Nën darën e krimit që në janar

Jan 27, 2022 | 7:41
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKOPËLLUMB NAKO

Janari ende nuk ka dalë dhe për fat të keq në vendin tonë, tabloja e krimit parakalon e plotë, me gjeografi të gjerë, e shumëllojshme, e shoqëruar me një arrogancë që për efekt të parë ka pasigurinë, ankthin, shqetësimin e opinionit publik. Ndodhin vrasje për hir trafiqesh, ndodhin vrasje për hir të traditës, ndodhin atentate për hir të rivaliteteve nën errësirën e hijeve të pushtetit.

Diku matanë Atlantikut, në Ekuador, vritet një shtetas shqiptar i njohur për aktivitetin e tij kriminal edhe brenda territorit të vendit tonë, i gjashti në serinë e vrasjeve të ndodhura në këtë vend, në radhët e bashkëpatriotëve tanë. E njëjta gjë edhe në Bruksel. Një tjetër shqiptar me pasuri të madhe kriminale mbi supe, vritet. Thënë me fjalë të tjera, në këtë fillim viti, krimi i organizuar me vulë shqiptare ka shpërthyer në dy kontinente, me viktima që pasojnë njëra- tjetrën dhe për të njëjtin motiv. Të dyja vrasjet kanë ndodhur jashtë kufijve të vendit e për rrjedhim, sipas qasjes klasike të institucioneve të vendit tonë, duke mos ndodhur brenda territorit shqiptar, natyrshëm nuk futen në statistikat e tablosë kriminale të tij. Megjithëse këtu faktikisht nuk bëhet fjalë thjesht për çështje numrash statistikorë, por për qasje reale të institucioneve për fenomene kriminale që nisin në Shqipëri e përfundojnë në Ekuador apo që nisin në Brazil e përfundojnë në Durrës e gjetkë. Mbyllja e syve, apatia përball këtyre kërcënimeve që i vijnë sigurisë publike, bëjnë që nëpër debate të shkuara dhe të tanishme televizive, aktorët qeveritarë të mburren dhe do të vazhdojnë të mburren përsëri se në vendin tonë numri i vrasjeve ka rënë duke dëshmuar parametra të lartë të sigurisë në territor, pavarësisht se të paktën 6 të vrarët në Ekuador janë emisarë direkt të krimit të organizuar shqiptar. Kur ua do interesi, hierarkët politikë të vendit tonë, në deklarime publike thonë me plot gojën se krimi i organizuar nuk ka kombësi, ngjyrë apo kufij. Por kur vjen puna për të bërë një bilanc të tijin, viktimat nuk llogariten si pjesë përbërëse e tablosë kriminale të vendit në rastet kur viktimat vriten jashtë kufijve të tij. Kjo është njëlloj verbërie, ose më saktë refuzim për të parë e për të njohur një problem të ri që po merr përmasa gjithmonë e më kërcënuese për vendin. Organet kompetente dhe klasa politike duhet t’i shohë këto fenomene me përgjegjshmëri realiste.

Aktualisht, po del në dritë fakti i mbledhjes së shumë shqiptarëve me aktivitet të dyshimtë kriminal në Ekuador (janë 3 mijë, thotë një gazetare) dhe i fshehjes së shumë syresh në Dubai (dështimi i disa ekstradimeve). Që vendi ynë të jetë më i mbrojtur, që lufta kundër krimit të organizuar të jetë më efikase, qeverisjes i duhet të shohë e të afrohet me marrëveshje konkrete ekstradimi apo bashkëpunimi policor me këto dy vende e të tjerë me kontekste të ngjashme jo të bëjnë sehir e të largojnë përgjegjësitë duke u fshehur pas gishtit.

Në të njëjtat ditë të këtij janari, brenda vendit ndodhi një vrasje tjetër. Diku në Lezhë një i mitur vret për gjakmarrje. Dëm i dyfishtë: viktima e vrarë dhe viktima e traditës vrastare që merr në qafë një adoleshent. Një jetim ende pa kapur moshën madhore, do ta kalojë pragun e përgjegjësive të jetës i mbyllur në burg. Ndodhemi përballë një vepre penale, motivet e së cilës dihet që i kanë rrënjët të thella në disa tradita të mbrapshta të vendit tonë. Dhimbja bëhet më e madhe sepse as institucionet e vendit konkretisht, as shoqëria shqiptare në përgjithësi, as ata që morën përsipër të rrisin këtë jetim, nuk arritën ta shkëpusin nga kthetrat e traditës vrastare të gjakmarrjes. Madje, duket e kundërta dhe më e hidhura. Shoqëria, opinioni publik, institucionet shtetërore, gjithkush që ka kontribuar në rritjen e tij, duken se kanë nxituar të ndërtojnë një qenie me objekt respektimin e traditës vrastare. Praktikisht kanë rritur një kurban dhe jo një djalë që të gëzojë jetën si gjithë bashkëmoshatarët e tij. Edhe dorëzimi i tij i menjëhershëm në organet e Policisë, tregon po ashtu qartë se gjithkush që është marrë me edukimin apo rritjen e tij, e ka instruktuar qartë. Vetëdorëzimi bën fjalë jo respekt për institucionet e vendit, por për përmbylljen e një misioni. Natyra e qenies njerëzore është tronditur thellë te ky adoleshent për aktin e kryer, kurse arsyeja e mban të qetë, aspak të penduar. Sepse të tillë e ka programuar një shoqëri antivlerash, kundër vetë natyrës njerëzore. Vrasja do të futet në statistika në rubrikën e atyre me motiv gjakmarrjen dhe do të raportohet e zbuluar. Me kaq gjithçka mbaron. Pak, shumë pak. Plaga e gjakmarrjes mbetet ende mahisur dhe nuk duhet harruar asnjëherë deri në zhdukjen përfundimtare të rrënjëve të saj.

Nuk mjafton me kaq. Ditët kriminale të këtij fillimviti do të mbeteshin të paplota nëse nuk do të shënohej edhe një ngjarje tjetër e rëndë, aktorët e së cilës mbeten prodhim i kalbësisë shoqërore. Në luftën e ashpër për të kontrolluar pushtetin e FSHFsë, presidentit të kësaj të fundit i vendoset dinamit në derën e shtëpisë. Formë tjetër kriminale kjo, ndryshe nga ato të përshkruara më sipër. Ajo ngjall shumë frikë për kompleksitetin që paraqet, kur krimi kërcënon një të akuzuar publikisht nga politika për krim. Autori një biznesmen, prodhim tipik i kalbësisë sociale në procesin e kthimit të kriminelit në biznesmen dhe në mbushjen e kronikës kriminale me biznesmenë që kryejnë krime apo që paguajnë për krime. Në kohë përplasjesh me struktura shtetërore, krimi mundohet të neutralizojë të keqen dhe hija e kësaj të fundit vjen vërdallë kërcënuese ku gjithçka mbetet e errët, edhe autorët e vërtetë, edhe motivi.

Të gjitha këto ngjarje të dhimbshme ndodhin në këtë janar kur një diskutim i zjarrtë mbarëpopullor ka pushtuar vendin lidhur me enigmën nëse Kryeministri do të japë personalisht 100 mijë euro fituesit të “Big Brother”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura