Në “parajsën e humbur” të Orion Shimës, mes lirisë së natyrës dhe lakuriqësisë

Feb 17, 2020 | 9:03
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Duket sikur ata sapo e kanë zbuluar Edenin e tashmë janë në eksplorim të tij. Ndoshta ende nuk e kanë provuar shijen e frutit të së mirës e së keqes… Gjithçka ende duket se është krejt e pafaj.85061680_2864328873675368_9034802584350621696_o

Galeria e Fakultetit të Arteve të Bukura-FAB na fton këto ditë në “Kopshtin e mbyllur” të Orion Shimës. “Hortus Conclusus”, kështu titullohet ekspozita më e re e piktorit, që përmbledh një cikël punimesh, të realizuara brenda një harku kohor prej 5 vitesh.

Kush nuk ka munguar edhe në ekspozitat e mëparshme të autorit, e kupton fare mirë fijen lidhëse nga njëri cikël te tjetri, edhe pse me dashje piktori na bën të mendojmë se subjekti është diçka tjetër. Pas ndjekjes së një dreri të bardhë ëndrrash, kapur fort pas fëmijërisë, fokusi zhvendoset te vetë fëmija, i cili tashmë nis e njeh botën dhe natyrën. Kërkon të vendosë distancë nga bota, ta shohë atë nga një distancë ideale.. Pasqyrimi i tij në ujëra është ende i pastër.. Imazhi i drerit është aty, edhe pse i padukshëm.

Në “Hortus Conclusus”, fëmija tashmë adoleshent nis dhe njeh veten; nis të provojë ndjesira të reja dhe është i gatshëm t’i zbulojë ato, edhe pse shpeshherë i ndrojtur, i fshehur në kopshtin e zbulimeve të tij, por gjithsesi kurioz për të njohur veten dhe gjysmën tjetër, që ka nisur të kuptojë se i mungon.shima

Në pyllin e harlisur metaforik, plot ngjyra të ndezura ndjesish, shfaqen trupat hollakë e në zhvillim të djemve dhe vajzave, që ende janë në vijën e kufirit të ndërgjegjësimit për atë që janë. Harlisja e një bimësie të virgjër i shkon harlisjes së trupave të tyre lakuriq, që në mënyrën kompozicionale të Shimës, është e vështirë që t’i ndash. Që prej ditës së hapjes së kësaj ekspozite, askund nuk është lakuar ajo si një cikël nudosh, sepse nuditeti është një element dytësor në rrëfimin metaforik të tablosë, atë të kërkimit, të njohjes.

Si një konstante nga njëra ekspozitë në tjetrën na vjen natyra, uji dhe imazhi i drerit. Ai përpiqet të na e sjellë natyrën të paprekur, shpesh të pashkelur, të paeksploruar, gjithnjë ftuese drejt aventurave të reja premtuese. Duke u futur në këtë kopsht, vizitori lë pas kakofoninë urbane, për t’u njehsuar me ato hapësira ku ndihet me të vërtetë i lirë, tej shtypjes së betonit dhe ritmit çmendurak të përditshmërisë, në rendjen drejt konsumizmit.

Është si përsëritja e ritualit të piktorit, që tërhiqet në studion e tij, harron gjithçka që e rrethon dhe ndërton, ose kërkon parajsën e humbur. Personazhet e Orion Shimës i gjen vazhdimisht buzë ujërave, duke soditur reflektimet e tyre mbi sipërfaqet e kristalta, veçse ata nuk janë narcizistë, por kureshtarë. Ata nuk shohin thjesht imazhet e tyre, por janë të interesuar për atë që fshihet përtej. Por nga ana tjetër, uji është një ndërthurje simbolesh, mes pastërtisë, thellësisë dhe frikës.84509798_2862884957153093_846317971327418368_n

Ndjesira këto, që provojnë edhe personazhet e tij. Në atë harlisje bimësie, piktori i pranëvë subjektit të tij një personazh dytësor. Diku ai është një pallua, me pendë të gjata të shkëlqyeshme, që e bën edhe më përrallore tablonë. Në kultura të ndryshme, pallonjtë konsiderohen herë si ruajtës fronesh mbretërore, herë si syri i Zotit, herë si simbol përjetësie, herë si simbol i kreativitetit.86295119_2864328993675356_1517742658158592000_o

Cilindo nga këto simbole të ketë “huazuar” piktori, ai qëndron aty i mrekullueshëm, pse jo si rojtari i një bote të paprekur. Dhe, pas shumë vitesh, që prej ekspozitës “Kundërpeizazh”, të hapur në vitin 2012 në Galerinë Kombëtare të Arteve, dreri i fëmijërisë shfaqet edhe në kopshtin e mbyllur, në Galerinë FAB. Edhe pse i vetëm, ai është aty, si për të na kujtuar se ëndrrat e fëmijërisë janë ende aty.

Te të rinjtë në kërkim të vetes, fëmija nuk është rritur. Në rrugëtimin artistik të Orion Shimës, çdo cikël përbën një kërkim, që të hap dyer për të tjera kërkime dhe me shumë gjasë, “kopshti i mbyllur” do të na nxjerrë së shpejti në një tjetër hapësirë, drejt zbulimeve të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura