“Ne prisnim shtatore dhe na doli shatërvan”/ Gazetari: Kush është ‘xhaxhai’ që e pagëzoi sheshin e kryeqytetit me emrin “Skënderbej”! Kur u hodhën themelet…

Apr 20, 2021 | 13:43
SHPËRNDAJE

sheshi skenderbejNga Kreshnik KUÇAJ/ Sheshi “Skënderbej” e ka marrë këtë emërtim në vitin 1937, edhe pse monumenti i heroit kombëtar u vendos aty shumë vite më vonë, në janar të vitit 1968. Monumenti u vendos aty me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Fillimisht, vendosja e monumentit të Skënderbeut ishte parashikuar të ishte një nga eventet e rëndësishme të programit të ‘Kremtimeve të 25 Vjetorit të Vetqeverimit’ që u shtri në periudhën 20-28 nëntor të vitit 1937. Pika 7 e programit parashikonte zbulimin e monumentit të Skënderbeut.

Gazetari Gjergj Bubani në një artikull kushtuar kremtimeve të 25 vjetorit të Pavarësisë e trajton me sarkazëm çështjen e mosvendosjes së shtatores së heroit kombëtar në sheshin e ‘pagëzuar’  nga kryeministri Pandeli Evangjeli me këtë emër.

“Sheshi i Bashkisë, i cili pasnesër do të pagëzohet prej Xhaxhait (Pandeli Evangjelit) “Sheshi Skënderbeg” është bërë një bukuri. Splendidi u shemb dhe bashkia po mundohet të mbulojë pak shëmtimin që doli që prapa perdes, në mes të sheshit aty ku ishte fjala të ngrihej shtatorja e Skënderbeut, dora-dorës na doli një shatërvan. Dje mbrëma u bë provimi i parë; një shumicë populli ishte mbledhur rreth e përqark dhe hapte gojën duke u habitur. Uji kërcente herë me forcë, herë me ngadalë, nga të pesë vrimat; një shigjetë drejt përpjetë dhe katër tërthorazi.

Humori nuk mungonte nga ana e popullit;

-Ore, po si kështu? Ne prisnim shtatore dhe na doli Shatërvan?!

-Jo vëlla, por kur deshin të shtinin themelet e shtatores, kërceu uji përpjetë.

-Ç’thua?! E thonë pastaj që Tirana s’paska ujë!” shkruan Gjergj Bubani në një reportazh të publikuar me 20 nëntor 1937 në gazetën ‘Drita’.

Deri në vitin 1968 ku u pozicionua përfundimisht monumenti i Heroit Kombëtar, në atë vend kanë qenë vendosur monumente e shtatore të ndryshme, edhe pse emërtimi mbeti i njëjtë. Fillimisht, aty ka qenë një nga monumentet e 25 vjetorit të Pavarësisë, pastaj një Shqiponjë dykrenare me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Pas Luftës së Dytë Botërore aty u vendos shtatorja e Stalinit, për t’i lënë më pas vendin monumentit të Heroit Kombëtar, vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paçon./SCAN

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura