Negociatat për zgjedhje me opozitën, zyrtari i SHBA në Tiranë pas protestës

May 10, 2017 | 11:31
SHPËRNDAJE

Faktori ndërkombëtar duket se do të bëjë tentativën e fundit për të futur në zgjedhje Partinë Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës. Pas angazhimit të Brukselit, javën që vjen në Tiranë pritet të mbërrijë zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, shkruan “Panorama”. 

zv Ndihmës Sekretarin Amerikan

Zyrtari i lartë i DASHit, sipas burimeve, do të zhvillojë takime me liderët kryesorë politikë, në përpjekjen për arritjen e një marrëveshjeje mes opozitës dhe maxhorancës.

Mësohet se zëvendësndihmëssekretari i shtetit do të takojë Kryeministrin Edi Rama, Presidentin e zgjedhur Ilir Meta dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo vizitë vjen pas dështimit të negociatorit të Partisë Popullore Europiane, David McAllister.

Ndërsa ditën e djeshme, eurodeputeti Knut Fleckenstein, i angazhuar personalisht për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, ka diskutuar me senatorin amerikan John Mccain. Lajmin e ka bërë të ditur vetë eurodeputeti përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”. “Pata një bisedë konstruktive me senatorin John Mccain në Uashington.

Qëndrimi ynë sa i takon situatës në Shqipëri është i qartë. Ne i kërkojmë PD-së të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Fleckenstein në profilin e tij.

REAGIMI I SHBA-VE

Në një kohë që opozita ka paralajmëruar protestën e 13 majit, Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar shtetasit amerikanë që të kenë kujdes, edhe pse nuk kanë të dhëna për rreziqe të mundshme.

“Ambasada Amerikane në Tiranë njofton qytetarët amerikanë se një protestë e madhe politike është planifikuar të zhvillohet më 13 maj 2017, e cila nis te selia e Partisë Demokratike Shqiptare dhe përfundon para Kryeministrisë. Qarkullimi rrugor mund të preket nga protesta.

Ju lutemi që të ndiqni raportimet në media dhe të ndryshoni planet për atë ditë. Ambasada Amerikane nuk është e shqetësuar për ndonjë kërcënim konkret ndaj qytetarëve apo interesave amerikane. Ambasada u rikujton shtetasve amerikanë se edhe demonstratat me qëllime paqësore mund të kthehen në konfrontime.

Shmangni sheshet e protestës dhe qëndroni larg vatrave, apo tubimeve të tilla. Turma me njerëz mund të ketë në të gjitha rrugët kryesore të qytetit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura