Në Kosovë, dështon votimi i projektligjit për rritjen e pagës minimale

May 13, 2022 | 20:42
SHPËRNDAJE

Kuvendi nuk ka arritur të miratojë Projektligjin për pagën minimale, pasi nuk pati kuorum në shqyrtim të parë. 73 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por vetëm 56 prej tyre morën pjesë në votim, me 51 vota për dhe 5 kundër.

paga

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm në seancën e së premtes për ta votuar në shqyrtim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, në shqyrtim të parë.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 73 deputetë, mirëpo jo të gjithë e shfrytëzuan të drejtën për të votuar, duke bërë që projektligji të merrte 51 vota për dhe 5 kundër.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se projektligji do të hidhet sërish në votim në ndonjë seancë tjetër.

Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar projektligjin në formën e prezantuar në seancën e sotme e sotme pasi konsiderojnë se po diskriminohen veteranët e UÇK-së duke mos u përfshirë në këtë rritje, pasi pensioni i tyre aktual është aq sa është paga minimale.

Opozita njëzëri ka dalë kundër propozimit aktual për rritjen e pagës minimale. Mospërfshirja e veteranëve dhe disa kategorive të tjera, siç janë të verbrit në projektligjin që i hapë rrugë rritjes së pagës minimale po konsiderohet diskriminuese nga ana e opozitës.

Mërgim Lushtaku nga PDK tha se këtë projektligj nuk do ta votojnë pasi siç tha ai është shkelur përcaktimi i pagës minimale si në kategorinë e veteranëve të luftës dhe personat me aftësi të kufizuar.

Lushtaku tha se në esencë e mbështesin rritjen e pagës minimale, por siç tha ai pozita duhet të bëjë një dialog social.

“GP i PDK-së i ka shqyrtuar projektligjet që përcaktojnë shumën për lartësinë e pagës minimale. Këtë projektligj nuk do ta votojmë se shkel përcaktimin e pagës minimale, personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët e luftës. Ju si LVV, e dimë shumë mirë që keni harruar shumë me ardhjen në pushtet dhe keni harruar edhe dialogun social. Kjo që synon rritjen e pagës minimale (në esencë e mbështesim rritjen e pagës minimale), por duke e bërë me një dialog social. LVV synon që me rritjen e pagës minimale, të arrij targetin e vet e gjoja kemi rrit pagën minimale. Kurti ka premtuar se paga minimale do të jetë jo më e vogël se 350 euro dhe kjo është një shkelje tjetër e premtimit të tij. Si PDK e shohim që po bëhet një dëm i madh tek këto familje dhe nuk do ta votojmë këtë projektligj”, ka thënë Lushtaku.

Edhe Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se ky projektligj për mënyrën se si është shkruar është njëra nga ligjet më të pakuptimta.

Hoti tha se kur vendoset paga minimale bëhet ruajtja e një kategorie të personave që marrin një pagë të ultë.

“Për mënyrën se si është shkruar dhe është prezantuar është njëra nga ligjet më të pakuptimta. Kur vendoset paga minimale vendoset ruajtja e një kategorie të personave që marrin një pagë të ultë, dhe janë kategoritë e caktuara të shoqërisë që i lidh me pagën minimale, kjo është praktikë ndërkombëtare për të ruajtur standardin e jetës”, tha ai.

Deputeti i LDK-së tha se mënyra se si është shkruar ky ligj nuk arrin qëllimin për barazi sociale.

“Jo vetëm të konsumohet dialogu publik, por të arrihet një dakordim. Në këtë nen hiqet lidhja e pagës minimale me përfitimet që marrin veteranët e luftës. Ka pas një arsye të madhe pse janë lidh këto dyja. Përfitimi që marrin si pension të veteranit të luftës, është si burim i të ardhurave dhe rrjedhimisht është lidhur me pagën minimale. Nuk mund ta rrisësh pagën minimale dhe veteranit jo. Ligji ose duhet të tërhiqet ose duhet me shumë seriozitet të rishqyrtohet”, tha ndër të tjera Hoti.

Edhe Bekë Berisha nga AAK-ja tha se janë kundër këtij projektligji.

Berisha u shpreh se kategorinë e veteranëve të luftës në këtë projektligj e shohin shumë diskriminuese.

“Vetëm veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim por burim për ekzistencë. Dhe nëse e marrin këtë pension nuk kanë të drejtë të punojnë diku tjetër, e shohim si qasje diskriminuese. Të rregullohet ky nen që të jetë në proporcion me pagën minimale. Kjo kategori këtu në kuvend s’duhet të diskriminohet. Ne jemi kundër këtij projektligji”, tha deputeti Berisha.

Qeveria e Kosovës gjatë muajt të kaluar ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 250 eurosh neto apo 264 euro bruto.

Me këtë vendim do të bëhet ora e punës në vlerë 1.5 euro.

Kryeministri Albin Kurti tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 100 mijë punëtorë.

“Nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë”, tha Kurti, teksa shtoi se rritja e pagës minimale ka qenë synim i qeverisë së tij.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte deklaruar se me miratimin e këtij projektligji do të rriten pagat e punëtorëve me pagë të ulët.

“Projektligji në fjalë e ka për qëllim që të plotësojë dhe ndryshojë ligjet të cilat lidhen me shumën e benificioneve ose kompensimeve në pagën minimale si dhe të ndryshojë shkallën tatimore në të ardhurat personale dhe të ndryshojë procedurën e vendosjes së pagës minimale. Me miratimin e këtij projektligji paga minimale do të shërbejë vetëm për të rritur pagën e punëtorëve me pagë të ulët ”, ka thënë Murati.

Paga minimale në Kosovë është 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe nuk ka ndryshuar që në vitin 2011, e cila është më e ulëta në Evropë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura