Në shënjestrën e OFL/ Kush është Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”. Në parkingun e lokalit të tij u rrëmbye…

Feb 13, 2020 | 10:23
SHPËRNDAJE

Operacioni Forca e Ligjit ka vazhduar sërish me dërgimin e formularëve për deklarimin e pasurisë personave me precedentë penalë.

xhevdet-troplini

Nje dite me pare OFL bëri të ditur se i ka dërguar formularin Dritan Dajtit dhe Xhevdet Troplinit.

“OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve: Dritan Dajti, me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’, ‘Mbajtja pa leje e armëve luftarake’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve’ dhe ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’ dhe Xhevdet Troplini, me banim në Durrës, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike”, bëri të ditur Policia. Kjo e fundit shtoi se të dy subjektet duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

XHEVDET TROPLINI

Xhevdet Troplini, sipas Policisë është dënuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitin 2006.

Ai njihet ndryshe me pseudonimin “Poja” dhe në pronësi të tij janë disa biznese, mes tyre edhe lokali në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Çollaku.

Ai është përfshirë dhe i dyshuar në disa ngjarje kriminale në Durrës, por që në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij

DRITAN DAJTI

I dënuar me 25 vite burg për vrasjen e katër policëve një dekadë më parë, Dritan Dajti do të lakohej në opinionin publik shkurtin e 2019-ës, kur pas 10 vitesh proces arriti përfitojë gjykimin e shkurtuar dhe t’i shpëtojë burgimit të përjetshëm. Ai u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë për veprën penale të vrasjes, ndërsa u arratis në vitin 2003 nga ambientet e kësaj gjykate.

Për disa vite, Dajti qëndroi në arrati dhe ishte një ndër emrat më të kërkuar deri në gushtin e 2009-ës, kur gjatë një operacioni për arrestimin e tij, sipas Prokurorisë ai vrau 4 policë. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari mbetën të vrarë në operacionin e Policisë më 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit ndërhynë në Zonën e Plazhit për të arrestuar Dajtin, i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura