Ne njerëzit e shëndetshëm të Razmës

Aug 4, 2022 | 9:05
SHPËRNDAJE

LEOPOLD SHKRELI

razmaaa

Razma ndodhet në Komunën e Kelmendit, Bashkia Malësi e Madhe, në një distancë 43 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe 65 km larg nga bregdeti (Velipojë). Fshati gjendet 900 m mbi nivelin e detit dhe ka një sipërfaqe prej 3680 hektarësh. Klima aty është mesdhetare kontinentale. Temperaturat në dimër zbresin deri në -20 celsius dhe në verë kapin një vlerë maksimale prej 18-22 gradë celsius. Mesatarja vjetore e reshjeve varion nga 2100-2200 mm. Razma është e rrethuar nga malet. Maja që e sundon pasazhin e saj gjendet në Veri dhe është Veleçiku, me lartësi 1724 m mbi nivelin e detit.

Relievi i thyer i Razmës, me pyjet mbresëlënëse të ahut dhe të pishave, me ajrin e pastër, përbën vlera të veçanta kurative dhe turistike.

Im atë, Loro Ndok Shkreli, mbas më shumë se treqind vitesh të largimit të të parëve të tij nga Vrithi për në Velipojë, kthehet nga Shkodra dhe ndërton një shtëpi të dytë në fshatin Razëm, vend nga ku kemi edhe ne origjinën. E gjitha kjo ndodhë se e ndjera nëna jonë kishte probleme me frymëmarrjen dhe nuk po gjente shërim. Dhe është pikërisht një mik i familjes nga Vrithi që e këshillon babën, të provonte një herë Razmën. Kësisoj, edhe familja jonë pati fatin të provonte mrekullitë e klimës së këtij fshati.

Është e vërtetuar me breza se banorët e fshatrave dhe zonave të tjera përreth, që kanë probleme me frymëmarrjen dhe kalojnë një ose dy muaj të verës në Razëm, ndihen krejt mirë për gjithë vitin. Këtë famë të mirë Razma e fitoi që në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar. Asokohe, nga Kisha e Shën Kollit të Shkrelit për në Razëm u dilte vetëm me kafshë.

Kësisoj, në afërsi të puseve, në anë të fushës së Trashanit, morën me qira një kasolle dhe aty kaluam edhe verat e para. Ajri krejtësisht i lehtë, i pastër, të ngopte frymëmarrjen. Natyra krejt e virgjër, blloqet pyjore të aheve të gërshetuara me ato të pishave, livadhet e vogla alpine të mbushura me lloj-lloj lulesh të bukura, të mahnisin. Gjithçka ishte dhe është një mrekulli. Shtoji kësaj edhe mikpritjen sa fisnike, aq edhe bujare të banorëve vendas, atëherë qëndrimi atje zbukurohet pa masë.

Në vitet 1930-1939, për të shfrytëzuar pyjet e Fushë-Zezës, qeveria e Mbretit Zog punonte për hapjen e rrugës së makinës nga Kisha e Shën Kollit Shkrel për në FushëZezë. Kur rruga arriti në Razëm, ndodhi edhe bumi i ndërtimeve. Kryesisht atje vinin qytetarë shkodranë të të gjitha shtresave shoqërore, që kishin familjarët e tyre të sëmurë. Të gjithë ndërtuan shtëpi sipas mundësive që kishin.

Por gjithsesi, shtëpitë dykatëshe të ndërtuara nuk e kalonin numrin dymbëdhjetë. Të shumta ishin shtëpitë e vogla dhe barakat. Razma në muajt e verës, ishte shumë e populluar. Jeta ishte plot gjallëri e aktivitet. Dita e shtunë ishte dita ma e bukur e javës. Pothuaj të gjitha familjet pritshin miq nga Shkodra. Vinin dhe grupe me vegla muzikore dhe me këngëtarë që improvizonin shfaqje. Shpesh organizonin piknikë. Me grupe shkonin në Granashdol, te Gryka e Lugjeve, te Shpella e Pëllumave dhe në pikat e tjera të bukura, që Razma kishte përreth.

Në vitin 1935 përfundoi së ndërtuari shtëpia që sot trashëgojmë. Ishim gjashtë fëmijë, dy motra e katër vëllezër. Por vera e fundit që kemi kaluar në Razëm ishte vera e vitit 1944. Edhe pse në këto anë nuk pati luftë, gjithkund u ndiente pasiguria.

Edhe për Razmën nisi një kohë tjetër, krejt tjetër. Filloi persekucioni. Pjesa ma e madhe e familjeve që patën ndërtuar shtëpi këtu, u quajtën familje borgjeze, ndërsa për disa edhe më keq, familje reaksionare dhe ajo që të ndiqte mbrapa ishte e paparashikueshme.

Por persekucioni ishte shumë më i egër e shumë më gjakatar për familjet e banorët e fshatrave të Shkrelit. Mbas do kohe, Razma u quajt “zonë kufitare”. Megjithëse kufiri nuk ishte kurrkund afër, u mbyll kështu çdo komunikim me qytetin.

Më vonë, dikush që i njihte vlerat e Razmës, që kishte informacion edhe për shtëpitë e reja të ndërtuara aty, propozoi që Razma të kthehej në kamp për pushimin e punëtorëve. Me dekretin e Presidentit të Kuvendit Popullor Nr. 254 dt. 19.04.1951, të gjitha banesat në territoret e tyre që gjendeshin në zonën e kampit veror të punëtorëve Razëm u shtetëzuan pa shpërblim.

Mbas elektrifikimit të kampit, u ndërtua ujësjellësi i ri dhe të gjitha kodrat rreth Razmës u mbollën me fidanë pishe. Sot, kur i sheh këto blloqe pyjore, nuk të besohet se janë mbjellë nga dora e njeriut. Për dëfrimin e kampistëve, u ndërtuan fusha sportive, pista e vallëzimit, biblioteka, infermieria etj. Razma u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë.

Mbas vitit 1990, kampi nuk ka punuar më. Asetet kanë vazhduar të administroheshin nga BSPSH deri në 1997-ën dhe kështu kanë kaluar tridhjetë vjet demokraci. Po çfarë është bërë me Razmën?!

Që në fillim, falë investimit të një resorti të klasit të parë, nga biznesmeni Sherazi Kastrati dhe pak më vonë, falë ndërtimit të hotelit “Kulla e Artë” nga Fred Sterkaj, si dhe investimet e biznesmenëve të tjerë, Razma turistike mori jetë. U asfaltua rruga nga Kopliku për në Razëm. Në anën e fushës së Trashanit është ndërtuar zona pedonale.

Por, në të njëjtën kohë, është harruar dhe po harrohet fakti se Razma kurative, unike në vendin tonë, është disa herë më e rëndësishme se Razma turistike. Razma kurative ka marrë zhvillim shumë kohë më parë se me u njoftë shprehja turizëm malor.

Me anën e këtij shkrimi, i lus të gjithë ata që kanë aftësinë dhe mundësinë, për të gjetur mënyrat si ta promovojmë Razmën kurative, si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve.

© Panorama.al

Te lidhura