Nëna 70-vjeçare: Si e mbyta djalin, do më vriste në gjumë për para. Më tha ‘do të ther’

Jul 14, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Hatixhe Ahmeti, një 70-vjeçare nga Lushnja, po i kalon ditët në burg që prej 16 marsit 2015, me akuzën e vrasjes së djalit të saj Pëllumb Ahmeti. 

Hatixhe Ahmeti në gjyq

E moshuara, e cila është arrestuar që nga mesi i muajit mars, është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Në kërkesën për gjykimin e çështjes, organi i akuzës shpjegon rrethanat e ngjarjes, ndërsa momenti që ka qartësuar rrethanat e krimit konsiderohet se ka qenë dëshmia e dhënë nga vetë 70-vjeçarja. Natën e krimit ajo ka thënë se djali i saj 40-vjeçar ka shkuar në banesë i dehur dhe i ka kërkuar para, duke e kërcënuar se do ta vriste në gjumë pasi ajo të kishte fjetur.

NGJARJA
Ngjarja ka ndodhur më 16 mars 2015, rreth orës 14:00, kur është njoftuar Komisariati i Lushnjës se në lagjen “Gafurr Muço”, në pallatin nr.177, ishte gjetur pa jetë kufoma e Pëllumb Ahmetit. Në vendin e ngjarjes brenda në banesë është gjetur edhe nëna e viktimës, Hatixhe Ahmeti dhe në mesin e kuzhinës i shtrirë me shpinë në dysheme, trupi i pajetë i shtetasit Pëllumb Ahmeti, i biri i Shaban dhe Hatixhe Ahmetit.

Viktima Pëllumb Ahmeti

Nga komunikimi paraprak që oficerët e policisë gjyqësore bënë me shtetasen Hatixhe Ahmeti, ajo deklaroi se djalin e saj Pëllumb Ahmetin e kishte vrarë vetë, duke e mbytur fillimisht me duar dhe më pas me një copë rrobe në formë litari, pas debateve që kishte bërë me të rreth orës 23:00 të mbrëmjes së datës 15.03.2015.

DËSHMIA E NËNËS PËR VRASJEN
Sipas Prokurorisë, tablonë e plotë të ngjarjes e plotësoi në deklarimin e hollësishëm në cilësinë e personit ndaj të cilit kryhen hetime vetë e pandehura Hatixhe Ahmeti. Ajo sqaroi se kishte ardhur nga Italia ku ishte për vizitë te vajzat e saj në datën 15.03.2015.

Ajo ishte kthyer në Lushnjë pasi Pëllumbi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë që ishte sëmurë, kishte djegur duart me gëlqere, duke i kërkuar që të kthehej në shtëpi. Djali i kishte thënë se në rast se nuk do të vinte, ai do ta shkatërronte dhe shiste shtëpinë. Pasi kanë ngrënë drekë, rreth orës 16:00, Pëllumbi i kishte kërkuar lekë dhe ajo nuk i kishte dhëne.

Ai kishte dalë dhe ishte kthyer në shtëpi rreth orës 20:30-21:10 të darkës i acaruar dhe i gjakosur në fytyrë dhe sapo kishte hyrë në shtëpi i kishte kërkuar përsëri lekë, pastaj kishte filluar ta shante dhe e kishte goditur me duar.

KËRCËNIMI E VRASJA
Njëkohësisht, sipas Hatixhesë, Pëllumbi përplaste kokën në mur dhe bërtiste “…vdiqa, mbarova, dua lekë, me jep lekë, do të mbys natën moj k…, do të ther, do të vras…”, e të tjera fjalë si këto. Në një moment ai ishte përplasur te cepi i murit të aneksit dhe kishte rënë në tokë, pastaj kishte nxjerrë një thikë nga çorapet dhe e kishte kërcënuar Hatixhenë.

Atëherë Hatixheja është afruar dhe i ka hedhur duart në fyt për ta mbytur. Pastaj ka marrë një copë rrobe në forme rripi dhe me të e ka shtrënguar në qafë për disa minuta deri sa ka parë që Pëllumbi nuk po lëvizte më. Gjatë gjithë natës kishte qëndruar në dhomë dhe në mëngjes ishte ngritur, kishte pastruar shtëpinë dhe plehrat së bashku me rripin, me të cilin kishte mbytur djalin, i kishte hedhur te koshi i mbeturinave përpara pallatit.

Më pas, ato i kishte marrë makina e plehrave që në atë moment ndodhej aty. Pas kësaj ka shkuar në shtëpinë e Përparim Ahmetit, ku kishte takuar bashkëshorten e tij dhe i kishte treguar çfarë kishte bërë. Hatixheja pohoi se kishte vrarë djalin, pasi ndihej e kërcënuar se edhe herë të tjera ai e kishte dhunuar dhe ajo nuk ishte në gjendje ta duronte një gjë të tillë.

HETIMI
Sipas Prokurorisë, deklarimet e të akuzuarës përputhen pjesërisht me provat e tjera të administruara në këtë gjykim. Pretendimi i saj se është provokuar apo ka qenë e tronditur gjatë kryerjes së veprës penale, nuk provohet nga provat e tjera të marra gjatë hetimit.

E akuzuara i është nënshtruar ekspertimit psikiatriko- ligjor. Sipas këtij akti me nr.48, datë 22.05.2015, konkludohet se shtetasja Hatixhe Ahmeti nuk vuan nga sëmundje të shëndetit mendor dhe se nuk ka vuajtur në kohën e kryerjes së veprës penale.

TRAZHGIM SOKOLAJ  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura