Negociatat e BE me Shqipërinë, Mitsotakis tregon kushtet: Kërkojmë respektimin e minoritetit grek dhe…

Oct 24, 2019 | 10:52
SHPËRNDAJE

opn-190711-Kyriakos-Mitsotakis-1562843573491_16be0bc6cf4_large

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka përsëritur qëndrimin se Greqia është mbështetëse e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për Mitsotakis, kjo linjë nuk i bën mirë vetëm të dyja vendeve, por në tërësi gjithë rajonit të Ballkanit. 

Për Shqipërinë, kreu i qeverisë greke theksoi se vendi i tij është i prirur drejt një fqinjësie të mirë dhe mbështet rrugën europiane, por sipas tij kusht primar është respektimi i minoritetit grek.

“Greqia është në favor të rrugës europiane për në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm sepse shndërron perspektivën në një faktor stabiliteti në rajon, por edhe sepse është një levë demokratike për modernizimin e nevojshëm të fqinjëve tanë dhe për zgjidhjen e çështjeve tona bilaterale. Ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë dëshirojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

Por, kusht për progres të përbashkët, për të çelur një moment rrugën europiane për Shqipërinë, është respektimi i minoritetit grek dhe i të drejtave të tyre”, tha Mitsotakis.

Deklaratën, Kryeministri grek e ka bërë gjatë një takimi në Selanik, ku nuk ka lënë jashtë vëmendjes së tij edhe fqinjin tjetër, që është në pozita të njëjta me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut. Kyriakos Mitsotakis tha se ai dhe maxhoranca që drejton, e cilësojnë si të padrejtë Marrëveshjen e Prespës, por që nuk kanë në plan që të bëjnë ndonjë përpjekje për ta ndryshuar, pasi një veprim i tillë mund të sjellë tension dhe destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit.

“Unë ende besoj se Marrëveshja e Prespës ishte një marrëveshje negative për vendin tonë. Unë votova kundër, por sinqerisht i paralajmërova grekët se çfarë nënkuptonte nënshkrimi i saj. Por nuk do ta fyej stemën tonë, edhe pse të tjerët e kanë nënshkruar. Unë as nuk do ta ekspozoj vendin në aventura. Pa rrezikuar destabilizimin më të vogël, ne do të monitorojmë nga afër detyrimet e fqinjëve tanë, respektimin e fqinjëve tanë me detyrimet e tyre. Dhe pa dyshim që zgjidhja e çështjeve sa më shpejt të jetë e mundur, është mbrojtja e produkteve maqedonase”, tha Kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Greqia u shpreh pro hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e Këshillit Europian, në datat 17 dhe 18 tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura