“Në rrezik financat publike”/ Presidenti Meta i alarmuar për rritjen e borxhit: Vlera totale e projekteve PPP-ve në vitin 2022 do arrijë në mbi 45% të PBB

Jan 28, 2022 | 10:35
SHPËRNDAJE

Shqetësimi për rritjen e borxhit publike e ka detyruar Presidentin, Ilir Meta që të dalë në një konferencë për mediat.

Sipas Kreut të Shtetit, borxhi publik duhet të ulet pasi në të kundërt borxhi do të shkaktojë një krizë serioze duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike.

“Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më parë i raportit të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në një rrugë rënëse.

 Përndryshe, niveli i borxhit në vitet në vazhdim do të mund të shkaktojë një krizë serioze duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike.  

Edhe, Ligji i Buxhetit për vitin 2022 nuk bëri transparent nivelin real të borxhit të vitit 2021, si dhe një vlerësim të të gjitha risqeve potenciale të rritjes, dhe mbi këtë bazë marrjen e masave parandaluese për uljen e tij.

Ministria e Financave në relacionin e Ligjit të Buxhetit raportoi që stoku i borxhit është 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2021, ndërsa FMN e vlerëson në 80.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërsa në parashikimet e reja të Kuadrit Makroekonomik 2023-2025, të miratuar së fundmi Ministria e Financave raporton se borxhi publik i vendit vlerësohet të ketë arritur në 80.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2021.

Por përsëri kjo nuk pasqyron nivelin real te tij.

KLSH vlerëson se stoku i borxhit publik i raportuar për vitin 2020, që mbartet në vitin 2021, paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e kërkesave ligjore për raportimin e detyrimeve të prapambetura.

Në llogaritjen e stokut të borxhit për vitin 2021 do të duhej të përfshiheshin të gjitha detyrimet e prapambetura të Qeverisë qendrore dhe lokale, rimbursimi i plotë i TVSH-së në rreth 24.2 miliard lekë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare në rreth 405.2 milion euro, si dhe detyrimet e nënhuasë në 62.5 milion euro. Vlera reale e borxhit publik në fund të vitit 2021 mund të llogaritet në më shume se 84.0% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në këtë nivel të stokut përsëri nuk janë përfshirë çështjet në shqyrtim në gjykatat ndërkombëtare; detyrimet e reja shtesë të papaguara të Qeverisë së përgjithëshme që mund të krijohen; detyrimet e nënhuasë; riskun në rritje të portofolit të PPP me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar; të garancive shtetërore; rrezikut të luhatjes së kursit të këmbimit; risku i normave të interesit, që vazhdon të jetë i konsiderueshëm; risku si rezultat i zgjatjes së situatës pandemike dhe efektet reale të paparashikuara të saj; si dhe efektet e pritshme mbi ekonominë, të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike.

Vlera totale e projekteve Partneritet Publik Privat në vitin 2022 do të arrijë në mbi 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Meta. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura