“Ne i njohim shqiptarët”- Kryebashkiaku i Nju Jorkut për “VOA”: Vlerat e tyre ecin paralelisht me programin qeverisës! Ja pse vendosëm të organizojmë tubimin për 110-vjetorin e Pavarësisë

Nov 30, 2022 | 20:25
SHPËRNDAJE

Me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams organizoi të martën një tubim të veçantë, gjatë të cilit ai foli mbi rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në zhvillimin e qytetit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Adams tha se shqiptaro-amerikanët në Nju Jork përfaqësojnë vlerat që janë pjesë e programit të tij qeverisës, gjë që siç u shpreh ai shton rëndësinë e këtij komuniteti në qytetin që drejton. Në këtë ceremoni folën edhe aktivistë shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të Shqipërisë, të cilët shprehën mirënjohjen për kontributin amerikan në çështjen shqiptare.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, priti komunitetin shqiptaro-amerikan në rezidencën zyrtare të kryebashkiakut të qytetit, e quajtur “Gracie Mansion”, në një ceremoni kushtuar 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Zoti Adams tha për Zërin e Amerikës se vendimi që ky tubim të organizohet në mjediset e kësaj qendre të njohur historike nuk ishte i rastësishëm.

eric adams

“Kur hap dyert e rezidencës “Gracie Mansion” për një komunitet si ai shqiptaro-amerikan, dëshiron të përcjellës mesazhin se ne ju njohim, ju jeni pjesë e qytetit dhe se kjo është shtëpia juaj ashtu siq është edhe shtëpia ime. Prandaj vendosëm të bëjmë këtë organizim me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”, tha zoti Adams.

I pari i qytetit të Nju Jorkut foli për vlerat që përfaqëson komuniteti shqiptaro-amerikan, të cilat siç tha ai, ecin paralelisht me programin e tij qeverisës.

“Ne besojmë në sigurinë publike, besojmë në edukim, besojmë në familje, besojmë në mbështetjen për bizneset e vogla. Ky është programi me të cilin u futa në garë për krybashkiak të Nju Jorkut. Të kem një komunitet si ai shqiptar, që është në përputhje me programin tim dhe komunitetet tjera me të cilat po e çojmë qytetin përpara, është një bekim. Ky komunitet perfaqëson atë që unë besoj, që të kemi një mjedis të shëndetshëm për fëmijët dhe familjet tona”, tha zoti Adams për Zërin e Amerikës.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe aktivisti Mark Gjonaj u shpreh krenar me të arriturat dhe rolin që luajnë sot shqiptarët në Amerikë.

“Ju shërbeni në vijën e parë të frontit. Jeni pjesë e ushtrisë, policisë së Nju Jorkut, departamentit të zjarrëfikësve. Sot Shqipëria është pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Jeni pjesë e bordeve, institucioneve vendimmarrëse dhe shkollave. Jam shumë krenar me të arriturat tona”, tha zoti Gjonaj.

Ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha tha se këto dhe përparimet e tjera të shqiptarëve do të ishin të pamundura pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, për çka siç tha ai, populli shqiptar është gjithnjë mirënjohës.

“Çdo fëmijë në Shqipëri mëson dhe di se duhet të jemi mirënjohës për kontributin e Presidentit ameriksan Woodrow Wilson për pavarësinë e shtetit shqiptar. Çdo fëmijë dhe çdo shqiptarë e di se duhet të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës. Këto janë gjëra që nuk mundemi dhe nuk duhet t’i harrojmë”, tha zoti Hoxha.

ss

Veprimtari Mark Gjonaj tha se shqiptaro-amerikanët janë me fat që jetojnë në token amerikane, vendin ku mund të ruash dhe vlerësosh trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën, ndërsa të pranishmëve u kujtoi atë që ai e quajti obligim për të kontribuar për vendlindje.

“Imagjinoni sikur ne të kishim qenë në vendlindje. E ata që janë atje të ishin këtu sot. Çfarë do të kërkonim prej tyre? Kemi një borgj që nuk lahet me një vepër as një detyrë por gjithë jetën tonë, ne duhet të bëjmë çmos për populli tonë, sidomos në vendlindjen tonë”, tha ai.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe një program i pasur kulturor.

Ky nuk është aktiviteti i vetëm i organizuar nga bashkia e Nju Jorkut me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë më parë në qendër të Nju Jorkut u bë ngritja e flamurit shqiptar. Ceremoni të ngjashme janë organizuar edhe në pjesë tjera të Shteteve të Bashkuara./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura