Në Shqipëri Pallati i Drejtësisë është “tokë e xanun”

Jul 21, 2018 | 11:49
SHPËRNDAJE

ILIR DEMALIA

Me largimet nga vetingu, Gjykata Kushtetuese ka pushuar së funksionuari. Kjo do të thotë që ka rënë i gjithë sistemi i (ç)drejtësisë i ngritur si sistem i padrejtësisë. Apo më saktë, si sistem kriminal i rrupatjes, korrupsionit, mbrojtjes së krimit të organizuar dhe lidhjeve të këtij krimi me mafien politike. Ky prodhim postkomunist i të gjitha sundimeve politike të katrahurës shtetërore të këtyre 27 viteve, ka shkuar dhe më tej se diktatura, ku brenda kornizave të një shteti diktatorial, formalisht, nën urdhrat e diktatorit, Gjykata Kushtetuese funksiononte si roje kushtetuese dhe interpretim kushtetues i diktaturës.

ilir demalia

Në një vend ku besueshmëria ndaj institucioneve të shtetit është krejt e pabesueshme. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund të mbrojë Kushtetutën. edhe pse formalisht si pjesë e krimit të shtetit informal. Mirëpo, kur edhe Gjykata Kushtetuese dhe i gjithë sistemi i drejtësisë, dhe institucionet e shtetit, dhe administrata strehohen në një godinë të vetme, atë të krimit për të mbrojtur krimin, si pasurim individual, familjar, për të pasuruar dashnoret dhe lloj-lloj perversitetesh si lidhje me krimin sepse, sa më shumë krim i shfajësuar, e kjo do të thotë, jashtë (i lirë), aq më shumë pasurim marramendës i gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjithë sistemit politik dhe administrativ për prodhim krimesh, pasuri të shtuara për të mbajtur pushtetin politik. Kjo po ndodh sot me Rilindjen.

Vakumi institucional i tërë sistemit të drejtësisë si hallka më e korruptuar në bashkëpunim me politikën dhe krimin, qartazi shfaq se çfarë shteti ka funksionuar në këto 27 vjet.

Shqiptarët në këto 27 vjet janë nëpërkëmbur, janë poshtëruar dhe shpërdoruar. I është marrë prona dhe nuk i është dhënë ajo. I është vjedhur prona publike dhe paraja publike.

Shkatërrohet qyteti çdo ditë. I është denatyralizuar natyra. Intelektualët, artistët, akademikët, fshihen pas mëngëve tê pushtetit apo xhepave të pushtetarëve duke abuzuar me paranë publike për lëmosha nënshtrimi e përfitimi të radhës, se për art nuk bëhet fjalë, pasi edhe arti tashmë është pronë e Kryeministrit. KM e ka godinën Galeri Artesh Figurative, Bibliotekë Kombëtare, promovime librash, premiera filmash, të gjitha këto në shërbim të KM dhe klanit të tij për shkatërrimin e së “vjetrës” dhe për ndërtimin e “botës së re”. Pa firmën e të madhit KM nuk mund të lançohesh, mund të lançohesh vetëm me firmën e tij. I madhi KM i ka bllokuar të gjitha institucionet, e kjo do të thotë se ka bllokuar funksionimin e shtetit.

Në të gjithë këtë, i madhi KM ka mbështetjen e intelektualëve dhe artistëve të shërbim-shërbesës për përfituesit e abuzimit të pushtetit dhe parasë së krimit. Janë po ata, si dje dhe sot, veçse ndërrojnë kuajt sipas garës së radhës.

E gjitha kjo ka ndodhur sepse shqiptarët nuk kanë mundur të ngrenë godinën e drejtësisë dhe duket e largët dita kur shqiptarët do të ngrenë atë.

Tashmë, shteti pa sistem drejtësie dhe me mosfunksionim institucionesh si mungesë e arbitrit të drejtësisë i ka hapur udhën KM, që me forcën e kartonëve të një Parlamenti që vepron dhe funksionon si klan mafioz i tij, si rilindje krimi dhe uzurpimi të shtetit, medias dhe shoqërisë civile, me një opozitë të mefshtë, por edhe përgjegjëse e këtij degradimi shtetëror si shkak i lidhjeve klienteliste të oligarkëve të krimit, ku edhe ata (opozita) kur ishin në pushtet silleshin kështu. KM tashmë e ka rrugën tê hapur të shembë jo vetëm Teatrin Kombëtar, por edhe shtëpitë tona.

KM do ta shembë Teatrin se nuk ka asnjë pengesë. Gjykata Kushtetuese, që duhet të bllokojë këtë si shkelje kushtetuese, ka pushuar së ekzistuari. Rezistenca civile qytetare është e mpirë, nuk ndien më jo për Teatrin, por as për tërmetet.

Shqiptarët pas Botërorit do pyesin, sa është koeficienti, do prishet apo nuk do prishet Teatri? Nga rezistenca e atyre që dalin çdo ditë te Teatri dhe për të mos u prishur, i bie që koeficienti të jetë 1 për qind nuk do prishet; dhe 99 për qind do prishet.

Sipas analistëve amerikanë, me qeverisjen Rama të këtyre 6 vjetëve, demokracia ka rrëshqitur mbrapa dhe sistemi i drejtësisë ka mbaruar. Tashmë, Rama është i gjithëpushtetshmi në shtetin mafioz të krimit. KM nuk mund të kthehet mbrapa se ka shkuar shumë thellë dhe do t’i shkojë rrugës që ka nisur deri në fund bashkë me fundin e tij siç na kanë mësuar eksperiencat historike me të tillë të gjithëpushtetshëm. Faturën e marrëzisë së radhës do ta paguajnë përsëri shqiptarët për sa kohë nuk do të jenë të aftë të hedhin themelet e shtetit të së drejtës.

Kolonat që mbajnë funksionimin e një shteti të së drejtës dhe funksionimit të demokracisë, janë kolonat e Pallatit të Drejtësisë.

Në Shqipëri Pallati i Drejtësisë është “tokë e xanun”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura