“Në Mauthausen, ne sillnim drutë që do digjeshin shokët tanë dhe kur u ktheva në Tiranë, Enver Hoxha më tha….”- Rrëfimi tronditës i të mbijetuarit

May 10, 2020 | 16:57
SHPËRNDAJE

Në përkujtim të 9 Majit, ditës së fitores mbi fashizmin, publikohen historitë e panjohur të shqiptarëve të cilët gjatë periudhës së pushtimit gjerman të vendit, u arrestuan dhe u internuan në kampet e përqendrimit që ata kishin ngritur në Jugosllavinë e asaj kohe, si në Prishtinë, Zemun dhe Banicë afër Beogradit, ku në atë kohë vuajtën dënimin rreth 500 shqiptarë.

Dëshmitë e rralla të Beqir Ramazan Xhepës, njërit prej të paktëve shqiptarë që mbijetuan nga kampet naziste të ç’farosjes, i cili tregon për udhëtimin cfilitës të burgosurve shqiptarë me kamionët ushtarakë në itinerarin: Tiranë, Elbasan, Strugë, Manastir dhe nga aty me tren për në kampin e Zemunit që ndodhej në periferi të Beogradit. Si trajtoheshin të burgosurit shqiptarë, jugosllavë dhe grekë në atë kamp, nga kushtet çnjerëzore të jetesës, ushqimit dhe epidemive me sëmundjet ngjitëse ku vdiqën 130 shqiptarë, te torturat që i’u bëheshin aty dhe emrat e atyre shqiptarëve që bashkëpunuan me gjermanët në dëm të bashkëatdhetarëve të tyre?!

Kampi-i-Prishtines.-1-750x375

“Në kampet naziste të ç’farosjes në masë që nazistët kishin hapur gati në çdo shtet të Evropës, fatkeqësisht kishte edhe disa shqiptarë që bashkëpunuan ngushtë me Gestapon dhe që spiunonin apo keqtrajtonin bashkatdhetarët e tyre. Ndër ta mund të përmëndim Hilmi H. dhe Thanas B. nga Vlora, apo dhe dy patriotët e tyre Dr. Vasili dhe Dr. Lluka, të cilët u sollën shumë keq me shqiptarët që ishin të burgosur në ato kampe internimi. Gjatë vizitave që u bënin bashkëatdhetarëve të tyre Dr. Vasili dhe Dr. Lluka, u qëndronin dy metra larg të dënuarve dhe ua ngrinin këmishën me një purtekë për arsye se kishin frikë që të mos merrnin ndonjë sëmundje ngjitëse, siç ishin tifoja e morrit apo dizanteria. Ose dhe ndonjëherë i përzinin fare dhe nuk i vizitonin. Që të dy ishin bashkëpuntorë të Gestapos dhe në gusht të vitit 1944 u kthyen në atdhe.

Ndërsa të tjerët i dërguan për ti çfarosur në Mauthauzen. Dr. Vasili, me të mbaruar lufta u arratis për në Itali. Kështu dëshmonte në mes të tjerash, Beqir Ramazan Xhepa, i cili ka qenë një prej atyre të mbijetuarve të pakët që arritën të shpëtonin gjallë nga ato kampe të tmerrshme.

Edhe pse ai kishte qenë korrier i Qemal Stafës dhe shtëpia e tyre aty në qëndër të Tiranës ishte një nga bazat më të fuqishme ku strehoeshin disa prej krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, Beqir Xhepa u burgos katër herë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, dhe bashkë me të edhe pjestarët e tjerë të familjes, si babai, xhaxhai, vëllai i tij etj, ku disa vdiqën nën tortura apo mbetën të gjymtuar përjetë nga trajtimi çnjerëzor që i’u bë në hetuesi. Ndërsa me të gjitha këto jemi njohur në një intervistë të gjatë të z. Xhepa, ku ai jepte dëshmitë e tij lidhur me implikimin e Enver Hoxhës në vrasjen e Qemal Stafës dhe më pas dënimin e të gjithë shokëve dhe miqve të tij, në këtë shkrim, ai dëshmon një nga historitë më të dhimbshme dhe tragjike të shqiptarëve që vuajtën në kampet naziste të përqëndrimit, si: Zemuni, Banica, Mathauzen, Gusen, Ebensee, Melk, etj., ku ai ka vuajtur personalisht, pasi ishte arrestuar nga forcat gjermane duke dërguar një letër në Çetën e Pezës në vitin 1943.

 Vijon nga numri i kaluar

Si u sistemuan shqiptarët në atë kamp?

QEMAL_STAFA_12-750x375

Brenda oborrit të burgut kishte disa baranga të braktisura, ku shqiptarët u vendosën në tre nga këto dhe në tre të tjerat u vendosën grekët, ndërsa jugosllavët i dërguan brenda në ndërtesën kryesore.

A jua lejonin gjermanët, ndihmat që ju jepnin jugosllavët?

Jo jo, ajo gjë nuk lejohej dhe gjithshka kryhej në fshehtësi të plotë. Kur gjermanët e morrën vesh këtë, morën masa dhe e rrethuan duke izoluar barakat me tela me gjëmba. Kështu ata kryen izolimin e lokalit ku ndodhej buka, në një oborr të vogël, brënda oborrit të madh të burgut.

Po ju të burgosurit shqiptarë në kampin e Banicës, a u organizuat siç kishin bërë jugosllavët?

Duke parë grekët dhe jugosllavët, dhe ne shqiptarëve na u desh që të krijonim Komitetin Revolucionar me në krye Kozma Nushin, Enver Veljen dhe Sul Cenojmerin.

Çfarë veprimtarie pati ai komitet aty në burg?

Komiteti organizonte tërheqjen dhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore tek shqiptarët, ndihma që këto jepeshin nga Komiteti Revolucionar jugosllav dhe ai grek. Pavarësisht nga masat që morën gjermanët, u organizua ajo që quhet aksioni i bukës. Në këtë aksion merrnin pjesë disa njerëz, sigurisht ata që ishin më të guxishëm dhe më të shkathët. Për këtë pati dhe disa divergjenca mes shokëve tanë si: Kozma Nushi dhe Telat Noga, nga njëra anë, dhe Enver Veljës dhe Sul Cenamerit nga ana tjetër. Divergjencat vinin sepse, Sul Cenameri donte që grupi i Shqipërisë së Mesme të shkëputej nga grupi i Shqipërisë së Jugut që kryesohej nga Kozma Nushi dhe Telat Noga. Pra me pak fjalë, grupet e Tiranës, Durrësit, dhe Elbasanit, të krijonin grupin e tyre më vete dhe sigurisht që ai do kryesohej nga Sul Cenameri.

Përse kishte lindur konflikti mes tyre?

Si pretekst dhe me të drejtë Sula dhe Enver Velja, ngrinin problemin e aksionit të bukës duke thënë se përse vetëm shokët e Shqipërisë së Mesme të merrnin pjesë në atë aksion dhe të vinin kokën në rrezik, ndërsa grupi i Telat Nogës, kishte mundësi më të lehtë për t’u furnizuar me bukë duke shitur apo këmbyer ndonjë cigare me 1 kg bukë etj. Këto cigare ai i mbante fshehur dhe i ndante me grupin e tij. Pra sipas Cenamerit dhe Veljes, grupi i Shqipërisë së Jugut e kishte një burim nga ku mund të furnizohej, ndërsa ata që bënin aksionin nuk kishin asnjë burim. Kështu uria i detyronte ata që të vinin jetën në rrezik dhe të bënin aksionin e bukës, në dallim me grupin tjetër. Kjo ngrihej me të drejtë nga Sul Cenameri dhe Enver Velja.

Si u zgjidh ky problem?

Mbas 4-5 debatesh, në Komitetin Revolucionar, u arrit një marrëveshje dhe mbeti ashtu siç ishte, d.m.th. një grup i përbashkët revolucionar ku aksionin e bukës do ta kryenin ata që e kishin kryer në atë kohë.

Si kryhej aksioni i bukës?

Shokët që ishin caktuar për këtë aksion, merreshin vesh nëpërmjet dritareve me shokët jugosllavë të burgosur, duke bërë shenja të ndryshme që ne i quanim esperanca. Ata duke u tërhequr barkas arrinin deri tek penxheret e kapanoneve ku ndodheshin ata. Këta ishin katër shokë, të cilët çdo mbrëmje niseshin me kokë në torbë dhe kryenin aksionin me një heroizëm të lartë, në dobi të të gjithë kolektivit. Aty jugosllavët mbasi kishin mbushur dy thasë kryesisht me bukë dhe nëpërmjet një litari në anë e katit të dytë, nisnin thasët të cilët merreshin nga këta katër shokë. Çdo ditë sigurohej gati 500 racione bukë. Kjo ishte një punë shumë e rrezikshme për shokët tanë pasi, po të pikaseshin nga roja gjermane e kullës, rrezikoje jetën. Pra ky nuk qe thjesht aksioni i bukës, por me të drejtë mud ta quajmë aksioni i heroizmit.

Çfarë kujtoni ndonjë ngjarje tjetër me të burgosurit në atë kamp?

Aty kishte pothuajse çdo ditë nga një ngjarje, por unë do t’ju tregoj atë me një shokun tonë që pati një fund tragjik. Një natë korriku të vitit 1944, një nga shqiptarët filloi të thërriste me të madhe “Para partizanë, vritini gjermanët”. Pas këtyre thirrjeve, ai nisi që të këndonte këngë patriotike, dhe kjo gjëndje vazhdoi deri në mëngjes. U munduan shokët tanë që ta qetësonin por nuk qe e mundur. U thirrën tre doktorët që ta qetësonin, por dy prej tyre as që u afruan fare, ndërsa Dr. Mihali, u mundua ta sillte në vete, por nuk mundi. Ky ishte Gani Kokli nga Tirana, ish partizan që nga tmerri dhe nga torurat kishte humbur mendjen. Në mëngjes Gestapoja, erdhi dhe e mori, gjoja për ta dërguar në spitalin neuro-psiqiatrik të Beogradit, por në fakt ky u dërgua në një drejtim të paditur dhe u ekzekutua.

A kishit përçarje apo probleme me njëri tjetrin ju të burgosurit shqiptarë në atë kamp?

Kishim problem sepse edhe aty në mes nesh, kishte njerëz me karakter shumë të ulët siç ishte p.sh Mustafai  nga Kavaja, i cili ishte hajdut ordiner. Ai nuk kishte asnjë lidhje me Lëvizjen Nacionalçirimtare dhe kishte ardhur aksidentalisht në atë kamp. Për të shpëtuar lëkurën e vet ai u rrëmbente shokëve më të dobët fizikisht racionin e bukës prej 200 gr.

A pati shqiptarë që humbën jetën në atë kamp?

Aty në burgun e Banicës vdiqën 80 shqiptarë, kështu nga 512 shqiptarë që ishim në fillim në kampin e Zemunit, numri i tyre u ul brënda një periudhe të shkurtër 9 mujore në afro 300 vetë. Menjë fjalë në Zemun dhe Banicë vdiqën gjithsej 212 shqiptarë.

Po nga Mauthauseni çfarë kujtoni?

Në gushtin e vitit 1944 Ushtria e Kuqe e Stalinit filloi të përparonte me shpejtësi drejt Gjermanisë. Për këtë arsye, nazistët i ngritën të gjithë të burgosurit nga Banica, duke na dërguar në kampin e përqëndrimit të Mauthausenit. Ky kamp ndodhej në Austri dhe ishte një nga kampet më të tmerrshme të përqëndrimit. Pasi na morën nga Banica, na dërguan në stacionin e trenit të Beogradit, duke na futur në vagona të mbyllur mallrash, në të cilat nuk mund të shikoje asgjë jashtë. Brënda në to ishte shumë ngushtë dhe nuk mund të qëndroje veç në këmbë. Po kështu dhe prej vapës të merrej fryma.

Sa zgjati ai udhëtim?

Udhëtimi zgjati pothuajse një javë dhe rrugës për në Mauthausen vdiqën dy shqiptarë, Sadik Boshnjaku nga Elbasani, dhe Jani Godo. Ngjarja më e rëndësishme e këtij udhëtimi, pra Beograd-Mauthausen, ishte vrasja e kriminelit serb, Bane, në duart e të cilit kishin dhënë jetën shumë shqiptarë.

Si ndodhi vrasja e tij?

Vrasja e Banes u krye nga shokët e Komiteti Revolucionar jugosllav, të cilët e kapën atë në vagon, ndërsa udhëtonte natën bashkë me të burgosurit e tjerë jugosllavë. Atij mbasi i mbyllën gojën me shami dhe i lidhën duart, e mbytën duke e goditur me ç’të mundnin. Kur treni ishte duke ecur, atë e hodhën tek kufomat e tjera e të vdekurve në rrotat e vagonëve. Ky ishte fati i kriminelit serb Bane që u shërbeu me sa mundi nazistëve, por në fund ata as që pyetën për të. Sepse secili prej tyre donte që të shpëtonte lëkurën e vet.

Kur mbërritët në Mauthausen?

Grupi ynë arriti në Mauthausen në datën 20 gusht të vitit 1944. Në orën 15 në stacionin e trenit na vunë në rresht tre e nga tre. Duhej një orë udhëtim në këmbë për të arritur në një kodër ku ndodhej gurorja që kishte ngrënë me qindra jetë njerëzish dhe në fund ishte “kështjella e ferrit”, Mauthauseni. Në këtë kamp në një periudhë 6 vjeçare, thuhej se vdiqën me mijëra të internuar të komëbsive të ndryshme, të cilët u bashkuan dhe u vëllazëruan në mes të tmerreve dhe vuajtjeve, ndër ta edhe shqiptarë. Kur arritëm atje, pamë oxhakun e krematoriumit që nxirrte tymin e përzier me flakët e kuqërremtë nga trupat që po digjeshin.

Ç’farë rregullash kishte kampi i Mauthausenit?

Sipas rregullave të kampit, në apel duhet që të hidhje përtokë të gjitha rrobat dhe sendet vetjake, dhe më pas të hyje në banjë. Para se të laheshe, duhet që të kaloje tek berberi. Aty pasi rruheshe dhe qetheshe zero, në mes të kokës të bënin me brisk një vijë 3-4 cm. të gjerë ku indentifikoheshe që ishe i burgosur i Mauthausenit. Pasi bëje banjë, të nxirrnin lakuriq në oborrin e kampit. Mbasi na mbajtën disa orë ç’veshur, në fund na shpërndanë uniformën e kampit, e cila ishte me vija të trasha të bardha dhe blu që u ngjante zebrave. Gjithashtu të vendosej një trekëndësh dhe një numër matrikulli në gjoks, në shpinë, dhe poshtë xhepit të pantallonave. Në të djathtë të saj ishte një trekëndësh blu që tregonte se ishe i burgosur politik. Shqiptarët u përkisnin numrave rendorë nga 99.770, deri në 100.071. Mbasi na u bë e njohur rregullorja dhe rregullat e brëndshme të kampit, të nesërmen na caktuan që të punonim në gurore.

Si ishte puna atje?

Puna atje ishte më e vështira dhe më vdekjeprurësja. Të gjithë ata që punuan këtu vdiqën brënda një kohe shumë të shkurtër. Këtu punonin ata që paraqisnin rrezikshmëri të lartë. Nga shqiptarët me rrezikshmëri të lartë sipas nazistëve ishin, Kozma Nushi, Telat Noga, Shefqet Leka, Sul Cenomeri, Enver Velja, etj. Mbas dy ditësh në 23 gusht 1944, një pjesë e shqiptarëve u dërguan nëpër kampet filial të Mauthausenit siç ishin Ebensee, Mels, Gusen, etj.

Ju ishit të burgosurit e parë shqiptarë që u dërguat në kampin e Mauthausenit?

Jo, përpara nesh aty kishte qenë një grup tjetër shqiptarësh dhe atë gjë ne e mësuam aty në Mauthausen nga të burgosurit spanjollë, të cilët na thanë se para një viti, aty nga shtatori i vitit 1943, kishte vajtuar dhe një grup tjetër shqiptarësh prej 25 vetësh, që më parë kishin qenë të internuar në Itali dhe me kapitullimin e Italisë, ata u dërguan në Mauthausen. Kur vajti grupi ynë i shqiptarëve në gusht të vitit 1944 aty në Mauthausen, nuk gjeti as dhe një nga këta shqiptarë që kishin ardhur nga Italia në shtator të 1943, pasi të gjithë kishin vdekur ose ishin zhdukur nga ushtarakët SS-së.

Sa shqiptarë kanë vuajtur në kampin e tmerrshëm të Mauthausenit dhe sa prej tyre mundën të dilnin gjallë nga ai kamp?

Po të llogarisimim edhe 25 shqiptarët që kanë kaluar portën e Mauthausenit në vitin 1943 dhe 301 të tjerët në gushtin e vitit 1944, del se në atë kamp kanë kaluar gjithsej 326 shqiptarë dhe nga këtë vetëm 23 kanë shpëtuar të gjallë dhe 22 prej tyre janë kthyer në atdhe mbas kapitullimit të Gjermanisë naziste. Në bazë të këtyre të dhënave, del se 303 shqiptarë humbën jetën aty në kampin famëkeq të Mauthausenit apo filialeve të tij, si në Gusen, Melk, Ebenze, etj., nga torturat çnjerëzore, uria, sëmundjet, keqtrajtimet etj.

Po aty në kampin e Mauthausenit  ju të burgosurit shqiptarë, a u organizuat ashtu si në Banicë të Jugosllavisë?

Shqiptarët e burgosur në Mauthausen nuk mundën që të krijonin dot një “bllok” më vehte, siç kishin kombësitë e tjera të huaja. Kjo ishte mjaft negative për shqiptarët, por duhet thënë se nga ana tjetër pati edhe anët e veta pozitive, pasi duke u shpërndarë në “blloqet” e kombësive të tjera të huaja, ne mësuam shumë gjëra që më parë nuk i dinim.

Konkretisht, çfarë…?

Duke u njohur nga afër me ta, ne arritëm të hynim në organizatën ilegale ndërkombëtare që ishte ngritur dhe vepronte brenda në kamp, kundër nazizmit. Madje shqiptarët hynë në njësiet ushtarake ilegale që u krijua në janarin e vitit 1945, e cila përbëhej nga 76 persona (të gjithë burra) nga 25 kombësi të ndryshme që nodheshin në atë kamp. Të gjithë kishin përfaqësuesit e tyre në këto njësi ushtarake ilegale.

Kush ishin nga shqiptarët në atë njësi?

Nga shqiptarët në atë njësi ishin: Kozma Nushi, Sul Cenomeri, Fadil Alushi, Shefqet Leka, etj. Kjo pati rëndësi tjetër që ishte shumë pozitive, pasi Kozma Nushi arriti që të bëhet edhe anëtar i Komitetit Revolucionar.

Përse thuhet se Mauthauseni ka qenë një nga kampet më të tmerrshëm të nazistëve gjermanë, si e kujtoni ju atë?

Eshtë e vërtetë, se kampi i Mauthauseniy ka qenë një ndër kampet më të tmerrsheme të Europës, ndër 636 kampet e përqëndrimit që numëroheshin në territorin e Gjermanisë dhe të Austrisë në fillimin e vitit 1945, pa përmëndur këtu kampet e tjera që ndodheshin në territoret e Polonisë, Çekosllavakisë, Jugosllavisë etj.  Atje puna ishte shumë e rëndë dhe ushqimi ishte shumë i pakët në krahasim me punën që bëhej. Pra, puna e rëndë dhe ushqimi i pakët, ishin dy faktorët kryesorë që me siguri i dërgonin drejt vdekjes graduale, ndërsa torturat e tjera fizike, varjet në litar, vrasjet me çdo mjet që u vinte për dore, siç ishin ekzekutimet e veçanta dhe kolektive (pushkatimet), djegiet nëpër krematoriume dhe shumë të tjera që SS-të nga ana e tyre i konsideronin si zbavitje.

Ato trupa njerzore si skelete që shohim nëpër filmime apo foto të ndryshme, janë nga mungesa e ushqimit?

Vetëm nga mungesa e ushqimit, pasi aty ishte më se normale që një i burgosur të humbiste 10, 20, 30, kg. brenda një kohe të shkurtër prej dy muajsh, që nga ardhja e tyre në kamp.

Po puna, si ishte atje?

Puna atje nuk pushonte kurrë, as ditën dhe as natën, në shi, në erë, në furtunë, në ngrica e acar, apo dhe vapë kur dielli përvëlonte e digjte si saç, sidomos te shkëmbinjtë ku punonin të burgosurit në thyerje gurësh, që nxeheshin më shumë nga dielli dhe e shtonin të nxehtin. Të burgosurit aty kanë punuar në disa fronte pune, si në: gurore, hapjen e tuneleve dhe galerive, hapjen e kanaleve vaditëse për tharjen e kënetave, duke u futur në ujë deri në brez dhe kur kishte akull.

Sa orë punonin të burgosurit në ato fronte pune?

Orari i punës ndryshonte sipas kampeve dhe në varësi të fronteve të punës, por gjithmonë ishte i gjatë, mbi 12 orë në ditë.

Po me sëmundjet, a kishte probleme siç thatë për kampin e Zemunit?

Shumë problem kishte puna e sëmundjeve ngjitëse, si dizanteria, tifoja e morrit, e të tjera, të cilat vinin për shkak të mungesës së kushte elementare të higjenes dhe pastrimit, pasi mungonte uji, nevojtoret, etj., dhe mungesa e tyre shkaktonte shpesh herë epidemira që bënion kërdinë duke marrë jetët e të burgosurve.

Po kujdesi mjeksor për të burgosurit si ishte?

Jo vetëm që për të burgosurit nuk kishte asnjë lloj kujdesi mjeksor, por ata shpesh torturoheshin dhe keqtrajtoheshin pa asnjë shkak. Kështu kur kishte raste që ata ndyheshin nga që ishin të sëmurë, i detyronin të zhvisheshin lakuriq dhe i fusnin në dushe me ujë të ftohtë edhe në mesin e dimirit.

Po për të sëmurët nuk kishte fare ndonjë diferencim?

As bëhej fjalë, kur dikush nga të burgosurit ankohej duke thënë se ishte i sëmurë, përgjigjia që u jepej ishte kjo: “Këtu nuk ka të sëmurë, këtu ka vetëm të gjallë ose të vdekur”, dhe mes atyre duheshe të zgjidhje.

 Ç’farë ndëshkimesh kishte aty për ata që thyenin rregullat?

Një nga ndëshkimet më të shpeshta aty ishte dënimi me varje, të cilat shpesh bëheshin nën tingujt e muzikës në sheshin e madh ku rreshtoheshim për të bërë apelin. Të dënuarit ishin të detyruar që të shkonin dhe të shikonin shokët e tyre kur vareshin në litar. Ekzekutimi me varje bëhej me anë të një mekanizmi (Makara) që ngrinte 9 deri 11 vetë menjëherë. Ndërsa kur ishte ftohët dhe temperaturat ishin disa gradë nën zero, ata përtonin të dilnin e të vinin në punë atë mekanizëm për të varur të burgosurit, dhe i linin ata 24 orë në të ftohtë deri sa të ngrinin dhe të vdisnin vetë pa qenë nevoja që t’i varnin. Kishte dhe shumë forma të tjera që i mundonin të burgosurit deri sa t’ju dilte shpirti.

Po ndonjë nga të burgosurit shqiptarë, a pati fatin e keq që t’i provonte këto tortura ç’njerzore?

Njeri prej tyre kam qenë dhe unë por nuk dua të zgjatem për këtë, pasi unë të paktën shpëtova gjallë, ndërsa të tjerët mbetën aty.

Si silleshin gjermanët me ju të burgosurit shqiptarë në atë kamp?

Në vjeshëtn e vitit 1944 kur ne të burgosurit shqiptarë porsa kishim mbërritur në atë kamp, morrëm pjesë në sabotimin e kampit të ri që do ndërtohej në afërsi të Mauthausenit me emrin “Osvjeçini i Ri”, i cili flitej se në krematoriumin e tij do të kishte një kapacitet për të djegur rreth 30 mijë kufoma në ditë. Mirpo për fat të mirë, ky plan i gjermanëve nuk u realizua dot, për arsye se ai i sabotua nga të burgosurit që ishin aty, ku midis tyre kishte dhe shqiptarë, dhe e dyta e më kryesorja, ishte fakti se gjermanët në atë kohë ishin të çoroditur nga humbjet e mëdha që kishin pësuar kudo në dy frontet e luftës, atë të Lindjes dhe Perëndimit. Kështu më 30 nëntor të vitit 1944, sjellja e gjermanëve ndaj nesh ndryshoi krejtësisht për keq, pasi ata u bënë si të tërbuar ndaj ne shqiptarëve dhe na qëllonin me çdo gjë që kishin nëpër duar, kudo që të na shikonin.

Po pse ndodhi kjo?!

Arsyen e vërtetë rreth kësaj ne e mësuam disa kohë më vonë dhe ajo kishte ardhur për shkak të largimit të gjermanëve nga Shqipëria, ku kishin pësuar humbje jo të vogla nga bombardimet e aviacionit aletat anglo-amerikan, gjë për të cilën ata bënin fajtore qeverinë shqiptare, që siç thonin, nuk u kishin ndërhyrë fare në punët e tyre të brendëshme. Në fillimin e vitit 1945, pra në muajt e parë, janar, shkurt, mars apo dhe prill, pas shumë vuajtjesh e torturash, vdiq shoku ynë, Kozma Nushi, i cili ndodhej në kampin e Gusenit, një filal i Mauthausenit. Vdekja e tij na trishtoi të gjithëve pa masë, pasi ai ishte udhëheqësi i rezistencës së shqiptarëve që në kampin e Zemunit dhe Banicës në Jugosllavi, e gjithashtu edhe aty në Mauthausen e Gusen. Kozmai kishte qenë sekretar politik i Partisë Komuniste për Qarkorin e Durrësit dhe ishte njeriu tek i cili kishim varuar shumë shpresa ne shqiptarët.

Ç’ndodhi më pas me ju shqiptarët në kampin e Mauthausenit dhe filialet e tjera të tij?

Ne shqiptarëve na dërguan në kampin Ebenze, që ishte filial i Mauthausenit dhe kampi i fundit ndër 636 kampet e përqëndrimit që kishin ngritur nazistët gjermanë më 18 nëntor të vitit 1943 dhe që njëkohësisht ishte dhe kampi më i tmerrshëm nga të gjithë kampet e tjerë, i cili qëndroi i hapur dhe funksional deri në fund të kapitullimit të Gjermanisë hitleriane, për arsye se aty u evokuan dhe u transportuan të gjithë të burgosurit që ndodheshin në kampet e tjera, kryesisht ata të Mauthausenit.

Përse thoni se Ebenze ishte kampi më i tmershëm?!

Po sepse nisur nga fakti që aty u grumbulluan të gjithë të burgosurit e kampeve të tjera, jetesa u bë shumë më e vështirë pasi ushqimi që ishte llogaritur vetëm për të burgosurit e atij kampi, do pjestohej dhe shpërndahej edhe për të gjithë të tjerët që erdhën aty. Kështu që në muajin prill të vitit 1944, të burgosurve u jepej vetëm 75-80 gram bukë në ditë, madje një javë apo rreth dhjetë ditë, të burgosurit mbetën pa asnjë gram bukë, gjë e cila e shtoi shumë numrin e të vdekurve.

Sa shkoi numri i të vdekurve dhe a kishte shqiptarë ndër ta?

Pothuaj në çdo “bllok” kishte mesatarisht rreth 80 deri 100 të vdekur në ditë, ku ndër ta pati dhe shumë shqiptarë.

Po kushtet e akomodimit si ishin, pasi i’u grumbulluan të gjithëve në atë kamp?

Fjetja u bë shumë e vështirë pasi të burgosurit ishin të detyruar që të flinin nga katër pesë vetë në një krevat apo dhe në dysheme.

Të kthehemi te grupi i shqiptarëve që ishit në kampin e Mauthausenit, komunistë ishin të gjithë ata?

Grupi i dytë i shqiptarëve që kishte vajtuar në kampin e Mauthausenit në gushtin e vitit 1944, ishin një konglomerat ku kishte atdhetarë, patriot, nacionalistë, komunistë, republikanë, zogistë, anarshistë, hajdutë ordinerë, etj., të cilët vinin nga vënde të ndryshme dhe midis tyre kishte edhe të rinjë e fëmijë. Menjëherë pas ardhjes së tyre në atë kamp, autoritetet e kampit i’u folën gjerë e gjatë për jetën që bëhej aty dhe i paisën me kasketa të ngrohta dhe doreza. Mirpo kjo ishte një gjë shumë e mirë sidomos për ne shqiptarët që na shpërndanë nëpër “blloqe” të kombësive dhe filiale të ndryshme, ku ne shqiptarët nuk krijuam dot një “bllok” më vete. Aty në atë kamp më kujtohen shumë të rinj që punonin në copa guri, zemra dhe gjëra të tjera të bukura që më pas i mbanin të varura në qafë si hajmali apo medaljone.

A kishte shqiptarë në ndonjë kamp tjetër filial të Mauthausenit?

Ka pasur në disa kampe dhe njëri prej tyre ka qenë kampi i Liobl-it, i cili ishte një kamp i vogël por shumë i rrezikshëm për jetën e të burgosurve. Aty kufomat e të burgosurve i digjnin në një zjarr të madh që bëhej me dru në kufi të kampit, pra sa më larg kapanoneve e barakave, ku ishin të burgosurit dhe autoritetet e burgut. Ishte e tmerrshme kur shikoje se si të burgosurit ishin të detyruar që të sillnin dru zjarri në kurriz me të cilat do digjeshin kufomat e shokëve të tyre. Po kështu dhe infermierët me tezga sillnin të burgosurit në qëndrën e SS-ve, ku mjeku nazist u jepte një injeksion vdekjeprurës dhe ata ndërronin jetë pas pak çastesh.

A kujton ndonjë rast me ndonjë të njohur që pati këtë fat tragjik?

Më kujtohet një fëmijë polak rreth 12 vjeç, i cili u dëbësua aq shumë, saqë mezi arriti nga gurorja në kamp. Ashtu i lodhur siç ishte ai nuk i’u vuri shumë rëndësi shkopinjëve që duhet të çonte në kamp dhe përgjegjësi i “bllokut” e rrahu, e ashtu me gërvishtje në fytyrë të nesërmen ai u nxorr para të gjithë kampit, duke u bërë shembull për të gjithë të burgosurit si dhe përgjegjësat e gurores që e kishiu lejuar të vinte në kamp pa shkopinjtë e drurit. Në darkë kur po ktheheshim nga puna në kamp, ai se mbajti dot veten në këmbë dhe u rrëzua përtokë. Një spanjoll e ngriti dhe e morri në krah e ashtu gjysëm të vdekur e dërgoi deri në kamp, ku me siguri përfundoi te tezgat e infermierëve që i çonin tek mjeku që i’u bënte injeksionet vdekjeprurëse.

Ndonjë rast tjetër kujtoni që ju ka mbetur në kujtesë?

Një ngjarje tjetër tragjike që më kujtohet, është ajo e fillimit të dhjetorit të vitit 1944. Atë ditë binte shi i përzier më borë dhe bënte një i ftohtë shumë i hidhur. Ne na ç’veshën të gjitha rrobat e trupit, duke na lënë vetëm me të brendëshme dhe ashtu na dërguan në punë. Punuam ashtu deri nga dreka ku na lanë fuqitë pasi ishim të bërë ujë nga shiu që na kishte hyrë deri në palcë dhe mezi mbaheshim në këmbë.

Ç’ndodhi me ju më pas, i’u kthyen në kamp?

Na kthyen që të mos vdisnim aty ose rrugës, por kur shkuam në kamp, nga rreth 80 veta që ishim në atë grup me kombësi të ndryshme, vetëm nja 60 prej tyre mundën që të hanin atë që quhej ushqim i drekës, pasi pjesa tjetër u shtrinë në vëndet e tyre dhe vdiqën pas pak ditësh nga ftohja e mushkrive.

Si dhe kur u liruat nga kampet naziste?

Nga muaji shkurt-mars i vitit 1944 të burgosurit e të gjithë kampeve të Mauthausenit, pra filialeve të tij, u evakuan dhe u grumbulluan të gjithë në Mauthausen dhe sëfundi në Ebenze. Më datën 5 maj aty në Ebezne ku ndodheshim edhe ne shqiptarët, erdhën dhe hynë trupat amerikane. Menjëherë të katër a pesë shqiptarët që ishin aty u liruan, ndërsa të tjerët që ndodhshin në Mauthausen, u morrën në dorëzim nga shokët e organizatës ilegale të revolucionarëve italianë dhe jugosllavë. Trupat amerikane filluan të bënin fjalë me shqiptarët duke ua mbushur mëndjen që të shkonin me ta në SHBA-ës dhe po kështu u thanë edhe italianëve e jugosllavëve që ishin aty.

Po juve personalisht i’u thanë të shkonit në SHBA-ës?

Patjetër, erdhi dy tre herë një major amerikan duke na u lutur mua dhe shokut tim, Abdulla Krutanit, por ne të dy e refuzuam atë gjë, se donim të ktheheshim në Shqipëri pranë familjeve tona që na dinin të vdekur. Pas kësaj na u dha urdhëri që italianët, jugosllaëvt dhe ne shqiptarët, do të ktheheshim në vëndet tona, ose nëpërmjet Jugosllavisë, ose nëpërmjet Italisë. Dhe kështu u bë, ne u kthyem nëpërmjet jugosllavisë me “shokët” jugosllavë.(Ja ku kam dhe dokumentin që ma dhanë në Jugosllavi që të mos pengohesha për t’u kthyer në Shqipëri).

Kur u kthyet në Tiranë, si ju pritën në shtëpi, a kishin dijeni se do ktheheshe?

Kjo është një histori më vetë shumë e dhimbëshme që duhen orë të tëra t’ua tregoj. Në shtëpi jo vetëm që nuk e dinin se do kthehesha, por ata prej kohësh më dinin të vdekur dhe kishin hapur mortin sipas zakoneve dhe kur më panë në derë të shtëpisë, nënës sime i ra të fikët, se kujtoj se mos isha ndonjë fantazëm. Mezi e kemi sjellë në vete dhe u u bë një festë e madhe, ku mblodhëm gjithë njerzit tanë të cilat qanin me lotë gëzimi.

Po nga ana e shtetit të asaj kohe a ju priti njeri dhe çfarë ju thanë?

Edhe kjo është një histori shumë e gjatë jo vetëm me mua, por dhe me pjesën tjetër nga ne të mbijetuarit që kishim mundur të ktheheshim të gjallë, pasi pjesa më e madhe përfunduan përsëri burgjeve të atij regjimi të akuzuar si “spiunë, armiq të popullit dhe kriminelë”.

A ju priti dhe ju takoj njeri?

Jo nuk na pritën, por unë vetë munda të takohesha me Enver Hoxhën (te zyra e tij aty ku më vonë u bë “Pallati i Pionerëve”), pasi familja jonë, xhaja im, Ademi, jo vetëm e kishte mbajtur atë gjatë Luftës, por dhe kishim paguar shumë të mëdha me flori për Levizjen. Por më mirë të mos e kisha takuar fare Enverin, sepse ai më tha: “Hë mo djali i Xanit, pse je kthyer kaq vonë nga internimi, apo mos ke qenë gjë spiun i gjermanëve”?!  Pas asaj që më tha, u ngrita dhe dola pa ja dhënë dorën fare./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura