Në Panairin e Librit

Nov 18, 2018 | 12:03
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE/hamdi jupe Të enjten paradite isha edhe unë në Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore ishte çelur një ditë më parë, sipas një tradite tashmë të njohur. Në hyrje të Panairit kishte shumë njerëz: shumica nxënës të shkollave, nëntëvjeçare dhe të mesme, por edhe të rritur. Kjo pamje është edhe brenda Pallatit. Nuk çaje dot nga të rinjtë dhe fëmijët.

Mua më entuziazmon kjo zallamahi në pazarin e librit, paçka se më pengon të shikoj me nge librat mbi tryezat e tij. S’ka gjë, librat për këta fëmijë dhe të rinj botohen së pari. Unë e gjej kohën të ngulem në ndonjë cep librarie me orë të tëra, kur më duhet të blej diçka, duke u kënaqur në muhabet edhe me librashitësen. Pra, jam i lumturuar nga kjo rrëmujë e këtushme sot në panair.

Ata fëmijë e të rinj kalojnë nga njëra stendë te tjera dhe blejnë libra të ndryshëm. Me sa duket, shkollat kanë organizuar ekskursione mësimore me nxënësit, duke i njoftuar që më parë që të marrin edhe ndonjë lekë me vete. Bukur. Këto ekskursione kulturore i ka edhe programi i shkollave. Librat për ata botohen.

Afrohem te stendat, ashtu si me zor, duke shtyrë me bërryla dhe përpiqem të shikoj se çfarë na ka ofruar “sofra” e librave për këtë vit. Në pamje të parë, ka nga të gjitha. Dominon letërsia e huaj. Dhjetëra autorë të huaj kanë mbi tavolinë një numër të madh librash të tyre. Gjë e mirë, por për mua e mira është relative, unë i besoj më shumë klasikes, që nuk mungon edhe këtu, sesa kësaj letërsisë moderne. Kam mendimin se botuesit tanë botojnë shumë letërsi të pakonsoliduar ende as në vendet e tyre. Mbi kopertinën e shumë librave shikon shprehjen angleze “best seller”, (pse jo në shqip: “më i shituri?” ) në një përpjekje për të ndjellë blerësin të paguajë për to. Por, unë e di, ai që është “më i shituri” në Nju Jork apo Paris, nuk është e thënë të jetë “më i shituri” edhe në Tiranë.

Vazhdoj më tej. Kam vënë re se botuesit nuk shkruajnë në kopertinë se çfarë është ky libër: një roman, një përmbledhje tregimesh, një dramë apo poezi. Jo, në shumicën e rasteve, vetëm titulli dhe.. “best seller”. Mua më trishton kjo, sepse letërsia i njeh të gjitha zhanret dhe botuesi duhet të jetë korrekt me lexuesin që në takimin e parë. Fjala vjen, unë këtë radhë dua të lexoj vetëm tregime dhe këtë dua ta shikoj në kopertinën e librit. Për çudi, edhe në tre libra të Panairit, të përkthyera nga ministrja e sotme e Kulturës, nuk ishte shkruar në kapak se çfarë ishin këto libra. Për të ardhur keq. Ia bëra vërejtje këtë gjë njërës nga shitëset e panairit. “Vërejtja juaj do të merret në konsideratë në ribotimin tjetër”, m’u përgjigj ajo. Përgjigje korrekte. Po unë do jem prapë atje edhe në panairin tjetër.

Çaj më tej mes rrëmetit të Panairit, që ma ngroh zemrën, më tepër sesa librat nëpër banaqe. Çmimet e librave janë në stratosferë. Këtë e dija edhe më parë, por e shoh edhe tani. Këta botues duket sikur i botojnë librat vetëm për të pasurit. Mirëpo, dihet që të pasurit në këtë botë (edhe në Shqipëri) janë vetëm 4 për qind e jo më shumë. Ndërsa libri duhet të shkojë te shumica e njerëzve. Unë e di sondazhin që thotë se një e treta e shqiptarëve nuk kanë lexuar asnjë libër në një vit. Por unë marr shifrën tjetër të sondazhit: domethënë që dy të tretat kanë lexuar libra dhe kjo më gëzon.

Këtu tani duhet të ndërhyjë edhe Ministria e Kulturës dhe, pse jo, edhe ajo e Arsimit, se nën një çati qeverie janë. Disa libra bazë të autorëve klasikë të huaj dhe shqiptarë, sipas një liste të miratuar paraprakisht nga Shoqata e Botuesve dhe nga qeveria, duhet të subvencionohen nga shteti, me qëllim që ato të mos mungojnë në shtëpitë e nxënësve, (në shkolla, jo e jo) sado të varfër të jenë ata ekonomikisht.

Unë jam qibar në zgjedhjen e librave. Para se të fus dorën në xhep, shikoj jo vetëm se kush e ka shkruar librin, por edhe kush e ka redaktuar, kush e ka korrektuar (redaktori letrar), kush e ka propozuar për botim etj, etj. Janë, pra, një seri hallkash të domosdoshme, që duhet të kalojë libri, derisa të shkojë te lexuesi. Jam me shkollën “e vjetër” të botimit të librave unë. Dikur kanë qenë këto hallka “burokratike”.

Por ka vite që botuesit i bien shkurt, duke i konsideruar ato “sita” si të tepërta, burokratike, të panevojshme, natyrisht për punë parash. Ata vënë vetëm emrin e autorit dhe askënd tjetër. E shumta, vënë edhe përkthyesin, kur është vepër e letërsisë së huaj. Kjo e ul pjacën e librit deri në fund, se unë jam mësues i gjuhës, kam nja dyzet vjet që e lëvroj shqipen e shkruar dhe nuk kënaqem me aq pak sa na japin botuesit në fushën e gjuhës së letërsisë. Jo, kjo më ngre nervat. Ma pështiros librin, në vend që të ma nxisë dashurinë për të. Nuk është nevoja të përmend këtu emrat e përkthyesve tanë të shquar që lanë jetën mbi libra.

Para pak kohësh bleva librin “Tregimet e Donit” të Shollohovit, botim i kohëve të fundit. E mora me shumë kënaqësi dhe fillova ta lexoja. Kisha lexuar dikur fshehurazi romanin e tij “Tokat e çara”, se Shollohovi ishte i shpallur “armik”, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik. Tani, pra, do ta lexoja me nge dhe pa frikë. Kur, ç’të shoh, libri ishte përkthyer në mënyrë të tmerrshme. Nuk dukej gjëkundi gjuha shqipe në atë libër. Nuk merrej vesh nëse libri ishte përkthyer nga origjinali, apo nga ndonjë gjuhë tjetër, ndoshta anglishtja. Ose ishte i përkthyer me makinën e “Google”. Unë rusishten e njoh si amator, por shqipen e njoh si profesionist. E lashë librin në mes, pa e çuar dot deri në fund. Izvinjitje, tovarish Shollohov! Por nuk mundesha. Nuk ishte faji yt, por as imi, natyrisht. Dhe këtu e kishin fajin ato “hallkat e tepërta” që thashë më lart.

Ky shembull dhe të tjerë që përmenda më sipër, tregojnë se komercializmi (dëshira për të shitur me çdo kusht) po dëmton rëndë jo vetëm letërsinë, por edhe gjuhën shqipe, sepse letërsia flet nëpërmjet gjuhës dhe kjo duhet të jetë e kulluar në të. Mendoj se është koha të themi: Boll me sasinë, të nderuar botues. Ju lutemi, kushtojuni edhe cilësisë së botimit.

Aq pak kohë sa qëndrova në Panair (rreth një orë gjithsej), kërkova në të se mos shikoja ndonjë përmbledhje të poezive të poetit tonë të shquar Frederik Reshpja, i cili iku nga kjo botë në mënyrë fatkeqe vite më parë. Me sa e njoh unë poezinë shqiptare, Reshpja është një nga korifenjtë e saj në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ka katër libra me poezi dhe disa cikle të tjera të shpërndara si kokërrzat e floririt nëpër rërë, nëpër gazeta të ndryshme shqiptare pas vitit 1990.

Nuk e pashë gjëkundi një gjë të tillë në Panair dhe kjo më trishtoi. Nuk e di a ka lënë ndonjë trashëgimtar ai për ta bërë këtë gjë apo do të duhet të merret ndonjë shtëpi botuese me këtë punë. Do t’i lutesha ministres së Kulturës që ta financonte ajo Ministri ribotimin e plotë të poezisë së Rreshpjes. Kjo është në të mirën e kulturës kombëtare. Edhe Migjeni, sa ishte gjallë, nuk botoi asnjë libër, por ai mbeti Migjen, në sajë të motrës së tij që ia botoi ato pas vdekjes. Edhe Noli, një “Album” me 27 vjersha botoi, por mbeti Nol.

U largova nga Panairi me idenë për të vajtur prapë atje, ndoshta të shtunën apo të dielën, e të shoh më me nge xhevahiret që sjell ai. Edhe në ato ditë fundjave, pritet të ketë shumë njerëz në panair. Po s’ka gjë, mua më lumturon kjo. Unë gjej kohë të rri pranë librit, edhe pa Panairin. Këtu hodha disa përshtypje ashtu, shkarazi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura