Në Shqipëri për dokumentet e pushime, por pas kushtit të ri nga Greqia…/ Skandali në Kakavijë, mijëra vetë në radhë kilometrike për të kaluar kufirin

Aug 15, 2020 | 8:50
SHPËRNDAJE

Mijëra emigrantë shqiptarë janë duke u përballur me një radhë kilometrike në Doganën e Kakavijë, në mënyrë që të hyjnë në territorin grek para datës 16 gusht.

Kakavija1-696x427

Prej tri ditësh, qytetarët shqiptarë janë duke qëndruar në makinat e tyre të paushqyer dhe në mes temperaturave të larta, me shpresën se do t’u vijë radha për të kaluar në Greqi. Ditën e djeshme, situata është tensionuar dhe qytetarë të shumtë kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, pasi situata sa po vinte dhe po bëhej më alarmante.

Fëmijë të vegjël që nuk i rezistonin vapës përfundonin në ambulancë, të moshuar të sëmurë që shtriheshin në rrugë e në pamundësi për të qëndruar qoftë edhe ulur.

Të paktën pesë persona dje janë marrë me ambulancë duke u dërguar në Spitalin e Gjirokastrës, pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore si pasojë e qëndrimit të gjatë në makinë dhe mes temperaturave të larta.

Kjo situatë është krijuar për shkak se Greqia ka vënë si kusht bërjen e tamponit për të kaluar kufirin dhe ai mundësohet falas për kategoritë që lejohen të hyjnë.

Arsyeja tjetër është se në datën 16 gusht në Greqi hyn në fuqi vendimi se çdo person që hyn në vend duhet të karantinohet 7 ditë dhe qytetarët duan të shkojnë përpara kësaj date duke krijuar radhë të gjata.

Një tjetër arsye e krijimit e radhëve të gjata në Kakavijë, është se ka vetëm 2 mjekë, të cilët punojnë 12 orë për t’u bërë tamponin emigrantëve, ndërsa numri i lartë i qytetarëve nuk mund të përballohet, pasi identifikimi, marrja e të dhënave dhe bërja e tamponit kërkon kohën e duhur.

Arsyeja tjetër është se pala greke është e mbyllur në harkun kohor 22:00- 06:00, duke kufizuar një pjesë të madhe të punës. Pikërisht arsyet e sipërpërmendura, bënë që vargu i makinave të shkojë deri në fshatin Jorgucat, në drejtim të Sarandës.

Nga ana tjetër, qytetarët janë shprehur se arsyeja që ata kishin ardhur në Shqipëri, ishte ripërtëritja e kartave të identitetit/ pasaportave dhe disa prej tyre për të kaluar pushimet.

Por, kufizimet e shtetit grek për shkak të COVID-19 bënë që ata të kthehen në vendin ku punojnë.

Pas agravimit të situatës, në Doganën e Kakavijës shkuan forca të shumta policore, të cilët bënë të mundur edhe shpërndarjen e bidonëve me ujë për qytetarët.

REAGON AMBASADA GREKE NË SHQIPËRI

Ambasada greke në vendin tonë ka reaguar pas situatës kaotike të krijuar në Kakavijë nga radha kilometrike e shqiptarëve që presin të kalojnë në tokën helene.

Ambasada ka njoftuar se në Pikën Kufitare të Kakavijës do të lejohen të kalojnë 750 persona në ditë, ndërsa në Kapshticë 300 persona.

Sipas vendimit të qeverisë greke i datës 13.08.20, të përjashtuar nga ky kufizim janë: Personat që kanë pasaportë greke, kartën e identitetit të Posaçëm të homogenit dhe lejen e qëndrimit, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi dhe të gjithë ata që kane marrë leje për nevoja absolutisht të rëndësishme.

Ata që do të shkelin këtë rregull do të ndëshkohen me 5000 euro gjobë.

Ndërsa kalimi do t’u lejohet vetëm atyre që kanë rezultuar pozitivë në 72 orët e fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura