“Në shtëpinë tonë nuk ka të tepërt”/ Basha: Le t’i dëgjojmë dhe mirëpresim të gjithë kritikat konstruktive dhe të bëhemi gati…

May 12, 2021 | 12:18
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me demokratët e Lezhës tha se kritikat konstruktive brenda partisë janë të mirëpritura.

Në fjalën e tij, kryedemokrati u shpreh se PD është parti e hapur, por gjithashtu deklaroi se “në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt”.

Sipas Bashës, kush është i lodhur nga betejë e Partise Demokratike do te thote se ka hequr dorë nga Shqipëria. Ai theksoi theksoi gjithashtu se regjimi Rama-Doshi i ka ditët e numëruara.

“Natyrisht miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën dhe lirinë e vetë për shprehjen e mendimit, ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e vetes dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime. Por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt. Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjithë kritikat konstruktivë, idetë dhe konceptet teksa bëhemi gati që mbi 680 mijë shqiptarë që na besuan në valën tonë të ndryshimit t’i udhëheqim në vazhdimin e kësaj beteje deri në fund.

Ju e keni patur dhe shumë shpejt do ta keni përsëri të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit tuaj me votë, por tani e gjithë vëmendja jonë duhet të jetë tek mobilizimi i çdo energjie të demokratëve, të mbështetësve tanë të atyre që na besuan pavarësisht nëse janë apo jo votues tanë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara. Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë  hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim.

Kush është i lodhur nga kjo betejë ka hequr dorë nga Shqipëria, ka hequr dorë nga demokracia, është kthyer vetvetiu në një skllav të Edi Ramës, Tom Doshit, Arben Ndokës me shokë. Kush është lodhur nga kjo betejë është dorëzuar dhe pranon që fatin e familjes së vet, fatin e fëmijëve të vet t’ia dorëzojë atyre të cilët në familjen tonë nuk do t’i qasnim kurrë. Përfundimi i kësaj beteje është i pashmangshëm dhe fundi i regjimit Rama-Doshi, është fitorja e Shqipërisë. Këtë betejë ne e nisëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk e nisëm për veten tonë”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura