Zbardhet pakti i PS me PDIU, ja 3 bashkitë që marrin çamët, 2 të tjera po negociohen

Mar 31, 2015 | 7:55
SHPËRNDAJE

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet largohet zyrtarisht nga kampi opozitar, duke nënshkruar zyrtarizmin e marrëveshjes me maxhorancën e majtë. Dje, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Rama, kanë nënshkruar marrëveshjen për daljen së bashku në një koalicion në zgjedhjet e 21 qershorit.

Rama dhe Idrizi dje pas takimit në selinë e PS

PDIU ka kërkuar në zgjedhjet e 21 qershorit të ketë përfaqësim në 5 bashkitë të vendit, por aktualisht vetëm për tri prej tyre ka marrë miratimin e Kryeministrit Rama. PDIU do të ketë kandidatët e saj për Bashkinë e Peqinit, Bashkinë e Rrogozhinës dhe Bashkinë e Konispolit.

Dy bashkitë e tjera për të cilat PS dhe PDIU po zhvillon ende negociata, janë për drejtimin e Bashkisë së Patosit dhe Bashkisë së Shijakut. Këto dy njësi administrative janë ende në fazë diskutimi mes Ramës dhe Idrizit.

Ndërkohë që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të ketë dhe përfaqësim në kabinetin qeveritar, por ajo do të jetë në nivel zëvendësministrash dhe drejtorësh. Edhe pse marrëveshja nuk është finalizuar ende, PDIU pritet të emërojë një zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.

QËNDRIMI
Pas takimit kokë më kokë mes Idrizit dhe Ramës, krerët e dy partive dolën dje në një konferencë të përbashkët, ku njoftuan arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për vendoret e 21 qershorit. Gjatë prononcimit për mediat, Rama nuk përmendi emrat e bashkive apo kandidatëve, por njoftoi partneritetin e ri.

“Kemi finalizuar një marrëveshje për të ecur në rrugën e partneritetit politik me partinë e drejtuar nga zoti Idrizi. Sigurisht që diskutimi është përqendruar në radhë të parë te vija kryesore e këtij partneriteti politik, çka do të thotë se së bashku me PDIU ne do të jemi në bashkëqeverisje. Natyrshëm kemi diskutuar edhe për stacionin e parë të këtij rrugëtimi, që është stacioni i zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku do të dalim së bashku me 61 kandidatë të koalicionit qeverisës. Më konkretisht, do të shkëmbejmë opinionet dhe vendosim për këto kandidatura me një vëmendje të veçantë ndaj opinionit të PDIU në disa qarqe, ku edhe influenca politike e kësaj partie është më e qenësishme, sesa në qarqe të tjera, ku sidoqoftë ne e konsiderojmë PDIU një partner mjaft të rëndësishëm. E, në rastin konkret të PDIU-së, që në disa prej qarqeve të kemi dhe kontributin e drejtpërdrejtë të PDIU-së”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Shpëtim Idrizi theksoi dje se partia e tij do të këtë kandidatët në bashkitë ku kjo forcë ka treguar peshë elektorale. “Ne kemi rënë dakord të dalim me 61 kandidatë të përbashkët. Sigurisht, në ato qarqe ku pesha e PDIU është më e qartë, ne do të shqyrtojmë kandidaturat tona. Sigurisht që kemi vënë piketat tona duke nisur që nga Konispoli dhe zona të tjera zgjedhore”, tha Idrizi.

Duke folur për kalimin në maxhorancë, Idrizi tha se: “Unë ndaj opinionin e PDIU, duke folur në këtë rast për politikën e jashtme të qeverisë, që ka qenë më dinjitoze dhe më reciproke. Janë këto dhe disa gjëra të tjera që kemi vlerësuar, që na bëjnë të shohim përputhje në programin me PS”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura