“Nën presion të paparë, dridheshim nga frika”-Rrëfimi i Koço Devoles për shfaqjen e parë dhe si i ndërpriste Petrit Dume: Kur dolën grupet puçiste na…

Nov 17, 2020 | 20:00
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Stazhin e aktrimit e regjisurës Koço Devole i kreu teksa ishte ushtar. Nuk la rrëzë të Shqipërisë pa shkuar, kudo ku kishte ushtarë. Nuk ka rëndësi se sa, edhe 6 po të ishin. Në emisionin “RRËFIM”, në “TV Scan”, disa kohë më parë, aktori, skenaristi e regjisori tregon për karrierën e tij. Si nisi të merrej me teatër, vështirësitë në vitet e para të karrierës për shkak të biografisë apo për detaje fare të vogla, por që atëherë mund të të kushtonin shumë.

koco devole

Ndër të tjera, Devole, plot humor, tregon për një shfaqje të dhënë përpara Petrit Dumes dhe si ua preu ai shfaqjen, sepse nuk i pëlqyen batutat e skeçeve. Po ashtu, tregon për kohën kur punoi si regjisor në Klubin e Teatrit të Kombinatit të Tekstileve e ku regjisori Kujtim Spahivogli do të vinte komedinë “Kurvat e Kombinatit”, një përshtatje e “Lisistratës”, por që asokohe do të bënte jo pak zhurmë. Kjo intervistë publikohet nga “Memorie.al”, në nder të artistit që u nda nga jeta vetëm 10 ditë më patë.

Zoti Devole, pra, aty ju dhatë shfaqjen e parë, premierë si të thuash…?

Po, po, aty në borë, ku kishte ngrirë akulli, çdo gjë, madje edhe orkestrës i kishin ngrirë duart, por vazhdonin sipas partiturave dhe nja pesë mijë ushtarë, oficerë e rezervistë që ishin aty, edhe më shumë madje, se ishte parulla “Gjithë populli ushtar”. Kështu, aty nuk dukej më bardhësia e dëborës dhe e akullit, por vetëm jeshil gjithçka. Të gjithë dëgjonin me vëmendje e duartrokisnin, edhe se pse ishte ngricë, ç’të të them, skena kishte ngrirë akull e gjitha dhe në një moment, kur orkestrës nuk u punonin më gishtat për t’iu rënë veglave, se u kishin ngrirë duart, regjisori Viktor Gjoka iu lut Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, që të sillnin diçka sa për të ngrohur duart, se nuk mund të vazhdonte dot më shfaqja. U dha urdhër e se ku gjetën një mangall dhe e sollën aty dhe ata të orkestrës ngroheshin me radhë duke u shtyrë kush e kush të afrohej sa më afër mangallit e duke u rënë veglave ashtu gjysmë të ngrirë, por shfaqja vazhdoi e u mbyll me sukses, edhe pse në ato kushte atmosferike tepër të vështira.

Po si vazhdoi shfaqja në atë të ftohtë, kur kishte ngrirë gjithçka?

Ashtu vazhdoi, ata të orkestrës, ai i klarinetës, i trombës, oboit, fizarmonikës etj., shkonin te mangalli, se vetëm aty mund t’u binin veglave ashtu të kërrusur, se në këmbë nuk ngriheshin dot, pasi pothuaj kishin ngrirë të shkretët. Dhe kur mbaroi shfaqja, Shefi i Shtabit, Petrit Dume, na u drejtua ne, pra, gjithë kolektivit të Estradës Ushtarit, duke na thënë:

“E shikoni ju ç’heqin këta ushtarët, duke ngrirë në këtë të ftohtë për t’ju ndjekur shfaqjen tuaj, ashtu edhe ju duhet të kaliteni si këta, në ngrica si kjo, për të mbrojtur atdheun kur ta kërkojë nevoja”!

A foli njeri nga ju?

Ç’t’i thoshim ne, kush guxonte, je në vete, s’guxonte njeri që t’i thoshte as regjisorit të paktën, që ka ca kushte shfaqja dhe s’mund të këndojë njeriu në frigorifer apo orkestra t’u bjeri veglave kur u kanë ngrirë duart…?!

Por sidoqoftë ju u kalitët aty…?

Po, po, u kalitëm patjetër (qesh), gjynah të qahemi, se ushtarë ishim ne dhe do shkonim ku të kishte nevojë atdheu, si aty në Vërzhezhë duke dhënë shfaqje.

Jemi në atë moment të jetës suaj kur ju keni shkuar ushtar dhe jepnit shfaqje?

Po, po, vazhdonim ne të jepnim shfaqje dhe kemi dhënë në të gjithë territorin e Republikës, pra, po jua përcaktoj saktë, se ne kemi dhënë shfaqje edhe në pikat më të largëta kufitare, ku posta e kufirit kishte gjashtë ushtarë, me gjithë kuzhinierin, duke dhënë shfaqje të plotë, sikur të ishim në skenën e Estradës së Tiranës. Dhe, nga ata gjashtë ushtarë, tre na ndiqnin duke duartrokitur, se tre të tjerët i zinte gjumi, se kishin qenë me shërbim. Deri në Karaburun të Vlorës kemi qenë për të dhënë shfaqje dhe kur kemi shkuar atje, nuk kishte rrugë fare. Kemi shkuar me mushka deri te vendi i shfaqjes, duke i ngarkuar rrobat e veglat muzikore aty ku na la makina, “Zisa” të ushtrisë ishin ato, por nuk ecnin dot më.

Dhe kemi ecur një orë e sa në këmbë, pas mushkave, e kur kemi mbërritur atje, kemi gjetur 11 ushtarë gjithsej, bashkë me oficerin e kapterin e pikës ushtarake, ndërsa ne ishim gjithsej 45 veta, bashkë me regjisorin. Atje nuk kishte asnjë gjë, ishte vetëm një kapanon gjysmë i rrëzuar dhe ne filluam shfaqjen, ku ata të dhjetë (se njëri ishte në vendroje) u ulën në tokë, ku dikush mori një tullë, tjetri një gur, tjegull a mjete të tjera rrethanore, ç’të gjenin të shkretët për t’u ulur, se nuk mund të rrihej dy orë në tokë se ftohet njeriu. Pasi u ulën ata, ne shpejt e shpejt improvizuam skenën me batanije, fletë çadre etj., ndezëm mikrofonat dhe filluam shfaqjen, por ata ushtarët e shkretë lëviznin se nuk rrihet dy orë mbi gur, ndërsa ne s’lëviznim fare.

Ç’të them, ishte urdhër i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, që Estrada e Ushtarit do shkojë edhe në pikën më të largët. Dhe ne kemi shkuar deri në Orosh për të dhënë shfaqje, ku edhe atje ishin 10 ushtarë e nja 5 a 6 gjeologë e kemi dhënë shfaqje për ta. Ata të shkretët, pra, ushtarët e gjeologët, na thoshin: “Po mirë ne se… po ju çfarë donin këtu”?! “Hëëë, si çfarë duam, ne jemi…”, i thoshim ne. Pas gjithë këtyre lëvizjeve që ne kemi dhënë shfaqje, se kemi qenë në të gjithë Shqipërinë, kemi histori pafund, por më e forta është shfaqja që kemi dhënë para Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Çorovodë.

Po pse në Çorovodë për Shefin e Shtabit…?!

Ai qëlloi që erdhi atje për një lloj inspektimi a kontrolli, ku hapeshin tunele (Guak apo Kakrruk më duket se quhej ai vendi) dhe kur na pa ne i tha atij drejtorit tonë të madh të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë: “Ore, e kam parë unë këtë premierë”? “Nuk e di, shoku Shef i Shtabit”, i tha ai i shkreti gjithë frikë, se e ndjeu që e zuri belaja. “Mirë, i tha ai, ne jemi me këta gjeneralët këtu te lokali dhe përgatituni të vini të jepni shfaqje, të shohim se ç’keni bërë”. Ne e kishim shfaqjen për publikun e Skraparit në orën gjashtë të mbrëmjes, por pas kësaj, ne, oburraaaa të bëheshim gati, se u caktua ora 12 ku do jepnim shfaqjen te restoranti ku ishin akomoduar, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm me dy gjeneralët, emrat nuk më kujtohen, por ishin të tre të shëndoshë dhe njeri ishte Komandant i Korpusit Ushtarak të Jugut të Shqipërisë. Ata vunë një tavolinë të madhe aty te restoranti, me një derr të egër përpara, jo tamam, por gjysmë derr i egër, me thika, pirunë, gotat e verës përpara etj., ndërsa ne vumë kuintat dhe pasi u mbuluan xhamat e dritareve të mëdha me çarçafë të bardhë që të mos dukej gjë nga jashtë, ne filluam shfaqjen.

Ishte përgjegjësi e madhe për ju?!

Po, patjetër, përgjegjësi e madhe, pasi ai ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më i madhi për ne se Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, as vinte fare dhe ne nuk e kishim parë kurrë me sy nga afër. Pra, ky ishte më i madhi për ne, Petrit Dume, këtë njihnim ne për çdo gjë. Kështu filloi shfaqja dhe drejtori ynë i madh i Shtëpisë Qendrore, nga pas kuintave, kishte vënë syrin në një vrimë dhe shkonte me vëmendje a po e pëlqenin shfaqjen ata?!

Po ata, a e ndiqnin me vëmendje shfaqjen tuaj?

Ehh, me thënë të drejtën, ata më shumë hanin dhe nga njëherë e kthenin kokën edhe nga ne, që këndonim: “Ushtria popullore jemi ne/ gati për mbrojtje/ në çdo luftë me armiq e tradhtarë/ etj”., dhe ngrinim zërin fort kur qëllonte që ata ngrinin kokën nga pjatat dhe na shikonin. Ata hanin, pinin dhe nuk e kishin mendjen fare te ne që shikonim pas kuintave dhe nuk merrnim vesh se ç’ndodhte aty. Ndërkohë, njëri nga ata dy gjeneralët, ai i Korpusit të Jugut, me sa kujtoj, kapi një batutë të fortë, që i pëlqeu nga një skeç dhe filloi të qeshte: “Haaahaaa, o sa bukur e tha ai, shumë bukur e tha..”!

Ndërkohë e pa Petrit Dume dhe duke iu drejtuar atij aktorit, i tha: “Ça the ti, hë, mo, ça the?!”.

Ai i shkreti, Ferit Vogli ka qenë, uli kokën e nuk fliste fare, pasi u tremb se mos kishte bërë ndonjë gabim a kushedi, por nga frika u përgjigj: “Po ça thashë, asgjë, thashë: ‘o Muço, o Muço, ku t’i shpie mushka drutë”.

Petrit Dume, ia ktheu me inat: “E ça ka këtu për të qeshur” dhe iu kthye këtij gjeneralit, duke i thënë: “Ça ka këtu për të qeshur?!”. “Jo, jo, këtu nuk ka ndonjë gjë për të qeshur, por po ta lidhë mirë ai batutën, del më bukur”, vazhdoi gjenerali. “Hëëë, mirë, lidhe, lidhe, shumë mirë e ka shoku gjeneral”, i tha Petrit Dume.

E ndryshoi batutën e skeçit?

Po, patjetër, pas këtyre fjalëve ne e filluam skeçin nga fillimi, por me thënë të drejtën ishim shumë të tensionuar dhe shikonim ata që na shikonin ne. Në një moment vjen batuta që do thoshte Ferit Vogli nga e para: “O Muço, o Muço, ku t’i shpie mushka drutë”, dhe të gjithë ne, në mënyrë instiktive, kthyem kokën nga Petrit Dume, duke parë se si do reagonte ai. Ai ngriti kokën që deri në atë moment e kishte ulur mbi pjata dhe pa njëherë anash nga gjenerali, pa nga ne, dhe tha:

“Edhe e lidhur kjo s’bën, hiqe fare, hiqe fare, lëreni këtë, s’bën, ça keni tjetër?! Kështu ne kemi dhënë të gjithë shfaqjen deri në fund, duke e ndërprerë, duke e përsëritur etj., e kështu shkoi e gjithë shfaqja nën një presion të paparë, ku të gjithë dridheshim nga frika. Në këto kushte bënim humor ne. Dhe më e bukura, kur filluan e dolën këto grupet armiqësore, që u dënuan këta si puçistë, na hoqën edhe ne.

Po ç’lidhje kishit ju?!

Po hë, ç’lidhje kishim, e di që s’kishim, po ata që na hoqën a e dinin, këtu është problemi, por na morën prapë dhe mua më hoqën prapë!

Po pse ju hoqën?

Më hoqën se kishin thënë për mua: “Kush, mo, ai regjisori që mban atë kollaren me kokë të trashë”, se më mbrapa më bënë edhe regjisor mua dhe mbaja kollaren të lidhur trashë, se ishte moda ashtu. Nga puna e kollares më hoqën dhe më dërguan prapë në Kombinat.

Pra, edhe ju si babai, me dënim për t’u edukuar në Kombinat?

Po, po, si babai, njësoj, por unë do riedukohesha në gjirin e klasës punëtore, pra, shkoja atje për riedukim. Sa vajta atje, më priti një Shef Kuadri që njihte babanë e më tha: “Po mirë, mo, po ti pse vjen këtu, pse nuk shkon në Klubin e Kulturës, se ti je artist…?!”. “Poooo, jam, i thashë unë, por këtu më kanë dërguar”

“Po mirë, të kanë dërguar, shumë mirë kanë bërë, por shko andej nga Klubi i Kulturës dhe na bëj teatër”, më tha ai. “Për gjashtë muaj, më kanë dërguar”, i thashë unë. “Shumë mirë, gjashtë muaj puno”, më tha ai dhe unë shkova te Klubi i Kulturës, duke u marrë me teatër, duke përgatitur këto teatrot amatore në ato konkurrimet e ndërmarrjeve të klasës punëtore që bëheshin çdo vit.

Mirëpo, ngaqë isha i dënuar dhe meqë vija nga një estradë profesioniste, kisha edhe ambicie në atë punë, për të fituar çmime në konkurrimet që bëheshin, sepse atëherë Kombinati i Tekstileve fitonte vende të para në këto konkurrimet, e mburreshin ata drejtuesit e sekretarët e partive, ja kemi Koçon, etj., se u dilte emri për mirë dhe donin të më mbanin aty.

Ju mbajtën?

Më mbajtën deri sa shkova dhe regjisor i Bashkimeve Profesionale, se paguheshim ne regjisorët atëherë nga këto Klubet e Kulturës të Bashkimeve Profesionale dhe gjëja kryesore e përgjegjësia më e madhe që kisha unë atje ishin këto “Dekadat e Majit”. Atyre u kushtohej një rëndësi e madhe, vinin këta nga Komiteti i Partisë së rrethit dhe interesoheshin për çdo gjë me imtësi: vallet, muzika, tekstet, çdo gjë, çdo gjë. Dhe duhet të jepje përgjigje për çdo gjë që kërkohej, ku edhe pse unë isha i profilit të teatrit apo estradës, duhet të përgjigjesha edhe për tekstet e këngëve etj. Në Kombinat, në Klubin e Kulturës, kanë pas ardhur shumë regjisorë e aktorë të njohur, si p.sh., regjisori i njohur, Pandi Stillu, që brezi im e mban mend, Viktor Gjoka, aktori e regjisori i famshëm i humorit shqiptar, ka vënë shumë shfaqje dhe regjisorë të tjerë kanë ardhur aty.

Dhe midis gjithë këtyre, pa dyshim unë do të veçoja regjisorin dhe aktorin e famshëm, Kujtim Spahivogli, një nga pedagogët më të famshëm të Institutit tonë të Arteve. Një njeri i shkëlqyer që ka lënë mbresa kudo dhe me kë ka punuar, por pati atë fat që pati, që s’do t’ia uroja asnjërit. Kujtimi erdhi në atë kohë që isha unë atje në Kombinat dhe donte të vinte një shfaqje. Një ditë vjen drejtori e më thotë mua: “Ejjj, ky Kujtimi është mirë nga kallaballëku (duke vënë gishtin në kokë), di gjë ti”?

“Po shumë mirë është, pse si është puna, iu përgjigja unë, atë kemi regjisorin më të mirë në Shqipëri”, dhe fillova t’ia numëroja, jo ka vënë Hamletin, jo ka vënë këtë, jo atë. “Po mirë, more, Hamletin, mirë, po a e ke marr vesh ti se ç’do bëjë ai”, m’u drejtua drejtori mua. “Jo, nuk di gjë”, i thashë unë.

“Si, mor, nuk e di, ai do me vënë në skenë dramën ‘Kurvat e Kombinatit’, më tha ai i frikësuar, por do ta bisedojmë kur të vijë Kujtimi, do të thërrasim dhe ty e nuk do ta lejojmë të na bëjë një proçkë të tillë”, tha drejtori dhe u takua me Kujtimin, por mua nuk më thirrën. Kur erdhi, drejtori na prezantoi duke i thënë për mua, ‘ja, këtë kemi regjisor’ dhe Kujtimi më dha dorën e me atë zërin e ngrohtë siç ishte ai, (ehhh, si ishte Kujtimi, këdo që të pyesësh për kujtimet për Kujtimin, vetëm fjalë të mira do thonë për të), më pyeti:

“More, e ke lexuar ti këtë”? “Jo”, i thashë unë. “Mirë, merre lexoje” dhe më dha ato fletët e dramës që kishte shkruar, me titull “Kurvat e Kombinatit”. Unë e lexova dhe ajo ishte një komedi fantastike (se e kanë vënë dhe të tjerët), por ajo ishte e shkëlqyer, ku bërthamën e kishte nga “Lisistrata”, e Aristofanit në Greqinë e lashtë dhe ekstrati i saj ishte ajo me gratë që ndaj tyre në Kombinat silleshin shumë keq dhe kishte shumë probleme, por tek ajo komedi ndërrohen rolet. Pra, kjo, si të thuash, ishte esenca, bërthama e saj.

Pra, gratë, u thoshin burrave: “Shkoni ju në vendin tonë e të bëjmë ne me ju siç bëni ju me ne dhe të dëgjoni se ç’do themi ne për ju, ashtu siç flisni ju për ne dhe do të shohim, do duroni dot apo nuk do duroni, siç kemi duruar e durojmë ne? Kjo ishte si të thuash ekstrakti i pjesës, por nuk i kishte vënë atë të “Lisistratës”, që është ajo greva e tmerrshme e seksit, se këtë ka “Lisistrata” e Aristofanit. Gratë e asaj kohe thanë që të pushojnë të gjitha luftërat, të gjitha betejat, konfliktet etj., se ndryshe ne do fillojmë grevën e seksit e s’ka më dhe ata do detyrohen të vijnë se do t’i marrë malli./Memoria.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura