Negociatat e Ballkanit Perëndimor për një rajon pa dogana dhe kufij

Jan 7, 2020 | 9:56
SHPËRNDAJE

GELANDA SHKURTAJ Gelanda SHKURTAJ

Liderët Rama, Vuçiç e Zaev kanë vënë në jetë idenë që midis vendeve të Ballkanit Perëndimor të nënshkruhet një marrëveshje, që ata vetë e kanë titulluar “Shengen i vogël”. Është një akt ndërkombëtar i mbetur në ide e synime dhe që deri tani nuk është ratifikuar nga parlamentet respektive të këtyre shteteve, por paçka faktit të zyrtarizimit, interesi i tre liderëve ballkanikë është çuarja deri në fund e kësaj marrëveshje. Sot, duke u nisur nga këndvështrimi i skeptikëve, të cilët një herë të vetme duan të dalin jashtë mosbesimit dhe mërive të vjetra ballkanike, do ishte e udhës të gjykohej marrëveshja si një pakt që do të ndihmonte ekonomitë e këtyre vendeve të zhvilloheshin edhe më tej, dhe pse jo do hidhte urat e një paqeje, që nuk ka dremitur asnjëherë në Ballkan. Për këtë arsye, ngacmojnë disa pyetje që kanë nevojë të dihen dhe të sqarohen publikisht: Së pari, përse quhet Mini-Shengen dhe jo fjala vjen mini-Ballkan, përderisa citimi i emrit Shengen jo vetëm nuk është rastësor, por mbart peshën e përfaqësuesit të lidhjes ekonomike më potenciale që mban Europën të bashkuar. Në këtë pikë, ku është e përbashkëta e Shengen-it të vogël me Shengen-in e madh nga pikëpamja e qarkullimit ekonomik dhe e lëvizjes së lirë, paçka kufizimit territorial. Së dyti, çdo qytetar i Shqipërisë do të legjitimohej me të drejtë të pyeste: përse po hyjmë në këtë marrëveshje dhe cili është përfitimi që ne do të kemi në terma të zhvillimit ekonomik? Së treti, pse Shengeni i vogël është i cunguar? Dhe, së fundmi, nëse asnjë nga këto pyetje nuk merr përgjigje sipas logjikës së Shengenit, atëherë mund të përmblidhet se e gjitha kjo është një iniciativë politike e njëanshme dhe pa fryte bashkëpunimi reciproke?

Marrëveshja ekonomike që u pagëzua si “Shengen”

Gjeografikisht, Shengen është një komunë e vogël e Luksemburg-ut, që pagëzoi me emrin e saj një marrëveshje, e cila në vitin e largët 1985 u nënshkrua nga pesë vende anëtare të Bashkimit Ekonomik Europian (kështu quhej asokohe), me qëllimin për të realizuar lëvizjen e lirë, ku sot numëron 26 vende. Nuk është konspiracion të aludosh se mbas çdo marrëveshje ndërkombëtare ka interesa të ligjshëm politikë dhe gjeopolitikë, të cilat nën një frymë ose jo transparence, janë të nënkuptuara dhe të mirëpranuara nga çdo vend anëtar i saj. Arsyeja, mbi të cilën u ngrit dhe u zhvillua kjo marrëveshje qëndroi katërçipërisht mbi interesin e përbashkët dhe reciprok të të gjitha vendeve pjesëmarrëse, për të zhvilluar një tregti sa më efikase dhe pa barriera, duke vënë bazat e një ekonomie të zhdërvjellët dhe fitimprurëse. Edhe pse aderimi i tyre u bë efektiv në kohë e momente të ndryshme, motivi ishte një, i qartë dhe i vetëm: lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve, si preludi i një bashkimi, që nisi nga ekonomia dhe që u pasua me një Europë të Bashkuar.

Atëherë, për analogji, le të kërkojmë arsyen e bashkëveprimit ekonomik në Mini-Shengen. Rama-Vuçiç-Zaev thonë se arsyeja qëndron tek orët e gjata të pritjes së kamionëve në dogana dhe kanë folur saktësisht për 28 milionë orë pritje. Duke qenë se matematika nuk është opinion, imagjinohet se kur dilet me një shifër precize, kjo e fundit është produkt i studimeve të thelluara dhe të përbashkëta midis të gjitha vendeve anëtare, të cilat do të përfitojnë nga kjo heqje dogane. Duke besuar fort se edhe Shqipëria ka pasur ekspertët e saj në këtë studim, ajo që del jashtë çdo logjike normale të qytetarëve shqiptarë është pyetja: po kamionët shqiptarë, çfarë po eksportojnë dhe sa orë kanë pritur në doganën serbe? Në 2019, sipas të dhënave të Bankës Botërore, i vetmi “indeks ekonomik” në rritje në Shqipëri është korrupsioni dhe po sipas raportit të kësaj banke për Ballkanin Perëndimor ka një zvogëlim të rritjes ekonomike në të gjitha vendet, ku thelbi qëndron te mungesa e eficiencës në shpenzimet publike dhe në politikat fiskale të aplikuara.

Pra, e bazuar vetëm në statistika të marra nga institucione ndërkombëtare neutrale, të cilat operojnë në Ballkan, rezulton se interesi i Shqipërisë në tregtimin dhe lëvizjen ekonomike drejt Mini-Shengenit vlen pak, për të mos thënë aspak. Në këtë pikë, duke qenë se i vetmi vend me potencial eksportimi është Serbia dhe përderisa nuk është i balancuar interesi dhe zhvillimi reciprok i vendeve anëtare të marrëveshjes, mund të deduktohet fare mirë se ratio juridike e vendosjes së një pakti ndërkombëtar është të favorizohet ekspansioni vetëm i Serbisë, në shpinë të të tjerëve. Dhe në mos qoftë ky faktori, atëherë përse quhet Shengen i vogël, mos ndofta ky përkufizim bëhet enkas për kundërpeshë Shengenit të madh, i përbërë nga gjigandët e ekonomisë europiane? Mos vallë këta liderë duan t’i japin një “shuplakë” Europës plakë se nuk i pranoi në fazën e negociatave për anëtarësim? Nëse është kjo, mendoj se sjellja në të tilla raste quhet sindroma e Chihuahua-s, ku kjo racë kone i “nxjerrë dhëmbët” pastorit tedesk, thjesht sa për të ngelur tek e njëjta familje biologjike e canis lupus.

Gishtat e këputur të së njëjtës dorë. Përse Kosova nuk është pjesë?

A është normale të përdorin të njëjtin emër traktati, qoftë edhe si metaforë, ato vende të cilat nuk janë pjesë e tij, për më tepër që nuk i lidh as fakti gjeografik, pasi, po të qëndrojmë në të njëjtën linjë arsyetimi, vendi ku është nënshkruar traktati i Shengenit është qyteza me të njëjtën emër e Luksemburgut, e cila gjeografikisht qëndronte në mes të trekëndëshit ku takoheshin disa nga vendet e para anëtare FrancëGjermani(Perëndimore)-Luksemburg. Kështu që, në vijim të logjikës, Mini-Shengeni duhej të merrte emrin e pikës ku përputhej trekëndëshi Shkup-Beograd-Tiranë dhe ku e mesmja e përpjesshme, pa pasur nevojë për Pitagorën do t’i takonte Prishtinës (!). Meqë ra fjala, ku janë vendet e tjera të Ballkanit, si Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova? Janë ftuar dhe nuk kanë marrë pjesë, apo nuk janë ftuar enkas? Të ftuar apo jo, ato “de facto” nuk janë bërë pjesë e marrëveshjes.

Është evidente se pas Mini-Shengenit si një traktat ekonomik, është i pastër qëllimi gjeopolitik, nga ku del qartazi se përfitimi dhe reciprociteti ekonomik midis vendeve anëtare nuk rezulton të jetë as i bazuar dhe as i balancuar. Atëherë, për çfarë arsyeje Shqipëria merr pjesë? Ku qëndron përfitimi që ekonomia e Shqipërisë do të ketë, duke qenë në kolapsin më të rëndë të eksporteve? Cili është përfitimi i qytetarit shqiptar në qarkullim, ku orientimi historik i shqiptarit të lirë ka qenë drejt Perëndimit dhe jo drejt Lindjes dhe ku falë marrëveshjes së asocim-stabilizimit ne lëvizim të lirë në Shengenin e madh? Në këtë pikë, të gjitha rrugët e arsyetimit, pasi pranohet fakti i munguar i zhvillimit ekonomik dhe i interesit të lëvizjes së shqiptarëve drejt lindjes, si dy shtyllat kryesore ku qëndron gjithë synimi i Mini-Shengenit, të çojnë vetiu se interesi është i mirëfilltë politik, për një dalje të Serbisë në detin shqiptar, duke anashkaluar Kosovën. Atëherë, pse u anashkalua Kosova? Shteti kosovar ishte i qartë në politikën e tij doganore në lidhje me Serbinë. I vuri taksat në çdo produkt dhe nëse kjo zgjedhje e lidershipit të qeverisë kosovare ishte e drejtë apo e gabuar, i takon në mënyrë autonome shtetit kosovar dhe askujt tjetër për ta gjykuar atë. Kosova është një shtet i pavarur tashmë. Ardhur deri këtu, rrethi arsyetues ngushtohet në pyetjen e vetme se përse qeveria shqiptare e përkrahu këtë nismë, nga e cila ajo vetë sot për sot nuk ka asnjë përfitim. Përse nuk ngulmoi që në këto negociata të ishte si një faktor i padiskutueshëm gjeografik, ekonomik e gjeopolitik edhe Kosova. Këtu nuk shtrohet çështja të mbështetës dikë në një politikë të padrejtë, këtu çështja shtrohet të arsyetosh në radhë të parë mbi parimin e fqinjësisë së mirë dhe në radhë të dytë si politikanë të një kombi, i cili, përjashtuar këdo që nuk do ta pranojë, sot përbën një faktor demografik në të gjitha vendet që do të përfaqësonin Mini-Shengenin.

Një mesazh nga Shqipëria

Duke qenë Prishtina pika më kulmore e Mini-Shengenit të vetëquajtur nga treshja Rama-Vuçiç-Zaev dhe duke u qëndruar besnik deklarimeve, ajo do të kishte arsyet më objektive për të qenë anëtare e marrëveshjes, për shkakun e vetëm dhe të thjeshtë se kalimi nëpërmjet saj do të shkurtonte 28 milionë orët e pretenduara; së dyti, nëse Prishtina qeveritare nuk pranon heqjen e doganave me Serbinë, në asnjë rast nuk duhet të jetë një shtet tjetër po i rajonit që duhet ta bëjë këtë lëshim, pasi prishen ekuilibra politikë, të cilat do të vërshonin në bllokime dhe aleanca që nuk çojnë në bashkim. Marrëveshje do të thotë bashkëpunim reciprok dhe jo anashkalim me përfitime të njëanshme, pasi kjo krijon premisat e pashmangshme të një konflikti në të ardhmen e afërt. Tirana zyrtare nuk duhet të bëhet kurrë kurrizi mbështetës i karshillëqeve, arrogancës apo kredove politike të asnjë shteti ndërkombëtar, por minimalisht duhet të mbështesë negociata dhe pajtime. Edhe sikur marrëveshja të ishte e pastër ekonomike dhe me qëllim zhvillimi reciprok, që e tillë nuk është, shtrirja e duarve nga ju duhet të nisë me një “më fal”. Kombi shqiptar, gjithmonë paqedashës, nuk është përdorur kurrë si urë “divide et impera – përça e sundo” për asnjë shtet e jo më për gjakun e vëllezërve kosovarëve të vrarë padrejtësisht nga politika radikale e Serbisë, nga e cila ju nuk jeni ndarë as dje dhe as sot. Kështu që, mos u lodhni me marrëveshje që nënshkruhen nga një klikë, e cila nuk përfaqëson as kombin e as Shqipërinë (!). Kështu kurseni kohën dhe shpresat, se paktet e synuara mbi kurriz të Kosovës e me dorë të Shqipërisë nuk janë afatgjata, pasi liderishipi i një vendi është kalimtar dhe nuk mundet të bëjë as historinë të harrohet dhe as kombin të gëlltisë një padrejtësi! Çdo gjë nis me një falje. Në radhë të parë kërkoji falje Kosovës zoti Vuçiç, në radhë të dytë njihe si shtet të pavarur, pastaj eja uluni për marrëveshje, pse jo, edhe për paqen aq të domosdoshme!

*Lektore e së Drejtës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura