“Në Zvicër ka 25 mijë vende të lira pune”, gazetari rrëfen për shkrimin te “Zëri i Popullit” para 2 korrikut

Jul 2, 2020 | 15:20
SHPËRNDAJE

Ishte 2 korriku i vitit 1990, kur historia e Shqipërisë do të merrte një kthesë të jashtëzakonshme.pjimage (1)

Me qindra shqiptarë do të thyenin dyert e ambasadave të huaja në Tiranë, për t’i ikur izolimit, skamjes. Por, sado e papritur të dukej kjo ngjarje, për ata që kanë jetuar në atë kohë dhe njihnin edhe prapaskenat e jetës politike të vendit, asgjë nuk ishte aq e papritur. Gazetari dhe ish-politikani Hamdi Jupe tregon ca episode nga jeta e tij si gazetar i “Zërit të popullit”, që dëshmojnë se rruga drejt hapjes po hapej ngadalë.

Një nga këto shenja u shfaq me shkrimin e profesor “Ylli Popës”, në të cilin nuk flitej vetëm për mjekësinë, por bëhej një skaner i gjithë jetës politike e shoqërore në Shqipëri. Për të vijuar me një njoftim të pazakontë në faqet e “ZP-së”, në të cilin bëhej me dije se në Zvicër kishte 25 mijë vende të lira pune. Fillimisht ky njoftim, pasuar nga të tjerë për “pronën private”, do të kalonin pa u ndjerë, por nuk do të ishin më të tilla pas ngjarjes së ambasadave. Duhej një fajtor dhe ai u gjend, pikërisht kryeredaktori i gazetës, Marash Hajati.

HAMDI JUPE

“NË KËRKIM TË KOHËS SË HUMBUR” Profesor Ylli Popa botoi një artikull të gjatë në dy numra të gazetës (28 dhe 29 prill 1990). Erdhi vetë në mbrëmje në redaksi dhe e kontrolloi shkrimin, me merak se mos po fuste duart dikush në të. Shkrimi i drejtohej elitës së shoqërisë dhe jo lexuesit të zakonshëm, i cili nuk mund t’i kuptonte mesazhet dhe as “detajet” e tij. Titulli: “Në kërkim të kohë së humbur”.

Pra, ne shqiptarët kemi humbur kohë dhe tani duhet të vrapojmë që ta kapim atë. Për këtë arsye, thekson profesori komunist, ne “duhet të shembim një mur dhe të ndërtojmë një urë”. Për çfarë “muri” dhe çfarë “ure” e ka fjalën? Është e vështirë të kuptohet nga lexuesi i zakonshëm, që nuk e di se çfarë luhet në kupolën e lartë komuniste. Gjithsesi, ashtu si “rastësisht” autori tregon disa detaje në esenë e tij. “Një ekonomi e fortë do të thotë jetë më e mirë për popullin, ushqim të balancuar për gratë shtatzëna dhe nënat e reja gjatë periudhës se laktacionit, proteina të bollshme për fëmijët e vegjël, kur u formohet organi i të menduarit, më shumë banesa, mjedis të pastër, dhe, sigurisht, një mjekësi më të zhvilluar. Prandaj, fajin mos na e hidhni vetëm ne, mjekëve”, thotë ai.

Kupto: duhet zhvilluar ekonomia dhe kjo thuhet atëherë kur ekonomia socialiste është e asfiksuar. Autori citon herë pas here “udhëheqësin” Alia dhe fjalimet e tij në plenumet e fundit të partisë, por në artikullin e gjatë nuk përmendet asnjëherë “udhëheqësi i madh” Enver Hoxha. Profesori thekson se mjekësia është fusha e tij, por ai do t’i kapërcejë disa kufij të saj dhe do të flasë edhe për gjëra të tjera, sepse “mjeku nuk mund të veçojë sëmundjen nga i sëmuri, nga shoqëria dhe mjedisi”.

“Gjatë ecjes sonë përpara është e domosdoshme që herë pas here ta kthejmë vështrimin prapa, secili në sektorin e tij, për të parë më mirë rrugën që kemi bërë, kemi shkuar drejt apo me zigzage, çfarë na ka penguar dhe pse e humbëm (!). Pra, retrospektiva t’i shërbejë sa më mirë perspektivës”. Autori, ashtu si “pa dashur”, përmend në një fjali të vetme gjëra që nuk mund të thuheshin më parë në gazetat shqiptare: “… mendova Ramiz Alinë, humanizmin e tij, ligjin e zemrës “gjithçka ose asgjë”; Bushin e Gorbaçovin, ajrin e Elbasanit e pyjet që rrallohen…”.2-Korrik-1990.-Hapja-e-Ambasadave-Dita-kur-shqiptarët-thyen-“murin-e-tyre-të-Berlinit”-Foto-Video-1

Kapërcime të mëdha “pindarike” po bën profesori në shkrim! Ai vijon edhe më tej me gjëra të ndaluara më parë në shtyp: “Pashë i tronditur “Guernikën” e Pikasòsë dhe u mahnita me dritën e derdhur në tablotë e impresionistëve…”. Po çfarë është “Guernika”, që shqiptarët e thjeshtë nuk e njohin, sepse ajo dhe autori i saj kanë qenë të ndaluar për ta? Madje, disa prej tyre si, Maks Velo, Edison Gjergo etj., janë burgosur për ndikime nga kubizmi dhe impresionizmi. Është tabloja e famshme e piktorit spanjoll që tregon masakrën e diktatorit (!) Franko, i ndihmuar nga Musolini dhe Hitleri më 1937 në Spanjë. Tabloja kubiste dhe impresioniste tregon simbolikisht vuajtjet e popullit spanjoll gjatë dhunës dhe kaosit të luftës civile atje. Përse i kujtohet dhe e “trondit” tani profesorin shqiptar vepra e kubistit spanjoll?

Profesori e di këtë, si dhe gazeta që ia boton mendimet. Ai shkon më tej: përfytyron hapjen në Tiranë të ekspozitës me piktura të autorëve të huaj impresionistë dhe ekspresionistë. “Supozojmë një ekspozitë në Galerinë e Arteve me veprat origjinale të impresionistëve dhe ekspresionistëve më të dëgjuar. (Ç’fat i madh për piktorët e artdashësit tanë!). Ja, me radhë tablotë e Monesë, Renuarit, Degasë, Tuluz-Lotrekut, Sezanit, Sislit, Gogenit, Van Gogut etj”. Profesori i mjekësisë kritikon mendimin zyrtar shqiptar në letërsi dhe arte: “…Ata (kritikët e realizmit socialist) duan të na bindin se Pikasò në pikturë, Kafka në letërsi dhe Stravinski në muzikë rrezikojnë pavarësinë e vendit tonë…”.

Marash Hajati
Marash Hajati

“Por ka edhe nga ato (sëmundje) që çojnë në vdekjen e një sistemi shoqëror (!) … Prandaj është mirë të analizohen me kujdes ‘kartelat klinike’ të sistemeve shoqërore (!) që përmbahen në arkivat e historisë për të nxjerrë mësime si të mbrohemi, çfarë të korrigjojmë, kundër kujt të luftojmë, si t’i parandalojmë”. Citohet përsëri Alia: “Tani ne duhet të nxjerrim mësime nga ato që ndodhen në Lindje”. Nuk thuhet se çfarë mësimesh duhet të nxjerrim, por dihet se në lindje sapo kanë ndodhur përmbysje të mëdha.

“Në këtë kohë të mahnitshme që jetojmë, kur historia e Europës e ka përshpejtuar shumë hapin(!), edhe ne, si pjesë e përhershme dhe e pandarë e saj, kemi shumë gjëra për të bërë!”. Profesori i shquar, ashtu si “rastësisht”, flet për nevojën e ndryshimeve të thella në të tria fushat e jetës shoqërore: ekonomike, kulturore dhe politikën e jashtme, për të arritur Europën, që deri tani e kemi sharë dhe kritikuar. Shkrimi ngjall debate te lexuesit për idetë e panjohura dhe për shumë gjëra që mbeten të paqarta.

Ai është një “autopsi” politiko – sociale e sistemit komunist në të gjitha fushat, e ngjashme me “Raportin sekret” të Hrushovit kundër Stalinit në vitin 1956. Vetëm se ky këtu nuk është sekret, sepse botohet në gazetën e partisë. Nga “udhëheqja” nuk ka vërejtje për shkrimin. Profesori e di se ç’bën, ai është deputet dhe mjek i udhëheqjes. Znajet naçalvo. (E di udhëheqja).

Die Flüchtlinge lagern sich im Innenhof des Kanzleigebäudes.
.

“NË ZVICËR KA VENDE TË LIRA PUNE”

Në faqen e katërt të gazetës, kushtuar lajmeve nga bota, u botua një njoftim i shkurtër i çuditshëm: “Në Zvicër ka vende të lira pune”. Jepet edhe shifra: 25 mijë vende të lira pune atje. Në pamje të parë, lajmi “mikroskopik” në mes të faqes nuk binte në sy në morinë e lajme të tjera. Por nuk ishte ashtu. Ai bëri bujë. Dukej sikur po u thoshte shqiptarëve. “Ç’prisni më këtu? Ja ku e kini Zvicrën!”.

Ç’donte ky lajm në gazetën e partisë? Në tërë historinë e saj ajo kishte shkruar për papunësinë si plagë e rëndë shoqërore e vendeve borgjeze dhe revizioniste, ndërsa tani thoshte se atje ka vende të lira pune. E ku pa, në Zvicër. Si kishte shpëtuar dhe ishte futur lajmi “diversant” në gazetë? Lajmet e jashtme shpërndaheshin nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e vetmja e tillë në vend. Si i kishte “shpëtuar” ATSH-së ai? Dihej se ishin dy buletine lajmesh: njëri “i brendshëm”, për udhëheqjen me lajme të rezervuara, ndërsa tjetri për shtypin. Në rrethet e gazetarëve diskutohej për këtë njoftim të pazakontë. Kush ta ketë bërë këtë dhe për ç’qëllim?

Kuptohet se ky nuk është një gabim i rastit, një pakujdesi apo diçka tjetër e tillë, që i ka shpëtuar sektorit të jashtëm të gazetës. Po edhe sikur t’i shpëtonte atij, ka edhe disa filtra të tjera gazeta që mund ta kapnin “gabimin”. Prit tani kur ta hajë dikush për këtë gafë. Por ditët kalonin dhe nuk kishte asnjë reagim, asnjë masë ndëshkimore, asnjë vërejtje apo kritikë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, asgjë. Në një kohë tjetër, dikush mund të kishte përfunduar në Spaç për këtë.

Duket se gjithçka është bërë me dijeninë e “njëshit”, pra, të kryeredaktorit. Atij i vjen edhe buletini “i brendshëm” i ATSH-së. Edhe ky lajm gëlltitet në heshtje nga gazetarët, ashtu si edhe shumë të tjera të kësaj natyre. Por domosdo, ai lë gjurmë te disa të tjerë jashtë saj për atë se çfarë po ndodh me gazetën e partisë, që nuk ka ndodhur më parë. Do t’ia dëgjojmë “krismën” shpejt këtij lajmi dhe prandaj disa mbajnë shënime për këto “devijime” të gazetës, sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi për to.

“DO SHKRUAJMË PËR PRONËN PRIVATE”

Në mbledhjen e kolegjiumit të gazetës, kryeredaktori Hajati kishte thënë diçka të pazakontë: “Tani do të fillojmë të shkruajmë në gazetë edhe për pronën private”. Të pranishmit kishin hapur sytë të habitur. Ç’thotë kështu kryeredaktori? Me siguri e ka pasur fjalën për “pronën vetjake” dhe ka thënë gabimisht “pronën private”.

Dikush nga të pranishmit ndërhyri: – Me sa duket, ju e kishit fjalën për “pronën vetjake”, kur folët për “pronën private”, shoku Marsh – Deri atëherë prona private për konceptin komunist (edhe atë të gazetës, natyrisht) ishte një koncept i huaj.

Ndërsa “prona vetjake” janë plaçkat e shtëpisë, pra, ato lejohen. Këtë duhet të kishte pasur parasysh kryeredaktori, kur kishte folur për “pronën private”.

– Jo, jo, – ishte përgjigjur Hajati. – E kisha fjalën për pronën private. Prandaj tani duhet ta kemi parasysh edhe këtë në gazetë. Këto fjalë të tij morën dhenë, si diçka e padëgjuar më parë: ka thënë kryeredaktori, anëtar i Komitetit Qendror, që duhet të shkruajmë edhe për pronën private.

Pra, ajo nuk është më e keqe, armike, shfrytëzuese, që mbështetet te mbivlera (e shpjeguar nga Marksi te vepra e tij “Kapitali”) siç po mendonim dhe kishim shkruar deri tani. Jo, tani ka ide të reja. Gjëra të çuditshme po dëgjonim, por ja që ishin të vërteta, sepse dilnin nga goja e kryeredaktorit.

Më 11 deri më 13 maj, Shqipërinë e vizitoi për herë të parë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Havier Perez Dekuelar, i ftuar nga qeveria shqiptare, në përpjekje të vendit komunist për të thyer vetizolimin dyzetvjeçar. I pritur nga Alia, ai theksoi ndër të tjera, rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, ku bën pjesë edhe prona private dhe liria e lëvizjes. Ai kërkoi që qeveria shqiptare të lejonte largimin për në Itali të familjes Popa nga Durrësi, që ndodhej prej pesë vitesh e bllokuar në ambasadën italiane në Tiranë, ku kishte kërkuar strehim politik. Kërkesa e tij u plotësua duke i pajisur ata me pasaportë shqiptare për jashtë shtetit.

KOMUNISTI “BORGJEZ” PILO LALA

Në frymën e porosisë më të re duhej shkruar. Ja rasti: një qytetar në Lushnjë me emrin Pilo Lala, anëtar partie, kishte hapur një aktivitet privat: qebaptore. Si për karshillëk, në krah të hotel “Turizmit”, në një ndërtesë pronë e shtetit.

Me porosi të kryeredaktorit, shefi i sektorit ekonomik të gazetës Sh. Meka niset për atje. (Në Tiranë nuk ka ende asnjë gjurmë të pronës private). Takon Pilon, bisedon me të, shikon aktivitetin modest që ka filluar atje dhe kthehet në Tiranë. Duket qartë se biznesi privat i Pilos është me miratimin e autoriteteve lokale atje. Të nesërmen botohet artikulli për privatin e parë shqiptar Pilo Lala. Njëqind e njëzetë mije kopje të gazetës së përditshme i bëjnë jehonë punës dhe pronës private, për të cilën deri tani ishte thënë se “pjell çdo ditë, çdo orë kapitalizmin”.

Artikulli vlerësohet si “interesant” për idenë e re që sjell. Domethënë, merreni vesh ju: nuk është gabim të punosh privat. Ky është mesazhi. Pilos në Lushnjë i vjen mirë. Aktiviteti i tij shkon mbroth, njerëzit i pëlqejnë qoftet dhe shishqebapet, jo vetëm sepse në dyqanet shtetërore “të bjerë miu thyen kokën”, por atë e ka lavdëruar edhe gazeta e partisë. Ku ka më mirë, gazeta po i bën reklamë pa pagesë aktivitetit privat. Bukur! Por jo, nuk është tamam ashtu. Dikush në udhëheqje është i shqetësuar nga shkrimi.

Si ka mundësi që gazeta të lavdërojë punën dhe pronën private? Aq më tepër që Pilo Lala është anëtar partie. Kemi thënë që do të lejojmë privatizimin, por jo për komunistët. Vërejtja e udhëheqjes mbërrin në redaksi. Ajo është direktivë partie, prandaj duhet reflektuar. Gazeta lëpin plagën dhe gëlltit sfidën. “Udhëheqja” është pjerdhur nga trutë e kokës: çfarë thotë në mëngjes, nuk thotë në mbrëmje.

A nuk kemi folur për “pluralizmin e mendimit!”. Gazetari tjetër i saj, A. Nuri, bën artikullin me titull: “Edhe komunist, edhe privat?!”, sipas vërejtjes më të fundit. Pra, është gabim i madh që komunistët të merren me punë private.

Ata vetëm duhet të bëjnë sehir se si po pasurohen të tjerët. Pilo Lala është i shqetësuar: Çfarë po ndodh kështu me mua? Një herë më lavdëron gazeta dhe pastaj më kritikon. Prit tani kur të marrin ndonjë masë partie. Piloja niset për Tiranë të takojë gazetarin që ka bërë shkrimin e parë dhe ta pyesë se si qëndron puna. Ka marrë me vete edhe ca mish të pjekur, sepse është rritur niveli i biznesit të tij pas reklamës në gazetë. T

ë dy shkojnë në një lokal pranë për të “qarë hallin” me nga një gotë raki përpara.

Tryeza i ngjan asaj të një vakìe.

– Nuk di si t’ia bëj. Kam frikë se do më marrin në qafë fëmijët, – thotë Piloja.

– E di ç’ke ti, Pilo? Ta pimë këtë gotë dhe kthehu në Lushnjë. Vazhdo punën që ke filluar atje e mos shiko se çfarë shkruajnë gazetat. Na e lër neve këtë punë!

– Ç’mund t’i thoshte tjetër?

“KUR KOHA TA SHKURTON VENDIN”

Kryeredaktori Hajati jo vetëm jep detyra për gazetarët, por shkruan edhe vetë. Shkrimet e tij tërheqin vëmendjen. I tillë ishte ai me titull: “Kur koha ta shkurton vendin”. Artikulli i madh në katër kolona të faqes dy, është një kritikë e fortë për punën e administratës shtetërore dhe asaj të Partisë.

Kryeredaktori guxon të kritikojë rangjet e larta, duke shkruar shprehimisht: “Le të jesh kushdo: deputet, sekretar i parë apo anëtar i Komitetit Qendror, nëse nuk e justifikon vendin e punës, duhet të largohesh”. Vetëm anëtarët e Byrosë Politike nuk ishin përmendur, por, kuptohet, shkrimi po i binte pragut të dëgjonte dera. Shprehje të tilla “të ashpra” nuk janë vënë re kurrë në gazetën e partisë, veçse për armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm.

Me kë e ka gazeta vallë, kur shprehet kështu? Kryeredaktori vetë është anëtar i Komitetit Qendror dhe, siç flitet, mik personal që nga fëmijëria i udhëheqësit Alia. Mos e ka nxitur gjë shoku Ramiz të flasë me këtë gjuhë në gazetë? Ndoshta, prandaj duhet pasur kujdes. T’ia ngremë Marashit në mbledhjet e Komitetit Qendror këto kritika që bën, sepse sikur po e tepron ca.

ÇFARË NDODHI MË 2 KORRIK?

Mijëra qytetarë, tiranas dhe nga rrethet, mësynë ambasadat e huaja në Tiranë. Një ngjarje e pashembullt kjo, jo vetëm për vendin tonë. Shtypi shqiptar nuk thotë asnjë fjalë për të, megjithëse ajo po ndodh para syve të tij. Kush i nxiti ata të kërkonin strehim në ambasada? Ka shumë fjalë për këtë. Midis tyre, edhe një “teori konspiracioni”, sipas së cilës ata i nxiti Sigurimi i Shtetit, i cili përhapi fjalë (“ashtu fshehurazi”) se “janë hapur ambasadat, prandaj, o burra të hyjmë!”

Ditë më parë, disa punëtorë të pastrimit në Tiranë kishin kërkuar strehim në ambasadën turke. Ata ishin nisur për Turqi të pajisur me pasaporta shqiptare, sipas “modelit” të mëparshëm të vëllezërve Popa. Kjo ndodhi pas vizitës zyrtare “miqësore dhe vëllazërore” të Kryeministrit shqiptar, Adil Çarçani, në republikën turke. Gojëdhënat nuk mund të vërtetohen, por ka ca të vërteta të tjera të pakundërshtueshme.

E para: ai njoftimi i shkurtër në gazetën e partisë, sipas të cilit në Zvicër ka vende të lira pune, prandaj, “hidhuni, ç’prisni!”, e ka pasur një rol në këtë histori.

E dyta: ndryshimi i Kodit Penal, sipas të cilit arratisja jashtë shtetit nuk cilësohej më “tradhti e lartë ndaj atdheut”, por “kalim i paligjshëm i kufirit” dhe dënohej shumë më lehtë se më parë.

E treta: brenda pak ditësh, mbi pesë mijë vetët që hynë në ambasada u pajisën me pasaporta për të ikur jashtë “si njerëz”. Kaq shumë pasaporta nuk ishin shpërndarë gjatë tridhjetë viteve të fundit të marra së bashku.

E katërta: Ata ikën me autobusë, avionë e tragete, pa asnjë pengesë nga shteti i tyre dhe mund të riktheheshin në atdhe kur të donin, me pasaportat në duar, pa u hyrë gjemb në këmbë, edhe pse kishin shkelur nenin e “kalimit të paligjshëm të kufirit”, Kodi Penal (i ndryshuar) në fuqi.

Mos ndoshta, regjimi komunist po i bënte presion perëndimit: ose na hapni dyert, ose ju erdhëm vetë atje me falangat e refugjatëve? Nuk konfirmohet, por lë vend për dyshime. Kjo “valvulë” shkarkimi si tenxherja e presionit me shqiptarë që ikin jashtë, do të hapet herë pas here në të ardhmen. Pas gjashtë muajsh, mijëra minoritarë grekë nga jugu i vendit morën udhën për Greqi, duke u hapur rrugën më vonë edhe të tjerëve, ndërsa pas tetë muajsh u nisën drejt Italisë anijet transoqeanike me mijëra shqiptarë të tjerë në to. Rruga ishte hapur nga familja Popa një muaj më parë, pas vizitës së Dekuelarit në Shqipëri. Doni refugjatë ju, jua dërgojmë ne.

Popullsia, si askund tjetër në botë, ishte katërfishuar gjatë dyzetë vjetëve të fundit, sipas parimit: gruaja që lind tetë fëmijë shpallet “nënë heroinë”. Burimet ekonomike të asfiksuara pas prishjes me kinezët, nuk mund të mbanin si duhet kaq shumë njerëz me “…ushqim të balancuar për gratë shtatzëna dhe nënat e reja…, proteina të bollshme për fëmijët e vegjël, … më shumë banesa” etj., etj.(Shiko më lart nga profesor Popa)

“Vendi ka vetëm gjashtë ditë bukë”, do të deklaronte Kryeministri Bufi pas një viti. “Daleni, daleni, se ju nuk i dini të gjitha”, do t’u thoshte Alia studentëve në takimin me ta në dhjetor. Presidenti italian, Cosiga, do të vinte me urgjencë për t’i “tërhequr veshin” Alisë për valët e pandalshme të refugjatëve drejt vendit fqinj.

“Boll më, se e bëtë baltë fare, domethënë!”. Më së paku, shteti komunist ishte i interesuar që valë të caktuara të të pakënaqurve “problematikë”, të merrnin herë pas here rrugën e largimit. Kështu ai do të ishte më i qetë nga trazirat e mundshme brenda vendit.

“GJYQI” BOLSHEVIK PËR KRYEREDAKTORIN

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit Qendror për ngjarjen e ambasadave plasën kritika të ashpra. Është “zbuluar” shkaku: gazeta e ka fajin që na nxinë faqen para botës ata që ikën. A nuk ka shkruar ajo se ka vende të lira pune në Zvicër? Njoftimi është i ATSH-së, por shkopinjtë bien mbi gazetën. Botimi për Zvicrën komentohet nga “udhëheqja” si thirrje e saj për të sulmuar ambasadat. Të na sqarojë shoku Marash se ç’kuptim ka titulli i shkrimit të profesor Popës, “Në kërkim të kohë së humbur”.

Për çfarë kohe “të humbur” e ka fjalën, se nuk e kuptojmë? Përse ai nuk e përmend asnjëherë emrin e shokut Enver në artikullin e tij, ndërkohë që përmend Bushin dhe Gorbaçovin? Komunistët në bazë pyesin të shqetësuar: cilin artikull të besojmë: atë që lavdëron Pilo Lalën privat, apo atë që kritikon Pilon për këtë punë? Se nuk dimë çfarë përgjigje t’u japim njerëzve, domethënë. Kritikat për gazetën nuk rreshtin. Kali që kapet shin lëmin. Tani lëmin po e “shinte” Marashi i partisë. Ata që hynë në ambasada janë vetëm sebepi i pezmit të grumbulluar prej kohësh ndaj gazetës.

Lajmi i botuar për dorëheqjen e Presidentit bullgar Mlladenov, merret si provokim i gazetës ndaj udhëheqësit tonë: pra, të japë dorëheqje edhe Alia. Pasuesit e “grushtit të hekurt” në udhëheqje thërrasin me tone të ashpra: gazeta po na nxjerr sytë. Alia e gjen fajtorin: “Zëri … ” ka kryeredaktor. Ai le të japë shpjegime”.

Pra: kryqëzojeni mikun tim të vjetër Hajati! Boll më, nuk mund ta durojmë më tej! Gazeta e partisë ka dalë mbi partinë. (Kujtime të Hajatit në librin: “Shqipëria në kapërcimin e shekullit”). Nuk është e vështirë të dalin “sekretet” e mbledhjes. Le që nuk ka më të tilla, prej kohësh ato bëhen të hapura. Kryeredaktori është shkarkuar nga detyra, pa e mbushur ende një vit e gjysmë atje, për “gabime të rënda ideologjike”.

Demaskimi i “veprimtarisë devijacioniste” bëhet në prani të tij në gazetë nga këshilltari i posaçëm i Alisë, Sofokli Lazri, ditën që Hajatin e prisnin në Shkodër për të përcjellë babanë e tij për në banesën e fundit. Nuk mund të lejohet më asnjë minutë vakum. Ish-studentët e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik kishin nxjerrë thikat “marksiste” kundër njeri-tjetrit, edhe pse “Pjerestrojka” e Gorvaçovit kishte mbërritur tashmë në Tiranë.

Këndo, o muzë, zemërimin e Komitetit Qendror ndaj “armikut të brendshëm” më të ri të partisë! Është drejtuesi i parë në dyzetë e tetë vjet të jetës së saj që pushohet kështu “me ceremoni”. Pak javë më parë, ai kishte botuar artikullin “Kur koha ta shkurton vendin” dhe ja ku iu shkurtua atij të parit. Ti ishe mur i lartë, por ne ta hëngrëm kokën. Alia kishte bërë “kurbanin” e radhës: e kishte shitur mikun e vjetër, të sjellë në gazetë për të ndihmuar proceset demokratike.

Duaje veten më shumë se shokun. Krahu konservator po triumfonte në kupolën komuniste, të paktën përkohësisht. Nuk kishte humbur Hajati, kryetar i Bashkimit të Gazetarëve si individ, po rruga e reformave të nisura, ku gazeta kishte pasur rolin e saj parësor. “Stuhitë” shkundin verën që zhurit.

Nuk dihej se çfarë rruge do të merrte më tej vendi dhe gazeta. Gjatë katër muajve të punës atje e kisha takuar vetëm dy herë nga dy minuta në zyrën e tij. Por e dija që ai kishte firmosur për të më marrë atje, pas katërmbëdhjetë vitesh pune në veri. Nuk e njihja më parë, thjesht i kishin pëlqyer shkrimet si bashkëpunëtor i jashtëm, prandaj kisha arsye ta përjetoja me trishtim largimin e tij.

Vite më vonë e takova në një aktivitet të kompanisë së birrës “Stela”, në përurimin e një linje të re prodhimi në autostradë. Punonte si zëdhënës i shtypit dhe na paraqiti prodhimet e reja të saj. Kishte mbetur pa punë njeriu më i rëndësishëm i shtypit shqiptar dhe tani po siguronte bukën në sektorin privat, për të cilin kishte folur dikur në gazetë. (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura