Negociatat? Tani duhet bindur secili nga 28 anëtarët e BE

Apr 18, 2018 | 22:44
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Disa orë para se Komisioni Europian të jepte rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ambasadorja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, organizoi një takim me përfaqë- suesit e mediave në Shqipëri.

1

Gjatë takimit “off-records”, Vlahutin tha se vendimin real i rëndësishëm do të merret nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian në datat 28 dhe 29 qershor. Sipas saj, pjesa më e komplikuar e procesit do të jetë arritja e vendimi unanim, që duhet të marrin 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Gjatë takimit me gazetarët, ambasadorja nuk përmendi vende të caktuara, të cilat mund të krijojnë probleme gjatë vendimmarrjes, por u shpreh se secili prej tyre mund të ndikohet nga politikat dhe problemet e brendshme. “Vendet e BE-së duan të jenë të sigurtë që vendi kandidat për anëtarësim nuk do të ketë kthim mbrapa”, u shpreh Vlahutin. Duke folur për procesin e anëtarësimit, diplomatja e BE-së tha se sfidat e Shqipërisë do të jenë të mëdha në rast se do të marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave të BE-së në qershor.

Sipas saj, pas këtij vendimi do të nisin një sërë procedurash ligjore, të cilat më pas duhet të zbatohen konkretisht për të arritur standardet e BE-së në të gjitha sektorët e Shqipërisë. “Flasim për gjëra konkrete, qumështi, uji, ajri dhe shërbimet duhet të jenë të standardizuara me ato të BEsë”, tha ambasadorja, teksa po sqaronte pjesën e detyrave që do të ketë Shqipëria në vijim. Duke përmendur rastin e Kroacisë, Romana Vlahutin tha se “Problemi nuk ishte vetëm hapja e negociatave, por përmbyllja e tyre”. Duke folur për të ardhmen e Shqipërisë në BE, ambasadorja tha se “Shqipëria s’do shkojë asgjëkund. Ju duhet ta ndërtoni BE-në në Shqipëri dhe kur dikush do ta vizitojë atë pas disa vitesh, të shikojë se çfarë ndryshimi është bërë”.

PROTESTA E OPOZITËS

Ambasadorja e BE-së dha edhe një koment të shkurtër lidhur me protestën e opozitës në seancën e shkuar parlamentare, ku u goditën me vezë, miell dhe ujë Kryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Vlahutin tha se në demokraci respektohet çdo lojë formë proteste.

Sipas saj, palët janë të lira të luftojnë për kauzat që mendojnë se janë të drejta, por duke respektuar limitet dhe këto protesta të mos kalojnë në dhunë. Për kryediplomaten e BE-së në Tiranë, palët politike duhet të bashkojnë energjitë në drejtimin ku vendi duhet të shkojë, pasi sipas saj, tani është momenti i duhur që ky proces të realizohet. Në këtë takim, ambasadorja nuk e ka kursyer kritikën edhe për mediat, që sipas saj nuk duhet të ç’fokusojnë vëmendjen e qytetarëve te ngjarjet e politikës së ditës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura