Nelly Voskuijl, zbulohet tradhtarja e Anne Frank

Apr 13, 2015 | 13:31
SHPËRNDAJE

Një libër i ditëve të fundit zbulon tradhtaren e mundshme të familjes Frank, në vitin 1944. Mund të bëhet fjalë për Nelly Voskuijl, një prej motrave të Elisabeth Voskuijl (Bep), vajzës që ndihmoi familjen hebreje gjatë jetës klandestine. Pas deportimit në kampet naziste të shfarosjes, prej familjes Frank mbeti gjallë vetëm i ati, i cili botoi ditarin e së bijës, Annës, një bestseller i të gjitha kohërave…

Do të duheshin të kalonin 70 vjet që të ngrihej kjo vello misteri. Në vitin 1944, Anne Frank, autorja e një ditari që ka bërë xhiron e botës, u tradhtua dhe u deportua drejt kampeve naziste të shfarosjes bashkë me familjen. Në një libër, të dalë në qarkullim vetëm pak ditë më parë, dy investigatorë flamandë, Jeroen de Bruyn dhe Joop van Wijk, kanë bërë me dije faktin se tashmë është zbuluar identiteti i denoncuesit ose më saktë denoncueses së Anne Frank. Bëhet fjalë për një nga motrat e Elisabeth Voskuijl (Bep), personit që iu ndodh pranë dhe ndihmoi familjen hebreje gjatë qëndrimit klandestin në Amsterdam. Duket se ka qenë ajo që u ka rrëfyer vendin nazistëve. Gjatë kërkimeve të tyre, dy hetues kanë zbuluar që Nelly Voskuijl (1923-2001) ka bashkëpunuar me nazistët prej moshës 19 në 23 vjeç. “Dhe konkluzioni i dhimbshëm, por i qartë, është që ne mund të shtojmë Nelly-n në listën e gjatë të të dyshuarve”, shkruajnë biografët. Autorët mbështeten në dëshmitë e Diny Voskuijl, motra e tretë dhe Bertus Hulsman, i fejuari i Elisabeth Voskuijl. Deri më sot janë të shumta hipotezat që janë hedhur në lidhje me këtë çështje. Tradhtari që çoi drejt deportimit familjes Frank në kampet e përqendrimit gjerman, nuk është zyrtarisht i/e njohur. Sipas arkivave, vetëm Bep Voskuijl dhe i ati Johan Voskuijl e dinin ekzistencën e strehës që ndodhej përgjatë kanalit të Amsterdamit. Bep kishte qenë nëpunëse në një prej ndërmarrjeve të Otto Frank dhe furnizonte me ushqime e veshje klandestinët. I ati kishte sajuar portën e bibliotekës mitike që të çon në vendstrehim.
Anne Frank e ka rrëfyer historinë e saj në një ditar intim. Ai u gjet prej të atit, të vetmit të mbijetuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe u botua. Libri është përkthyer në më shumë se 70 gjuhë. Janë shitur rreth 30 milionë ekzemplarë dhe është trajtuar në vepra teatrale dhe filmike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura