Në spitalin e Traumës ende 19 persona të lënduar nga tërmeti, ministrja jep detajet për gjendjen e tyre

Dec 6, 2019 | 13:40
SHPËRNDAJE

dcd392e6-81b5-4a2f-9986-83451d6d12d4

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vizituar të lënduarit e mbetur në spitalin e Traumës, gjendja e të cilëve është në përmirësim të dukshëm.

“Më shumë se 900 morën shërbim në spitalet tona nëpërmjet shërbimit kombëtar të urgjencës, tek Truama, në spitalin e Durrësit, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku më së shumti pjesa më e madhe e të lënduarve erdhën në këtë spital për të gjetur këtu kujdesin mjekësor, trajtimin mjekësor më të mirë”, tha Manastirliu.

Në Spitalin Universitar të Traumës, Manastirliu ka falenderuar stafin mjekësor dhe infermieror për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtyre ditëve në shërbim të të lënduarve nga tërmeti.

“Jam e kënaqur sot që pas kaq ditësh e gjejmë veten tashmë në një situatë të qetë. Dhe unë do të doja që t’ju falenderoja por jo vetëm kaq, por t’ju tregoj gjithë mirënjohjen, respektin më të madh që ne kemi përkundrejt stafeve tona mjekësore dhe infermierore që kanë treguar si gjithmonë që janë të parët për të dhenë shërbim dhe kujdes qytetarëve dhe sidomos në këtë rast të lënduarve nga tërmeti i datës 26, edhe më pas në atë çfarë pasuan përgjatë gjithë këtyre ditëve”, tha ministrja.

Si pasojë e tërmetit u trajtuan në spitale 913 qytetarë dhe aktualisht nën kujdesin e mjekëve vazhdojnë të jenë 19 pacientë, kurse 3 pacientë janë transferuar për trajtim të specializuar jashtë vendit. 3,900 vizita mjekësore janë kryer nga stafet mjekësore dhe infermierore në njësitë akomoduese në zonat e prekura nga tërmeti. Në këto njësi akomoduese janë vaksinuar 900 qytetarë ndërkohë që 402 të sëmurëve kronikë u është mundësuar ofrimi i barnave me rimbursim. 1,700 fëmijë po marrin shërbim psiko-social nga 300 psikologë dhe punonjës sociale në të gjithë qendrat e akomodimit ku janë vendosur familjet e prekura nga tërmeti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura