Nëna e komisarit Lamaj: Zbardhni vrasjen e djalit në detyrë, unë s’vras njeri, kam besim te shteti

May 6, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

Ka heshtur pasi Gjykata e Krimeve të Rënda liroi të akuzuarin për vrasjen e djalit të saj.

Arben Frroku / Kryekomisari i vrare Dritan Lamaj

Nuk ka preferuar të flasë në media apo të reagojë me intervista, por dje, në Ditën e Dëshmorëve, nëna e komisarit Dritan Lamaj e ngriti zërin. Nëna e Lamajt kërkoi drejtësi, duke folur në një podium para drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. 

Lumturi Lamaj, nena e komisarit te vrare, Dritan Lamaj

Lumturie Lamaj u kërkoi drejtuesve të institucioneve që të bëjnë më shumë për çështjen e vrasjes së djalit të saj. Ndonëse tha se ka besim te Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, nëse ngjarja nuk zbardhet, ajo do t’i drejtohet Hagës, në rast se nuk vendoset drejtësi për djalin e saj.

Gruaja e moshuar, 71 vjeçe, foli para dhjetëra drejtuesve të lartë të Policisë dhe familjarëve të policëve të vrarë.

“Unë nuk vras dot njeri. Kam dy vjet dhe ia kam lënë shtetit. Megjithatë, ju lutem më falni juve që merrni pjesë këtu që jeni drejtues, duhet të shikohet më shumë puna e Dritanit”, u shpreh 71-vjeçarja. Nga foltorja e ngritur para Akademisë së Sigurisë, Lumturie Lamaj u shpreh se, ndonëse është e moshuar, ajo do të udhëtojë drejt Hagës, qoftë edhe në këmbë, për të gjetur drejtësi për vrasjen e të birit.

“Kam qenë brez pas brezi familje shembullore. Kam rritur katër fëmijë me sakrifica. Tani që ishte kryekomisar m’u vra. Kam respekt për Policinë e Shtetit, për Policinë e Tiranës dhe Ministrinë e Brendshme. Unë nuk vras dot njeri. Kam dy vjet që ia kam lënë shtetit, megjithatë, ju lutem më falni ju që merrni pjesë këtu që jeni drejtues, duhet të shikohet më shumë puna e Dritanit. Kam marrë kontakt me Policinë e Tiranës dhe me inspektorin e ministrit të Brendshëm, pasi Saimir Tahirin nuk e kam gjetur. Në radhë të parë kam takuar një tjetër, kam vajtur dy herë. Shtëpinë po nuk e rregulloi dot i zoti, nuk e rregullon dot miku. Në rast se shteti shqiptar nuk e zbardh çështjen e Dritanit unë, si nëna e tij 71-vjeçare, do iki në Gjykatën e Hagës për drejtësi. Më kuptoni mirë! Por do pres shtetin shqiptar akoma”, u shpreh nëna e Lamajt.

MBËSHTETJA PËR DËSHMORËT
Familjet e policëve të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë një pension suplementar në masën 100 për qind të pagës mujore të fundit të shërbimit. Ato përfitojnë një ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore, banesa falas, përparësi punësimi dhe rimbursim në masën 100 për qind të bursës së studimit. Këto janë të parashikuara në ligjin e ri të Policisë së Shtetit, që pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt dhe këto u bënë të ditura dje, gjatë ceremonisë me rastin e 5 Majit, nga zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea. “Tani familjet e të gjithë policëve të vrarë do të përfitojnë pension suplementar në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit të shërbimit, pavarësisht se sa kohë kanë qenë të siguruar dhe kjo llogaritet sa herë që paga ndryshon. Ne u japim familjeve të atyre që dhanë jetën për këtë vend një ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore. Ndryshimet e fundit në ligj do u sigurojnë banesa falas, përparësi në punësim dhe rimbursim në masën 100 për qind të bursës së studimit”, u shpreh Gjebrea.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura