Negociatat për Shqipërinë/ Presidenti i Francës sfidon BE-në. Çfarë deklaroi prapa ‘dyerve të mbyllura’ në Londër dhe çfarë propozon për rajonin

Dec 6, 2019 | 19:11
SHPËRNDAJE

Presidenti i Francës Emanuel Macron dërgoi javën që po përfundon disa mesazhe në drejtim të Shqipërisë. Fillimisht, me një mesazh në shqip në rrjetin e twitterit ai njoftoi dërgimin e ekipit francez për rastet e katastrofave natyrore në Shqipëri. Pas kësaj, ai ofroi në një konferencë shtypi edhe që të organizojë një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit.

51524944_303

Në Watford pranë Londrës, Macroni përsëriti njëkohësisht se nuk pranon që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut për nisjen e negociatave. Kjo në thelb është në favor të Shqipërisë, pasi dihet që Shqipëria ka më shumë kritikë në BE se Maqedonia e Veriut. Mos ndarja e dy shteteve për nisjen e negociatave me BE është edhe qëndrimi i Gjermanisë. Me këto qëndrime Macroni sinjalizoi se nuk ka ndonjë antipati personale ndaj Shqipërisë.

Por të tërheq vëmendjen rrethana se në Londër ai e përsëriti jo-në e tij për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas burimeve të DW në Londër, Macroni tha fjalë për fjalë: “Unë e them shprehimisht se procedurat e anëtarësimit dua t’i reformoj përpara çdo negociate të ardhshme.” Në Londër Macroni tha se do të jetë edhe kundër çdo zgjerimi “që nuk shoqërohet me një reformë të thellë të mënyrës si funksionon BE”.

Pra, të paktën për momentin, po të nisemi nga fjalët e tij, Macroni jo vetëm nuk është larguar nga bllokimi i nisjes së negociatave. Por shkon edhe më tej, paralajmëron se nuk do të pranojë as zgjerim pa reformim më parë të BE. Nga kjo do të prekeshin aktualisht shtete kandidate që kanë avancuar më shumë në negociatat me BE: Serbia dhe Mali i Zi. Një sinjal i Macronit se për të reforma e BE ka vërtet rëndësi dhe se këtu ai nuk bën dallim midis shteteve?

Njëkohësisht, Macroni nuk lë dyshim se i dëshiron shtetet e Ballkanit të lidhura ngushtë me BE. Por siç tha në Londër me këtë ai kupton “edhe një fazë partneriteti strategjik dhe investimesh më të mëdha.”  Pra Presidenti francez përsëriti atë që thotë dokumenti i punës i shpërndarë nga francezët në BE: ai kërkon një fazë më të ngadaltë afrimi të shteteve kandidate me BE, para anëtarësimit.

Në thelb do t’i ngjante një mrekullie që Macroni ta tërhiqte kaq shpejt bllokimin për nisjen e negociatave me shtetet ballkanike.  Ai nuk është tërhequr as nga deklarata se NATO-ja është në gjendje vdekjeje klinike. Përkundrazi, në Londër Presidenti francez tha se është i kënaqur që fjalët e tij kanë nxitur një debat.

Presion publik krahas negociatave

Nevoja e Macronit për ta përsëritur publikisht bllokadën franceze për nisjen e negociatave me dy shtete të vogla ballkanike është një sfidim i ri i vullnetit mbizotërues në BE, pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo megjithëse shtetet që duan nisjen e negociatave të BE me Shqipërinë duket se po ndjekin një strategji të presionit publik mbi Francën. Franca përmendet vazhdimisht si bllokuese.

Fillimisht, menjëherë pas jo-së së parë të Macronit pasoi rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila kërkon nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Pastaj kryetarja gjermane e Komisionit të ri Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh në krye të mandatit se do të këmbëngulë, që “ndryshimet proceduriale (të kërkuara nga Franca) të bëhen gradualisht, dhe që shteteve t’u jepet mundësia të nisin negociatat e anëtarësimit”.

Argumenti gjeopolitik u përsërit këtë javë nga ministrja gjermane e Mbrojtjes dhe kryetarja e CDU-së në pushtet në Gjermani, Annegret Kramp-Karrenbauer. Të dielën ajo tha në Kosovë se ka sfida të reja që i vijnë këtij rajoni. “Ne ndiejmë një ndikim në rritje të Rusisë dhe Kinës”, u shpreh Kramp-Karrenbauer.

Komisari i ri për zgjerimin e BE, hungarezi Oliver Varhelyi ka deklaruar se në fillim të janarit 2020 Komisioni Evropian do të paraqesë një propozim konkret, për të ndryshuar metodologjinë e zgjerimit të BE. Por sipas burimeve të DW, Varhelyi shtoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk është në pikëpyetje, ajo “nuk do të diskutohet.” Për ta konfirmuar këtë ai tha se do të hapet një kapitull i ri i negociatave të BE me Serbinë. Këto janë deklarata të rëndësishme të politikanëve gjermanë dhe evropianë që kërkojnë që reformimi i BE të bëhet paralelisht me zhvillimin e negociatave.

A pritej në Gjermani përsëritja e deklaratës së bllokimit të nisjes së negociatave nga Macroni?

Berlini ka deklaruar se e mbështet Macronin në kërkesën për reformimin e procesit të zgjerimit të BE, por kërkon që premtimet e dhëna vendeve kandidate për nisjen e negociatave të mbahen. Njëkohësisht një zyrtar gjerman citohet në mediet evropiane me fjalët se Macroni po ushtrohet në “Trampizëm intelektual”, se ai ka zbuluar një preferencë për iniciativa destabilizuese, që habisin edhe nëpunësit e tij. Kjo flet për faktin se deklaratat e Presidentit francez në Gjermani i irritojnë zyrtarët, por i habisin pak.

Dritë në fund të tunelit?

Gjasat që Franca t’i përmbahet në vazhdimësi bllokimit të nisjes së negociatave me kandidatët nga Ballkani janë padyshim reale. Por më reale duket këmbëngulja e Macronit për ta ngadalësuar të gjithë procesin e afrimit të kandidatëve me BE deri në një pikë të caktuar: deri atëherë kur Francës, e cila mendon se nga zgjerimi i BE përfiton në radhë të parë Gjermania, t’i ofrohen lëshime në fronte të tjera të politikës evropiane, ku deri tani mbështetja gjermane për idetë franceze ka qenë e vakët. P.sh. për bashkimin bankar në Eurozonë, ku Gjermania ka sinjalizuar së fundi zbutjen e qëndrimit të saj me një propozim që paraqiti. Ose për një buxhet më të madh për eurozonën. Bllokimi francez i disa proceseve në BE erdhi pikërisht kur Presidenti francez u ndje i pambështetur në vrullin e tij për të reformuar Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, duke qenë se samiti i ardhshëm i BE në Zagreb do të mbahet në maj të 2020-ës, pra pas zgjedhjeve komunale të marsit në Francë, qëndrimi i Macronit mund të ndryshojë. Dihet se Macroni nuk do të rrezikojë asgjë. Aq më tepër kur për zgjedhjet, në fshatrat e Francës lëvizja e tij En Marche ka bazë të dobët. Kjo nënkupton që Macroni të mos dëmtohet më parë nga protestat e këtyre ditëve në rrugët e Francës. Deri atëherë, Komisioni Evropian dhe Gjermania do të vazhdojnë negociatat me Presidentin francez.

/DW/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura