Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka komentuar koalicionin e bërë me Partinë Demokratike dhe renditjen në vendin e nëntë në listën e qarkut të Tiranës.
I ftuar në emisionin “FrontLine”, në “News24”, Idrizi tha se së bashku me PD, si aleatja e tyre janë që të sigurojnë të paktën 5 mandate deputetësh, ndërsa shtoi se në këto zgjedhje janë bërë të gjithë bashkë, edhe ata që nuk bëheshin në të kaluarën, për të larguar të keqen.
“Të gjitha janë në zonë të nxehtë, për ta nxjerrë Ramën në zonë të ftohtë, pas 20 e ca vitesh në pushtet është mirë për të dhe Zahon të shkojë në shtëpi. Në fakt, meqë jemi në momentin e kurioziteteve. Unë s’doja që Dule të jetë në Vlorë. Nëse Dule është poshtë meje është prishja e Kodit Zgjedhor nga Rama. Unë për vete e kam parë listën dhe jam befasuar për këtë gjë, vetëm kur e kam parë nga mediat. Unë nuk mundem dot me peshën që kam të kondecionoj zotin Basha. Unë nuk iki nga vendi im, ka ikur dikush tjetër dikur, vendi që kam është i PDIU.
Nuk kam marrë të gjithë listën për të uruar, sepse po shkojmë në betejë e jo në dasmë. Janë bërë bashkë ata që nuk duhet të bëheshin bashkë, për të hequr të keqen, Ramën. U detyruam të futemi në një listë, për shkak të Kushtetutës. Shqiptarët janë të lirë, kush nuk e do Dulen të mos e votojë. Kush nuk na do ne, të mos na votojë. Unë jam në vendin tim dhe me votat e mia. Nëse ata që qajnë hallin se u bëra mik me grekun, unë s’kam probleme.
Ne duhet të kthehemi në tokat tona, që janë të Shqipërisë, tonat, që prej krijimit të njerëzimit. Pra, ata kanë pasur Dulen aty, këta nuk kanë probleme ç’a raporti kemi ne me Greqinë. Juve nuk iu bën përshtypje që Rama nuk e ka në program çështjen çame. Ai nuk flet për ligjin e luftës me Greqinë. Unë po të rendis agjendën greke. Heqja nga librat e teksteve shkollore e termit Çamëri, nuk është dëshirë, por detyrim ndaj qeverisë. Akt dëshire është ajo e Ramës që tha shkova në Greqi dhe hëngra darkë të bukur.
E mbani mend betejën që kemi bërë 10 vite më parë. Narta, zona në Vlorë, Himara dhe disa zona në Përmet ishin zona minoritare, këtë e thonin zyrtarët grekë. Ligji i ri për minoritete e nxori Shqipërinë me 9 minoritete. Këto janë akte që do i kushtojnë rëndë Shqipërisë në vazhdim. Janë vrarë masakruar, njerëz për këtë histori dhe sigurisht nuk mund të jetë pjesë e një trajtimi sipas preferencave të Greqisë”, deklaroi Idrizi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al