“Në kulm të karrierës, e duke kënduar”, Arben Bajo rikthen Vaçen në vendlindje

Sep 20, 2019 | 13:15
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Diku pranë Kopshtit Zoologjik, në rrugicën e pjerrët “Eduart Mano”, sapo vëren figurat e mermerta që fshihen pas dritares, kupton se ke mbërritur në studion e Arben Bajos.

970Z6101

Rrezet e diellit u japin veprave një nur përrallor, ndërsa dy studentët e tij presin që mjeshtri të marrë daltën në duar, e t’u zbulojë sekretet e gdhendjes. Penelopa, Europa përmes mitologjisë, portrete të miqve e familjarëve… mbartin të gjitha nga një histori për të treguar. Ndërsa autorin e kanë pushtuar “ethet” e entuziazmit për veprën e fundit, Përparim Kabo thotë se Bajo përmes skulpturës, “e ka sjellë të gjallë Vaçen tonë”.

E ulur, me kitarë në duar e vështrim vizionar… kolegë e dashamirës njohin lehtësisht në shtatoren e realizuar legjendën e muzikës shqiptare. I frymëzuar nga një moment skenik i saj, ndërsa këndon “Moj e bukura Arbëri”, skulptori ka zgjedhur ta përjetësojë këngëtaren në bronz, në të dyzetat e saj, ku siç pohon, “ishte në kulmin e karrierës”.

Një punë e gjatë për të mbërritur te shtatorja e lartë 2 metra, që rrëfen Vaçen jo vetëm fizikisht, por duke tentuar edhe brendinë shpirtërore e psikologjinë e saj. Muzika e këngëtares është bërë shoqëruese besnike e artistit gjatë punës, e krahas çasteve skenike të saj, nuk mungojnë as kujtimet disi më personale.

1565514934_vacezela

“Im atë e ka patë shoqe klase në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, dhe e ka ruajtur miqësinë edhe më vonë. Madje Vaçja ka ardhë edhe në një ekspozitë që unë kisha hapur në ’93-shin së bashku me Helidon Halitin në Muzeun Historik”. Këto mbresa, siç skulptori tregon, e kanë bërë të jetë edhe më i përkushtuar gjatë punës, duke synuar më të mirën. Shtatorja do të vendoset këto ditë në vendlindjen e këngëtares, në lulishten në qendër të Lushnjës.

“E gjitha kjo mundi të realizohet falë këmbënguljes së patriotit e kolegut të saj, Luan Manahasa. Trokiti në derën time, për realizimin e kësaj pune, pasi donte me zemër që Vaçja të ish në vendlindje”, tregon skulptori. Bajo është autor i një sërë skulpturash të tjera të personaliteteve nga fusha të ndryshme, vendosur në hapësira publike si: At Zef Pllumi në Shëngjin, Asim Zeneli në Gjirokastër, Lef Noci në Elbasan, baba Reshat Bardhi në Tomorr, grupe skulpturash në disa qendra të rëndësishme tregtare etj. Për të, para se të realizohet skulptura e një personazhi, është tepër e rëndësishme që artisti të informohet sa më mirë rreth jetës së tij.

67779305_10214324327371927_3176240817765351424_n

“Nëse nuk thellohesh në historinë e kontributin e tij, nuk mund ta realizosh dot siç duhet. Pra, duhen përfshirë tipare karakteriale ndërsa luan me skulpturën si plastikë”, thotë artisti.

Gjatë këtij procesi krijimtarie për realizmin e skulpturave publike, element kyç, sipas Bajës, është edhe koha.

“Sot punohet me ritme të shpejta. Kam realizuar edhe punë ‘me urgjencë’, siç qe rasti i 100-vjetorit të Lef Nocit, por për fat të mirë sipas opinioneve, doli një vepër e arrirë. E megjithatë, koha është shumë e rëndësishme, pasi edhe mendimi duhet pjekur. Dikur, gjatë diktaturës, për një skulpturë publike, artistët merrnin 3 vjet, apo edhe më gjatë.

Sot, ritmet kanë ndryshuar, kapitalizmi ka bërë të vetën. Jetojmë si të thuash në një botë disi plastike, të konsumit të shpejtë, ç’ka i zbeh edhe artistit dëshirën për ta çuar një punë deri në fund”, rrëfen skulptori. Krahas realizimit të shtatores së Vaçes, artisti këtë periudhë është duke punuar prej 2 vitesh me një seri veprash për mitologjinë, që siç tregon, po i sjell, parë nga një këndvështrim personal.

“Ndoshta vitin tjetër do të bëj një ekspozitë lidhur me këtë temë”, rrëfen ai.

h-8-729x365

 SHKOI PËR DISA MJETE PUNE, POR JETOI 14 VJET NË GREQI 

Arben Bajo lindi në qytetin e gurtë, ku që në fillimet e tij kishte shfaqur prirje ndaj muzikës e skulpturës. “Në fund triumfoi skulptura”, tregon ai.

Pas Gjirokastrës, rrugëtimin e artit do ta vijonte në Liceun Artistik të Fierit, e mandej në Akademinë e Arteve. Pas studimeve do të largohej në Greqi për të blerë disa mjete pune, por fati e desh që të qëndronte atje për afro 14 vjet. “Punova dhe pata mundësi të përfshihesha në jetën artistike atje. Bashkëpunova me disa muze të njohur, me të cilët ende vijoj të ruaj lidhjet. Për 6 vite dhashë edhe mësim në një shkollë private, derisa në 2008-ën u ktheva përfundimisht në Shqipëri”, thotë ai.

Vitet në Greqi i kanë shërbyer në shumë pikëpamje të formimit profesional, por siç thonë “guri rëndë në vend të vet”. “Është vështirë që Greqia t’i jap një artisti shqiptar të realizojë skulptura të personaliteteve greke, po ashtu edhe Italia apo vende të tjera. Pra, atje fitova eksperienca, që këtu s’do t’i kisha të mundura, siç po bëj këtu vepra të një rëndësie të veçantë, që atje s’do t’i kisha realizuar dot. Figurat publike, për shembull, zakonisht nuk i jepen një skulptori të huaj”.

Karriera e tij është e bazuar më tepër në krijimtari sesa te porositë, edhe pse këto të fundit nuk mund të shmangen, pasi siç pohon, “në një vend të varfër si i yni, mundësitë janë të pakta për artistët”. Ditët e Bajos janë të ndara mes mësimdhënies dhe krijimtarisë, e për sa i përket brezit të sotëm të studentëve e talenteve të reja, ai thotë se: “Talente ka në çdo epokë, në çdo brez, por se sa do ecin varet nga mundësitë, fati si dhe këmbëngulja e tyre. Nuk duhet lënë t’u shuhet flaka talenteve të reja”.

“BOSHTI IM FILOZOFIK, HUMANIZMI” 

Një jetë me skulpturën. Edhe pse për Arben Bajon, thelbi i njeriut mbetet i njëjtë, ndër vite, kultura, informacioni dhe praktika e bëjnë, sipas tij, punën më të rafinuar, më të përsosur. Nuk ka figura fikse si referim, edhe pse frymëzimin e gjen ngado. Mes muzeve, larmishmërisë së kulturave, apo edhe në përditshmëri te njerëz të zakonshëm.

“Janë ndjesi që edhe ndryshojnë me kohën. Ka pasur figura apo vepra që i kam adhuruar e me kohën më janë zbehur. Pastaj jam ridashuruar me to. Mund ta gjej frymëzimin edhe në fenomene, objekte a njerëz që të tjerëve nuk u duken të rëndësishme. Por ajo që mbetet e pandryshueshme është boshti im filozofik, ai humanizmit. Jam duke prekur të 50-tat, e mendoj se do ngelem te figura e njeriut”. Ka ndodhur kështu, sipas Bajës edhe me emrat e rëndësishëm të artit botëror, të cilët janë fokusuar në një drejtim.

“Morandi u përqendrua te shishet, natyrat e qeta. Rembrandi tek autoportretet, Van Ghogu te peizazhet etj. Gjatë jetës na ndodh të merremi me punë, të cilat s’na shkojnë për shtat. Duhet kuptuar se ku e ke pikën e fortë e të mos heqësh dorë”, shprehet Bajo.

“PORTRETET, SI DITAR I JETËS SIME” 

“Kush vjen në studion time, nuk shpëton pa një portret”, thotë skulptori me humor. E në fakt, aty gjen të gdhendura disa portrete të miqve apo të afërmve. Të tjera mandej, i ka dhuruar. “I kam bërë portret, pasi përbëjnë si të thuash një ditar të jetës sime”, thotë ai. Krahas miqve të një jete, në studio gjen edhe portrete të njerëzve të zakonshëm, që në momente të caktuara mund t’i kenë tërhequr vëmendje. Ndër këto vepra, e ka të vështirë të veçojë, se cilën ka më për zemër.

“Janë të shumta punët me të cilat jam i lidhur. Shpesh ndodh që artisti mund të ketë për zemër momentin gjatë të cilit vepra është realizuar, vetë personazhin etj., ndaj është vështirë t’i ndash”, thotë Bajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura