Në SHBA: Demokracia amerikane kërcënohet seriozisht

Oct 3, 2019 | 11:30
SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI, PHD.* Sami Repishti

Ridgefield, CT. Më 24 sh tator 2019, the Speaker of the House, Nancy Pelosi, (D.California) kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Amerikës, foli nga podiumi i Kongresit mbi nji “rrezik” që kërcënon demokracinë amerikane. Ashtë fjala për iniciativën me fillue procesin e “impeachment” (akuzë) kundër Presidentit Donald J. Trump, për shkelje të Kushtetutës, abuzim të detyrës dhe dhunimit të betimit të marrun si President i SHBA-së.

Kemi të bajmë me zbulimin e nji bisedimi telefonik sekret të Presidentit Trump me homologun e tij ukrainas, z. Zelensky, më 24 korrik 2019, ku u shqyrtue dhania e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, nji vend i kërcënuem nga agresioni rus. Për këtë qëllim, Kongresi amerikan kishte caktue nji shumë prej rreth katërqind milionë dollarësh për blerje materiali luftarak nga Ukraina. Ministria e Mbrojtjes Amerikane (Pentagoni) aprovoi këtë shumë dhe mbetej vetëm urdhëni i Presidentit amerikan për dorëzimin e ndihmës.

Presidenti Trump e vonoi dorëzimin. Ma vonë zbriti shumën e premtueme në dyqind milionë dollarë, në mënyrë sekrete. Më datën 24 korrik, në bisedën telefonike, ai e ndryshoi “frymën” e ndihmës dhe e kushtëzoi atë me “nji favor”, që shërbente fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e nandorit të vitit 2020. Ai kërkoi nga Presidenti i Ukrainës të bahen hetime në lidhje me mundësinë e keqpërdorimit të autoritetit zyrtar nga ish-nënpresidenti Joseph Biden para vitit 2016, me qëllim që këto informata negative të përdoren kundër ish-nënpresidentit që duket sikur do të jetë kandidati demokrat për presidencën në vitin 2020. Shtypi amerikan shkruen se akuzat e mundshme nga Presidenti Trump kundër kandidatit demokrat Biden janë shpifje pa asnji bazë. Kështu mendon edhe Qeveria e Ukrainës.

Nji taktikë e këtillë e pandershme u përdorue nga Presidenti Trump edhe gjatë fushatës elektorale të viteve 2015- ‘16, ku ai inkurajoi qeverinë ruse me krijue kaos në fushatën elektorale amerikane dhe me shpërnda gënjeshtra për hutimin e elektoratit. Presidenti Trump nuk pranoi këto akuza. Por qëndrimi i tij ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe dalja në shesh e dokumentacionit të ri, vërtetojnë saktësinë e akuzave.

Bisedimi doli në shesh nga akti patriotik qytetar i nji nëpunësi të administratës, (“uistle-bloer”), i cili mbas i lexoi transkriptin sekret, kuptoi se këtu kishim të banim me nji akt të randë antikushtetues, që meritonte vëmendjen e Dhomës së Përfaqsuesve. Inspektori i Përgjithshëm për çështje të Sigurisë Kombëtare e cilësoi raportin si “urgjent” dhe “credible”. Demokratët e Dhomës vendosën ta ndjekin këtë paligjshmëni dhe të fillojnë hetimet që mund të përfundojnë në “impeachment” (“akuzimin”) e Presidentit Trump për shkelje të Kushtetutës. Debati që vazhdon sot në mes të dy partive kryesore amerikane ashtë i ngarkuem me akuza të ndërsjella; vendosmënia e “demokratëve” me ngritë këtë akuzë kundër Presidentit ashtë e plotë.

Tashti bahen “ndigjimet’ (dëshmi, “hearings”) të personaliteteve të implikueme me qëllim që të sqarohet mjegulla e krijueme dhe e vërteta të dalë në shesh. Publiku amerikan ashtë “elektrifikue” nga këto zhvillime që mund të përfundojnë edhe në largimin e z. Trump nga posti i Presidentit ose të sjellë si rezultat humbjen republikane në zgjedhjet elektorale të vitit 2020. Gjatë historisë së SHBA-së, tre presidentë janë “akuzue” (impeached): Andrju Jackson (1868), Richard Nixon (1964) dhe Bill Clinton, (1998). Nixon dha dorëheqjen para se të jepej vendimi. Jackson dhe Clinton nuk u zëvendsuen sepse rasti i tyne nuk arriti të shkojë në Senat, nji hap i domosdoshëm për vendimin e heqjes nga detyra.

Cili ashtë “favori” që Presidenti Trump i kërkoi homologut të tij ukrainas? “Do të dëshirojshe që ju të na bani nji favor megjithatë, sepse vendi ynë ka kalue shumë ditë të vështira. Ka shumë fjalë në lidhje me djalin e Biden-it, se Biden ka pengue ndjekjet ligjore kundër tij dhe ka mjaft persona që dëshirojnë me zbulue të vërteten, kështu që çdo gja që mund të bani me kryeprokurorin në këtë drejtim, do të jetë nji shërbim i madh për ne. Biden shëtiste rreth e rrotull tue u krenue se ndaloi përndjekjen ligjore, kështu që ju keni mundësi me i hjedhë nji sy këtij problemi. Tingëllon i tmerrshëm për mue…”. (24 korrik 2019).

Paragrafe të këtilla janë interpretue se Z.Trump ka pengue dhanien e ndihmës për Ukrainën qëllimisht dhe ka kërkue nji favor personal para se të urdhnojë dorëzimin. Ashtë nji metodë ku damtohet interesi kombëtar dhe përfiton interesi personal i Presidentit.

Akoma ma e randë: Presidenti kërkon ndihmën e nji autoriteti të huej me demaskue nji kundërshtar politik amerikan, kandidatin për President të Partisë Demokratike. Dhe kjo ka irritue miliona amerikanë. Ndërkaq, Presidenti Trump ngulë kambë se ai nuk ka ba gabim dhe se ashtë “viktimë e mashtrimit… Kjo ashtë shaka dhe kërkohet ‘impeachment’ për këtë?”.

Përgjigjja e “demokratëve” ashtë se z.Trump, tue kërkue ndihmë nga shtete të jashtme me diskreditue rivalin e tij, Joe Biden, ashtë “ti më jep diçka, unë të jap diçka”, “tick for tack!”, (latinisht “quid pro quo”), nji taktikë e përdorun nga krerët e grupeve mafioze. “Presidenti ashtë përpjekë me ba ‘paligjshmëninë’, nji ‘virtyt’ në Amerikë, dhe tashti po e eksporton edhe në botën e jashtme”, deklaroi Speaker Nancy Pelosi, nji kryemjeshtre e manovrave politike në Washington, D.C. Z. Biden shtoi: “Ky qëndrim i Presidentit tregon se Presidenti jonë ka vue interesat personale mbi interesat e sigurimit tonë kombëtar”.

Mesazhi për Presidentin Trump ashtë direkt: Mjaft!

“Mbas kaq muejsh që populli dëshmon shkeljet e vazhdueshme nga ana e Presidentit të normave demokratike dhe talljeve të tij me legjislatorët, që sipas tij nuk kanë pushtet të mjaftueshëm me kërkue llogari nga Presidenti, kësaj radhe Kongresi e ban të qartë që ka vija të kuqe, që nuk mund të kalohen pa pësue rrjedhimet e ligjshmënisë”, shkruente gazeta “The New York Times” në editorialin e saj të datës 26 shtator 2019.

“Impeachment” ashtë term ligjor:

a) akuza ose përgjegjësia që rrjedh nga akuza, paditja;

b) arrestim, sidomos për nji zyrtar të naltë për keqpërdorim të detyrës. Në SHBA përcakton të drejtën e Dhomës së Përfaqësuesve me akuzue, dhe të Senatit me gjykue;.(frëngjisht: açusation par les Chambres, paditje nga të dyja Dhomat)

“Impeachment” ashtë nji procedurë ligjore e ngulun thellë në parimet e Kushtetutës amerikane dhe shërben me ruejtë vendin nga veprimet e paligjshme të Presidentit, si tradhtia, marrja e ryshfetit ose krime tjera të randa dhe delikte e thyemje të rregulloreve. Krimi i randë ashtë në këtë rast nji shprehje juridike e marrun nga tradita angleze e së drejtës komune; ai tregon nji ofendim që Parlamenti e përdor me largue nga detyra zyrtarë të naltë. Në thelb, ashtë abuzimi i pushtetit nga zyrtarët e naltë, jo krime të zakonshme, “…janë ata ofendime që rrjedhin nga sjellja jo korrekte e nëpunësve publikë, ose me fjalë të tjera që vijnë nga abuzimi i shkeljes së besimit publik që ata gëzojnë. Ata janë të nji natyre të atillë, që në rast të veçantë mund të quhen “politike” me qenë se i referohen kryesisht damtimit që i bahet shoqënisë. Tue shkrue në “Federalist Papers” (1788), Alexander Hamilton paralajmëron se “…natyra politike inherente e procedurës së ‘impeachment’ do të krijojë me siguri polarizimin e shoqnisë”.

“Mos harroni, shkruen kongresisti Harsford (D.Nevada) se akuzat e reja janë pa dyshim shumë të randa. Ata tregojnë nji abuzim direkt të pushtetit (nga Presidenti) në kurriz të sigurimit kombëtar”. Kongresmeni Tom Malinovski (D. N. Jersey) deklaroi: “Ka pasë shumë akte flagrante, por asgja nuk krahasohet me këtë. Presidenti na thotë: Po, unë bashkëpunova me fuqi të hueja. E çfarë do të bani ju tani?”. (ZiA, 25 shtator 2019) Përgjegjja demokrate: “Impeach the President! (akuzoni Presidentin!)”. Më 24 shtator, Presidenti Trump reagoi: “Demokratët qëllimisht përpiqen me damtue sukseset tona tue përhapë lajme të këtilla. Gjuejtje shtrigash!….”.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, u shpreh: “Nëse Presidenti nuk bashkëpunon, por vazhdon me pengue Kongresin dhe të mos përfillë ligjin, atëherë ai nuk do t’i lërë zgjidhje tjetër Kongresit, përveç ngritjes së akuzave për shkarkimin e tij. Kjo do të ishte nji tragjedi e shkaktueme nga vetë Presidenti”, njoftonte “ZiA”, me 25 shtator.

Në nji moment paniku, Presidenti Trump shpërtheu: “Ajo që ndodhë është mashtrimi më i madh në historinë e politikës amerikane. Rrezikohet si kurrë ma parë vendi ynë. Ashtë e gjitha shumë e thjeshtë kjo gja”. Speaker Pelosi u përgjegj: “Njerëzit thonë se po ndërmarrim nji rrezik politik, por kjo nuk ka ndonji randësi. Nuk mund të lejojmë që Presidenti të shkelë betimin e bamë kur mori detyrën”. Ndërsa senatori demokrat, Charles Schumer, shtoi: “Donald Trump, mos kij asnji dyshim! Nëse faktet qëndrojnë, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer do të qepen pas”, transmetoi “Zëri i Amerikës”.

Alexander Hamilton, dy shekuj e gjysmë ma parë, kishte të drejtë!

Ka shenja si do të zhvillohet strategjia e “demokratëve”. Zbulimet e komisioneve hetimore të Dhomës i dorëzohen Komisionit për çështje ligjore të Dhomës. Nëse përfundimet tregojnë se nuk ka prova bindëse për fajësimin e Presidentit, paditja pushon e Presidenti vazhdon punën e tij. Nëse zbulimet janë konkrete dhe të mjaftueshme për nji akuzë, raporti kalon për shqyrtim nga të gjithë anëtarët e Dhomës, ku çdo kongresmen, nji nga nji, voton për artikujt e “impeachment”.

Nëse fiton shumica e votuesve për “impeachment”, Presidenti deklarohet “fajtor”. Procesi kalon përfundimisht në Senat, ku mbahet nji séancë gjykimi nën kryesinë e Kryetarit të Gjykatës së Naltë. Të gjithë senatorët, nji nga nji, japin mendimin e tyne personal. Gjykimi në fund votohet me shumicë votash. Nëse vendimi për dënim ashtë në pakicë (ma pak se dy të tretat, ma pak se 67 vota nga 100) Presidenti mbetet në fuqi. Nëse nuk fiton, Presidenti rrëzohet nga detyra. Nëse reziston, ai nxirret jashtë Shtëpisë së Bardhë me policë. Nënpresidenti merr detyrën e Presidentit deri në votimet e reja.

(Fletorja “The N. Y. Times” e datës 26 shtator 2019, boton tekstin e plotë të dokumentit, bisedimi në mes të Presidentit Trump dhe Presidentit V. Zelensky të Ukrainës. Në nji P.S. të dokumentit, fletorja e sipërme jep edhe këtë shënim:

“Nji paraqitje e plotë me hollësi e Materialit të Ankuesit (The Complaint’s) mbetet akoma nji mister, ashtu siç ashtë edhe identiteti i denoncuesit (wistle-blower). Me qenë se Presidenti Trump dhe Z. Giuliani (këshilltar personal i Presidentit, SR) kanë pranue haptazi se kanë ushtrue presion mbi Ukrainën për korrupsionin dhe për (n.presidentin) Biden, nuk ashtë e qartë sa ekstensive ashtë pjesa e ankesës që ka të bajë me informacionin e që nuk ashtë zbulue akoma (sidomos lidhjet me Presidentin rus Putin). Në nji sesion ndigjimi me dyer të mbylluna, inspektori i përgjithshëm i organeve të zbulimit (Intelligence, SR), Michael Atkinson, sugjeroi se ky problem shkon përtej telefonatës së 24 korrikut 2019.

* * *

Pjesa e ankesës që ka të bajë me informacionin ashtë mjaft ekstensive.

Më 27 shtator, mediat amerikane dhe sidomos fletoret e përditshme, njoftuen me germa të mëdha dhe në faqet e tyne të para nji shkelje tjetër të madhe ligjore: fshehtësinë (cover-up) e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me bisedimet dhe deklaratat e Presidentit që përmbajnë “gabime” të dënueshme me ligj. Fletorja prestigjioze “The N.Y.Times” e asaj date ka titullin e madh: “Ankuesi (the Complaint) vërteton ekzistencën e nji metode fshehjeje (Cover-Up) në Shtëpinë e Bardhë”. Zyrtarë të naltë të Shtëpisë së Bardhë janë përpjekë “me mbajtë të mbyllun” dokumentet e bisedimeve telefonike të Presidentit të Ukrainës, dhe me fshehë përpjekjet e Presidentit Trump me komprometue Ukrainën për nji hetim të rivalit demokrat (J. Biden).

Nji denoncues (uistle-blower) e zbuloi gjatë nji ankese eksplozive të enjten”, shkruen Michael D. Shear, i “The N.Y.Times”.

Pikat kryesore të “Ankesës” janë:

1) Shtëpia e Bardhë kuptoi se kemi të bajmë me nji abuzim të detyrës.

2) Zyrtarët banë përpjekje me mbajtë “sekret” “bisedën” me Presidentin e Ukrainës.

3) Rudolph Giuliani veproi në nji mënyrë të rrezikshme për sigurinë kombëtare.

4) Dyshohet se Presidenti përdorë ndihmën e jashtme si instrument përfitimi.

5) Shqetësuese ashtë roli i Kryeprokurorit amerikan William Barr.

Kredibiliteti i “ankuesit” forcohet me deklaratën e Inspektorit të Përgjithshëm të bashkësisë së zbulimit (Intelligence) se deklaratat e tij” janë të besueshme (credible).

Ankuesi (the uistler-blower) nji ishzyrtar i CIA-s që ka punue për pak kohë edhe në personelin e Shtëpisë së Bardhë, thotë në ankesë se “zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë transferuen transkriptin e bisedës telefonike të 25 korrikut me Presidentin ukrainas në nji vend të sigurt, nji sistem klasifikimi me qëllim që aksionet sekrete të z.Trump, që zyrtarët i quejnë ‘thellësisht shqetësuese’ të mbahen sekret”. Presidenti Trump sulmoi denoncimin si “nji akt tradhtie i denjë për spiunët”, ndërsa demokratët e quejnë nji akt heroik, i cili demaskoi nji konspiracion për rimanipulimin e votimeve të 2020, si në 2016.

Demokratët përgatiten me thirrë si dëshmitarë shumë personalitete që kanë pasë lidhje me këtë veprimtari joligjore. Më 27 shtator u njoftue se hetimet do të përfshijnë edhe deklaratat e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, nji aleat i ngushtë i Presidentit, dhe do të kërkohet dorëzimi i dokumenteve që kanë të bajnë me këtë shkelje të protokollit diplomatik. Të tjerë politikanë do të thirren për “dëshmi”, besohet javën që vjen.

Efekti i këtyne masave nga Dhoma u pa në dorëheqjen e diplomatit Kurt D. Volker, i dërguemi special amerikan për Ukrainën. Ndërkohë, ambasadori amerikan në Kiev, Zonja Marie Jovanoviç, e cila nuk ka bashkëpunue në këtë skemë, u ba objekt sulmi nga qarqet konservatore, u akuzue për “pa besnikëri” dhe u forcue me dhanë dorëheqjen.

2019. Amerika përballet me nji krizë politike të shkaktueme nga abuzimi i pushtetit presidencial, prej nji titullari që ka shkelë betimin e tij presidencial tue vue interesat personale mbi ato të sigurisë dhe mirëqenies kombëtare. Shtetet e Bashkueme të Amerikës, për afër tre shekuj ekzistencë, kanë përballue vetëm nji herë “impeachment” për politikë të jashtme, jo me President, por me nji senator, Willian Blount, i cili në vitin 1787 u akuzue për nji skemë bashkëpunimi me Anglinë për transferimin e nji pjese të Floridës dhe shtetin e Lousianë,s nji fuqie të huej. Dhoma dënoi Senatorin Blount, por ai iku nga Washingtoni, dhe Senati preferoi me e përjashtue nga radhët e veta.

Sot, 232 vjet mbas përcaktimit të shprehjes “impeachment” nga Kongresi amerikan, i gjithë vendi përballet me pyetjen kryesore: Cila ashtë vija e kuqe që përcakton kufinin e interesave kombëtare dhe interesave politike personale?

Pyetje ekzistenciale për çdo vend dhe në çdo kohë!

Në edicionin e saj të datës 29 shtator 2019, fletorja “The N.Y.Times” ofron nji editorial të përgatitun nga Bordi Editorial, që tregon randësinë e jashtëzakonshme të shkrimit. Ma poshtë riprodhoj paragrafin e fundit të këtij shkrimi historik.

Titulli: “Akuzat janë të randa, zgjedhjet e ardhme janë në rrezik. Baballarët e Kombit kanë qenë të qartë. Opsioni i vetëm ashtë Hetime për procesin e ‘Impeachment’ (House Inquiry of Impeachment)”. Teksti:

“….Vendimi me ‘impeach’ nji president ashtë politikisht inherent, në kuptimin fisnik të fjalës- dhe duhet ba në interesin publik. Por kurrë nuk duhet të jetë politikisht në kuptimin e ngushtë të fjalës, i diktuem nga sondazhet e fundit ose nga zgjedhjet e të nesërmes. Ky ashtë nji moment për kurajë politike. Amerikanët meritojnë nji qeveri të kushtueme punës për zgjidhjen e problemeve të tyne reale. Po me arrijtë në atë pikë, ata kanë nevojë për nji qeveri të balancuese ashtu si baballarët e Kombit e menduen, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me nji President që mbikëqyret nga Parlamenti e të mos ushtrojë pushtete të jashtëzakonshme. Z. Trump ka nënçmue dhe degradue institucionet e qeverisjes amerikane, me nji përbuzje historike, tashti që ashtë koha, qëkur me funksionimin e tyne, të demonstrohet madhështia e demokracisë reprezentative”.

* Autori ashtë qytetar amerikan me prejardhje shqiptare. Voton me demokratët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura