Në qoftë se do të ishin zhvilluar sondazhe, atëherë…

Sep 14, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA EDUARD ZALOSHNJAEduard Zaloshnja

Plot 85 vjet më parë, George Gallup (1901–1984) zhvilloi sondazhin e parë të opinionit me kampionin gjeografikdemografik, përmes të cilit ai mati statistikisht opinionin e 100 milionë amerikanëve të rritur. Dhe këtë gjë e arriti duke përzgjedhur një kampion përfaqësues statistikor, me vetëm 1 mijë e ca të anketuar.

Kështu, në vitin 1936, ai parashikoi me shumë afërsi fitoren e Presidentit Ruzvelt në garën presidenciale amerikane, duke vënë edhe gurin e themelit të suksesit për kompaninë e tij legjendare të sondazheve… Po sikur Gallup të kishte zhvilluar një sondazh rigoroz statistikor atëherë në Shqipëri, sa për qind do të kishin dalë të kënaqur me regjimin e Zogut, dhe sa të pakënaqur? Bazuar në ç’kam lexuar e ç’kam dëgjuar për atë regjim, hamendja ime e edukuar është se një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar të pakënaqur nga regjimi i Zogut.

Në krye të tyre do të kishin qenë intelektualët antizogistë (shumica e të cilëve u bënë më vonë pjesë e Ballit Kombëtar), si dhe të rinjtë që kishin filluar të ndikoheshin nga idetë komuniste të Luftës Civile të Spanjës (shumica e të cilëve u bënë më vonë pjesë e Partisë Komuniste). Gjithashtu, të pakënaqur duhet të kenë qenë edhe bujqit që punonin si argatë në tokat e bejlerëve, si dhe shtresat fare të varfra të qyteteve. Nga ana tjetër, një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar në sondazh të kënaqur nga regjimi i Zogut. Dhe këta të fundit, me gjasa, mund të ishin më të shumtë se të pakënaqurit.

Në këtë grup futeshin familjet e pashallarëve, bejlerëve, agallarëve, si dhe familjet fshatare që zotëronin ngastra toke të tyret (këto të fundit përbënin shumicën e popullsisë së atëhershme, e cila jetonte 90% në fshat.) Gjithashtu, në këtë grup futeshin edhe tregtarët e mëdhenj e të vegjël, si dhe zanatçinjtë nëpër qytete. Po sikur Gallup të kishte zhvilluar 40 vjet më vonë (në vitin 1976) një sondazh rigoroz statistikor, sa për qind do të kishin dalë të kënaqur me regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri dhe sa të pakënaqur?

Bazuar në ç’kam lexuar e ç’kam provuar në atë regjim, hamendja ime e edukuar është se një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar të pakënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës. Dhjetëra mijëra familje të persekutuara për bindjet e tyre politike do të ishin pa dyshim të pakënaqura nga regjimi. Gjithashtu, dhjetëra mijë familjet që ishin persekutuar për shkak të pasurisë që e kishin vënë me djersën e ballit (dhe që u ishte shtetëzuar me forcë) s’kishin si të ishin të kënaqura nga regjimi. Ndërkohë, jo pak të rinj të qyteteve, nën ndikimin e televizioneve fqinje, mund të ishin të pakënaqur me regjimin, pavarësisht se familjet e tyre mund të ishin pro regjimit. Nga ana tjetër, një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar të kënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës më 1976.

Dhe këta të fundit, me gjasa, mund të ishin më të shumtë se të pakënaqurit. Në këtë grup futeshin familjet ish-fshatare që kishin zbritur në mënyrë masive nëpër qytete, si dhe familjet e ish-argatëve që kishin mbetur nëpër fshatra, por me një status goxha më të lartë se gjatë regjimit të Zogut. Gjithashtu, këtu futeshin edhe familjet e rrjetit të madh të kuadrove dhe nëpunësve shtetërorë e partiakë (nga qendra deri në ndërmarrjen apo kooperativën më të largët), si dhe familjet e mijëra oficerëve e kapterëve të ushtrisë e policisë. Duke ecur më tej në kohë, në fund të vitit 1990, nuk ishte fare e nevojshme që të zhvillohej sondazh opinioni në Shqipëri – dyqanet e boshatisura nga mallërat dhe sheshet e mbushura me protestues tregonin qartë se regjimi kishte dështuar plotësisht në sigurimin e mirëqenies së ish-përkrahësve të tij të dikurshëm. Për rrjedhojë, shumica dërrmuese e popullsisë ishte e pakënaqur me të…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura