Në mes të arës i ekzekutuar me kallashnikov, askush nuk pa asgjë. Misteri i vrasjes së babait të dy fëmijëve, ku po hetohet

Oct 22, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

Shkoi për të marrë gështenja, gjendet i vrarë nga të afërmit. Lazer Arraj, 55 vjeç, është gjetur i ekzekutuar me dy plumba kallashnikovi në mes të një are. Babai i dy fëmijëve jeton prej disa vitesh në qytetin e Shkodrës, por këtë fillim jave kishte shkuar në fshatin e tij të lindjes. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Palaj të Malësisë së Dukagjinit, ku Arraj kishte shkuar për të mbledhur gështenja.

palaj

Ende mbeten mister rrethanat dhe motivet e kësaj vrasjeje, ndërkohë që Policia e Shkodrës po punon për zbardhjen dhe identifikimin e autorit. Gjithçka ka ndodhur pasi babai i dy djemve po bëhej gati për t’u kthyer në Shkodër.

“Me datë 21.10.2019, rreth orës 12:00, në fshatin Shosh, Shkodër, dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi L.A. 55 vjeç, banues në fshatin Palaj, Shosh, Shkodër. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit”, bëhet e ditur zyrtarisht nga Policia lidhur me ngjarjen.

Trupi i 55-vjeçarit u gjet nga të afërmit e tij i shtrirë në tokë, ndërsa kanë deklaruar në Polici se nuk kanë dëgjuar të shtëna apo të kenë parë ndonjë person, me të cilin është konfliktuar viktima. Trupi i Arrajt u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Shkodrës. Nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se është qëlluar dy herë në trup. Arma e krimit rezulton se ka qenë një kallashnikov.

Pak orë pas ngjarjes së rëndë, forca të shumta të Policisë mbërritën në vendin e ngjarjes. Ato kanë kryer krehje të zonës dhe kontroll të çdo automjeti, që ka kaluar në atë zonë malore. Gjithashtu është bërë shoqërimi i disa personave që mund të kenë dijeni mbi atë që ka ndodhur, por deri tani nuk është arritur në ndonjë përfundim.

Sipas hetuesve, dy pistat kryesore të hetimeve mbeten ajo e ndonjë konflikti të çastit me ndonjë prej banorëve të zonës, që mund të ketë çuar në vrasjen e 55-vjeçarit dhe ajo e ndonjë gjakmarrjeje të vjetër të familjes së Lazër Arrajt, por kjo mbetet për t’u verifikuar pas marrjes në pyetje të dy djemve dhe familjarëve të viktimës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura