Nëna 20-vjeçare humbi jetën pak orë pas lindjes në maternitet, dyshimet mbi të vërtetat e pathëna

Nov 14, 2020 | 8:24
SHPËRNDAJE

BRIKENA METAJ/ Një vajzë 20–vjeçare ka humbur jetën orët e para të mëngjesit të së premtes në maternitetin e Gjirokastrës. E reja, që bëhej nënë për herë të parë, lindi një djalë 2 kg e500 gramë mbrëmjen e së enjtes me operacion cezarian. Sipas pohimeve të vetë familjarëve të saj, pas operacionit gjithçka premtonte për mirë. Ata kanë takuar 20- vjeçaren në sallën e reanimacionit të spitalit dhe më pas janë larguar.

materniteti gjirokaster vdekja 19 vjeçares1

Më pas, një telefonatë e orëve të para të mëngjesit të së premtes i ka risjellë sërish në spital, ku mësuan se si pasojë e komplikacioneve, 20–vjeçarja Kledjona Muxhaj, lindur në fshatin Metoq të Sarandës dhe e martuar në Zhulat të Gjirokastrës, humbi jetën. Ngjarja e rëndë ka tronditur familjarët që kërkojnë shkaqet e vdekjes së saj dhe akuzojnë mjekët për neglizhencë.

AKUZAT E FAMILJARËVE

“Do të përgjigjen për jetën e saj, duan t’ia vënë fajin Covid-it tani”, kanë pohuar të afërmit e viktimës jashtë ambienteve të Spitalit të Gjirokastrës.

Familjarët e 20- vjecares Kledjona Muxhaj, e cila humbi jetën pas komplikacioneve që pati menjëherë pasi solli në jetë një djalë, hedhin akuza në drejtim të mjekëve dhe infermierëve të spitalit. Ata thonë se infermierët dhe mjekët nuk u kanë dhënë një version të saktë për ngjarjen, ndërsa kanë frikë se mos e vërteta nuk zbardhet.

Vjehrra, Yllka Muxhaj, tregon se e ka ndjekur nusen përgjatë gjithë shtatzënisë, që nuk është shoqëruar me probleme.

E solla për të lindur. Doktori i bëri ekon dhe tha se e ka fëmijën me kurriz, ndaj duhet të operohet. Pranova. Lindja shkoi mirë. Doli infermierja e na tha dolën mirë të dy, bebi është dy kilogramë e gjysmë. Pastaj hymë e pamë dhe nusen. I thashë do të të sjell bebin pastaj. Ishte shumë mirë”, tregoi Muxhaj.

Ajo tregon më tej se komplikacionet janë shfaqur gjatë natës dhe vajzën e gjetën më pas pa jetë.

Në orën tre ishte keq, në orën 04:00 të mëngjesit më morën mua. Sa erdhëm ne nga Zhulati, e gjetëm vajzën të vdekur. Edhe gjatë vizitave që bëja nuk ka pasur asnjë problem. Infermieret më thanë ‘na iku nëpër duar, iu shua trupi’”, vazhdoi më tej vjehrra e së resë.

Ndërkohë, familjarët pohojnë se vajza nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor të mëparshëm, ndërsa ka ndjekur përgjatë shtatzënisë të gjitha këshillat e mjekut.

“Ajo, veç vitamina merrte, asnjë medikament. Asnjë paracetamol nuk ka pirë vajza, dy vjet që e kemi pasur ne. Tani duan t’ia vënë koronës fajin. Por njëri do ta paguajë vdekjen e kësaj vajze. Sa të jem gjallë, nuk e lë këtë histori”, thotë i revoltuar vjehrri i së resë, Sokol Muxhaj.

Sakaq, kunati i 20–vjeçares, Klaudio Muxhaj, pohoi se infermieret e spitalit kanë dhënë deklarata të ndryshme mbi gjendjen e të resë duke shtuar kështu dyshimet e familjarëve.

“Njëra infermiere tha se vajza ishte mirë, e dyta tha pati hemorragji dhe e treta tha se mos kishte ndonjë infeksion gjaku”, shtoi ai.

Pas kësaj, trupi i pajetë i 20- vjeçares është dërguar për në morgun e spitalit, ku edhe do t’i nënshtrohet një ekspertimi mjeko-ligjor. Familjarët thanë që do të bëjnë kallëzim në Gjykatë ndaj spitalit, për neglizhencë në kryerjen e detyrës, ndërsa kërkojnë që autopsia e trupit të bëhet nga mjekët e Tiranës.

Ndonëse nga familjarët e së resë u këmbëngul se 20–vjeçarja Kledjona Muxhaj nuk vuante nga asnjë sëmundje, burime të gazetës “Panorama” pohojnë se e reja vuante nga epilepsia, nga e cila dyshohet se edhe kurohej. Mbetet ende i dyshimtë fakti i mohimit nga familjarët, po aq sa janë të paqarta edhe rrethanat e ngjarjes. Pritet që ekspertiza mjeko–ligjore të zbardhë rrethanat e kësaj ngjarjeje që tronditi qytetin e Gjirokastrës.

Spitali: Pati komplikacione të rënda, u asistua në kohë

Pas ngjarjes së rëndë, ka reaguar edhe Spitali i Gjirokastrës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp lidhur me vdekjen e 20-vjeçares, spitali tha se e reja pati komplikacione të rënda dhe se mjekët nuk e neglizhuan rastin.

“Spitali Rajonal i Gjirokastrës u shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e së ndjerës, 20-vjeçares me inicialet K. M., e cila është trajtuar në këtë spital mbrëmjen e djeshme. Menjëherë sapo është paraqitur në spital, 20- vjeçarja është asistuar nga mjekët dhe ka sjellë në jetë foshnjën e saj shëndoshë e mirë. Pas ndërhyrjes operatore, e reja ka pasur komplikacione të rënda dhe me gjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor nuk ka arritur të mbijetojë. Pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për ngjarjen. Spitali i Gjirokastrës siguron qytetarët që stafi i kualifikuar i spitalit tonë është në shërbim 24/7 për pacientët”, thuhet në njoftimin zyrtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura