Negociatat/ Lleshaj: Qëndrimi i Holandës politik. Kriminaliteti që zhvillohet atje është përgjegjësi e qeverisë së Holandës

Oct 18, 2019 | 14:25
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pranishëm në Dropull, ku inspektoi zyrën e aplikimeve biometrike, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me negociata.

Lleshaj e cilësoi politik qëndrimin e Holanës kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se kriminaliteti që zhvillohet në Holanda është përgjegjësi e qeverisë së Holandës.

75ad9ded-7b65-467c-8057-c70629dc0dc5

Pyetje: Holanda është një nga vendet që është kundër hapjes së negociatave për shkak të kriminalitetit. Çfarë përgjegjësie mbani ju si qeveri lidhur me këtë?

Ministri Lleshaj: Qeveria shqiptare mban përgjegjësi për kriminalitetin që zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kriminaliteti që zhvillohet në Holandë është përgjegjësi e qeverisë së Holandës që të adresohet në thelb.

Megjithatë, në rastet kur autorë shqiptarë kryejnë vepra kriminale në Holandë, ne ndiejmë një përgjegjësi për të bashkëpunuar me autoritetet holandeze, përgjegjësi të cilën e kemi ushtruar me shumë seriozitet. Mund t’ju them që edhe vlerësimet e palës holandeze, sa i përket bashkëpunimit tonë për të luftuar krimin, edhe në Holandë, janë mjaft pozitive.

Qëndrimi i tyre lidhur me negociatat është një qëndrim i pastër politik.

Pyetje: Në pritje të çeljes së negociatave në fakt kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka thënë se do të mbajë përgjegjësi, madje do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Çfarë përgjegjësie do të mbajë qeveria shqiptare nëse kemi një përgjigje negative?

Ministri Lleshaj: Në thelb ne kemi një përgjigje pozitive nga 26 vende anëtare të BE, të cilat e mbështesin pa kushte hapjen e negociatave. Në qoftë se është ky diskutim për hapjen e negociatave, diskutimi shtrohet vetëm për një ose dy vende. Ne nuk mund të themi që qëndrimi i dy vendeve eklipson qëndrimin e 26 vendeve të tjera.

Këtu jemi në një situatë që kemi dy qëndrime të kundërta dhe ne sigurisht jemi shumë mirënjohës për të gjitha vendet e BE, të cilat i kanë thënë “Po” hapjes së negociatave dhe këto janë shumica absolute e vendeve të BE.

Pyetje: Përgjigja negative, do të mbajë qeveria qoftë me zgjedhje të parakohshme apo…

Ministri Lleshaj: Nuk kemi një përgjigje negative. Ne kemi një përgjigje pozitive, e cila tentohet të bllokohet me veto nga dy vende.

Pyetje: Si mendoni ju, pse i bllokon?

Ministri Lleshaj: Besoj që do ta keni ndjekur përgjigjen e Presidentit të Francës, i cili tha se na duhet ne kohë kësaj radhe për të menduar.

Nuk është çështje e Shqipërisë ose e Maqedonisë së Veriut, por u duhet atyre kohë për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me probleme të brendshme të BE. Ne thjesht jemi ndodhur në këtë moment të papërshtatshëm në derën e BE, ndoshta.

Pyetje: A ka një plan konkret Ministria juaj apo DPPSH për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm në datë 26 kur është dhe përvjetori i Kacifas? Priten ardhje masive të mbështetësve të Kacifas nga Greqia. Juve, a keni informacione apo jo?

Ministri Lleshaj: Ne sigurisht informohemi për të gjitha situatat e sigurisë në vend. Ne jemi të bindur që komuniteti i Dropullit di të bëjë zgjedhjet e duhura.

Thashë edhe njëherë që ne vijmë shpesh në Dropull pikërisht për të theksuar rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve të mira midis shqiptarëve dhe grekëve, midis Shqipërisë dhe Greqisë, dhe nuk besoj që rastet e shkëputura të bëhen pretekst për të cenuar këtë marrëdhënie të cilat janë aq të thella dhe aq të qëndrueshme sa nuk mund të cenohen nga incidente sporadike. Sa i përket rastit konkret, nuk mund t’ju them ndonjë gjë të veçantë.

Pyetje: A do të ketë masa të shtuara?

Ministri Lleshaj: Masa të shtuara do të ketë nëse ka nevojë për masa të shtuara, ne nuk mund të themi sot se ka nevojë për masa të shtuara. Ne nuk mund të themi sot që do të ketë nevojë për masa të shtuara, por jam i sigurt që komuniteti i Dropullit është në lartësinë e përgjegjësisë qytetare për të kontribuar që marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Greqisë të ecin në rrugën e duhur. Unë di që ajo që pritet në Dropull nuk është 26-ta por është 28-ta është ajo data kur edhe shqiptarët edhe grekët përkujtojnë një rezistencë të përbashkët kundër fashizmit. Kjo mendoj se ka vlerë për t’u përkujtuar. Sa u përket rasteve të tjera, janë çështje, të cilat nuk meritojnë atë vëmendje, që tentohet t’u jepet nga qarqe të caktuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura