periudhën në fjalë, u mbajtën të internuar rreth 5000 veta … e 300 fëmijë vdiqën. Bëhen foto. Pastaj, folën, kujtuan, u përmendën të zhdukurit, ata që nuk kanë varre. Këtu del plaga e madhe, këtu vuajtja bëhet e e theksuar. Dikujt i shkojnë lot, dikush fillon e qan mbyturazi. Kur aty, në atë lëmsh të edukuar njerëzish, shfaqet një grua që ka ardhur nga një fshat i Vlorës, nga Dukati … dhe pasi lidhim bisedë më të, zbrazet shpejt e nis e na tregon, neve, që jemi të Autoritetit, por që kemi ndër detyrat tona edhe të marrim intervista njerëzve që kanë vuajtje për të treguar, halle për të thënë.

– … Babai im ka qenë me Ballin Kombëtar. Sapo erdhën komunistët, kërkuan ta vrasin. Ishte viti 1945. Ai rrinte i fshehur. Pastaj, iku, me hall të madh në zemër. Kishte qenë i martuar njëherë dhe nga martesa e parë kishte pasur tre fëmijë. Gruaja e parë i vdiq. U martua përsëri. Nga martesa e dytë, me nënën time, pati tre fëmijë të tjerë. Gjashtë. I duhej të largohej, sepse vdekjen e kishte të sigurt. Nuk kishte shpëtim. Iku në Greqi, babai quhej Veledin. Me vuajtje në shpirt u largua

… Kur komunistët u siguruan se babai qe arratisur, internuan nënën, por nuk i dhanë fëmijët e saj me vete, por të gruas tjetër. Nëna desh vdiq kur mori vesh se nuk do të merrte edhe të sajtë me vete. Vetëm mua më ngarkuan bashkë me të. E ngarkuan në makinë të shkretën me tre fëmijët e gruas së vdekur dhe me mua. Të sajtë mbetën në kasollen ku jetonim, në fshatin në Dukat. Atje ata rrezikonin vdekjen nga uria. Ishin të vegjël, diku te tre vjeç dhe pesë vjeç. Nuk ishte askush që të kujdesej. Askush. Mund të vdisnin nga çasti në çast. Kush t’u jepte të hanin? Të visheshin?!

– Po ç’ndodhi me ta?

– I mori dikush nga fshati që t’i shpëtonte nga vdekja e sigurt, nga uria.

– Paska bërë mirësi të madhe.

– Nëna vetëm qante.

– Ju sollën në Tepelenë këtu?

– Jo, në fillim na çuan në Berat, pastaj në Kuçovë e në vazhdim në Urën Vajgurore, na degdisën në Kuç të Vlorës e, kur u bë ky kamp, na sollën në vitin 1949 këtu. Nëna nuk i pa fëmijët e saj asnjëherë më. Unë kisha qenë shumë e vogël kur shëtisja me fëmijët e gruas tjetër e me nënën. Kaluan vite kështu, nga ’45-sa në ‘49 e ‘50 e ‘51 e ‘52, u rrita e u bëra shtatë – tetë vjeçe. Mbaj mend vetëm që nëna qante, qante, kërkonte fëmijët e saj e nuk dinte sesi i kishin përfunduar djemtë.

Mua më vinte vdekje se pse nëna qante e nuk pushonte kurrë. Dilte në punë në mal, të bënte dru për Degën e Punëve të Brendshme të Tepelenës, për Komitetin Ekzekutiv, Komitetin e Partisë, ehhhuhha, dimër e verë mundohej e sakatohej, vinte e vdekur nga puna. Na gjente ne, të tulatur, të mbledhur kruspull, në pritje të saj. Nuk kishim asgjë, asgjë, as rroba, as ilaçe, as ushqime, asnjë gjë…!

– Po me çfarë jetonit?

– Me një copë bukë e një tas lëng … ku di unë si jemi gjallë…!

– Po vëllezërit e tu nga nëna, u gjetën?

– Jooo, nuk dinim asgjë dhe askush nga fshati nuk e dinte se kishim përfunduar në Tepelenë dhe askush nga ne nuk e dinte se kush i kishte marrë vëllezërit, a kishin shkuar në Jetimore, a i kishte marrë kush, apo kishin vdekur. A i kishin shpënë në shtëpinë e gjyshit nga nëna, që nuk ishte nga fshati ynë, por nga diku shumë larg e që nuk mbërrihej lehtë. Nëna vetëm qante. Nuk e pashë një herë të qeshte.

– Çfarë tmerri!

– E sa provokime i bënin ata të komandës, sa kërcënime e shantazhe gruas së re, por nëna nuk u dorëzua asnjëherë…!

– E shkreta grua!

– Presione, provokime. Më ka treguar pastaj, më vonë, kur u rrita, se atëherë isha e vogël dhe nuk kuptoja. Vëllezërit e mi, fëmijët e nënës sime, sikur i përpiu dheu, nuk morëm vesh asgjë, asnjëherë!

– Po babai, a u bë i gjallë?

– I shkreti baba, – dhe gruaja në moshë nis e loton – njëherë, me kurajë ekstreme, ia kishte dalë të bindte dikë në Greqi që të merrte një nëndetëse e, të vinte deri pranë brigjeve të Dukatit, të zbriste e të shkonte deri tek kasollja e jonë. Nuk gjeti askënd. I tmerruar kishte shkuar tek një shok i tij, ish-ballist edhe ai. Këtë e kishin arrestuar dhe pushkatuar, por e shoqja i tha se ne na kishin marrë dhe internuar, ndërsa fëmijët e tij dhe të gruas së dytë, i kishte marrë dikush e nuk dihej se ku gjendeshin, sepse edhe kjo familje ishte larguar nga fshati.

Shkurt, një mish-mash kolosal. Babai, pastaj, kur mori vesh se kush qe ende pa u arrestuar nga ish-shokët tij, shkoi e i takoi një e nga një e i mori me vete. Të gjithë hipën në nëndetëse e si përfundim mbërriti në Greqi e më vonë në Amerikë, ndërsa ne vuanim në Tepelenë. Babai i shkretë, me pikëllim të madh në zemër, mori rrugën për në Greqi. Pastaj, iku edhe ai në Amerikë. Nuk ia vlente të vinte më këndej, se nuk dinte as ai e aq më pak fshatarët e tij, se ku kishim përfunduar ne të gjithë.

– Po kur u mbyll kampi, në vitin 1953, a kthyet në fshat?

– Jo, jo, as që bëhet fjalë!

– Po ku ju çuan?

– Në Savër të Lushnjës, në internim, atje. Meqë babai kishte qenë ballist, tani i arratisur, nuk na e dhanë të drejtën që të kthenim në shtëpinë tonë, që ndoshta do ta kishin shembur,

– Po deri kur qëndruat atje, në Lushnjë, në Savër?

– Deri në vitin 1991.

– Deri kur?

– Gjithë jetën! Atje u fejuam, u martuan, atje vdiq nëna, atje u bëmë me fëmijë dhe vetëm me demokraci fituam lirinë.

– Amannnn

– Po … dyzet e gjashtë vite plot.

– Po fëmijët e nënës’? Vëllezërit e tu?

– Ata erdhën një ditë vetë, në Savër, në Lushnjë…!

– Si erdhën?

– Po kishin kërkuar e kërkuar e në fund kishin shkuar të pyesnin në Degën e Punëve të Brendshme

– Ashtu?

– Po! Ata i kanë treguar se ne ishim në Savër … dhe vëllezërit i kanë kërkuar atyre që vullnetarisht të vinin edhe ata tek ne, pra të internoheshin vullnetarisht.

– Kur kjo? Në ç’vit?

– Në vitin 1956, tani ishin disi të mëdhenj, por përsëri të rinj ishin, adoleshentë,

– Ku kishin qëndruar?

– Një bamirës i kishte shkuar në shtëpi po atë ditë që na kanë internuar ne dhe i ka marrë. Ato po dridheshin nga frika. Ky, pastaj, i ka çuar në shtëpi të vet, tek e shoqja. Kjo nuk e ka bërë fjalën dysh e i ka pranuar. Ky burri kishte vdekur e pastaj, edhe e shoqja. Vëllezërit nuk kanë dashur të rrinin me fëmijët e tyre, më të mëdhenj se këta, dhe kanë kërkuar nënën dhe ne në degën e punëve të brendshme. Kanë pasur arsye të na kërkonin. Nëna bëri dymbëdhjetë vite pa i parë, pa marrë vesh asgjë për ta. Ishte tharë nga malli, vdekur fare. Memorie.al

© Panorama.al

Te lidhura