Në hije

Oct 6, 2022 | 9:25
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI

demi-leonard-768x591

Këtë verë, vendi ynë ka qenë arenë e sulmeve të disa shërbimeve, që synonin të krijonin pështjellim dhe tensione si brenda, edhe jashtë tij. Ky shkrim sjell një  tablo më të gjerë të kësaj veprimtarie sekrete, e cila po transformohet nga lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë.

Ku, “Memorandumi i 36 Yjeve”, pa dyshim, nxiti agjencitë amerikane të inteligjencës, si dhe ato angleze (anglosaksone) të bëjnë publike të dhëna koherente të inteligjencës mbi aktivitetet ushtarake të Rusisë, të cilat minuan përpjekjet ruse për të gjetur një pretekst për agresionin dhe përgatitën aleatët perëndimorë për konfliktin.

KLASIFIKIMI I SPIUNËVE

Në ambasada, kudo në botë, një pjesë e personelit janë spiunë dhe oficerë të inteligjencës, të cilët, zakonisht, veprojnë nën petkun zyrtar të diplomatit, që u siguron një shkallë imuniteti. Spiunët, që nuk deklarohen si diplomatë, por si drejtues biznesi ose me role të tjera, kanë pak ose aspak mbrojtje diplomatike në qoftë se kapen duke vjedhur sekrete shtetërore. Rusia, me kalimin e viteve dhe radikalizimin e regjimit, e rriti numrin e agjentëve që dërgonte jashtë.

Në disa vende europiane, ata kishin arritur personelin e kohës së Luftës së Ftohtë, kurse vendet e Europës Lindore, që dikur ishin komuniste dhe të mësuar me KGB-në, si Bullgaria, shërbimet inteligjente ruse i përdornin si bazë për infiltrimin e agjentëve në shtetet e Europës Perëndimore. Sot, Rusia ka tri shërbime kryesore inteligjence: FSB (ish-KGB), shërbimi i brendshëm i gjithëfuqishëm; SVR, shërbimi i jashtëm dhe GRU, shërbimi inteligjent i ushtrisë, më agresivi, të cilët nuk kanë arritur të koordinojnë veprimtarinë e tyre dhe dallohen për bashkëpunim të dobët.

VEPRIMTARI AGJENTURORE NË PERËNDIM

Aktivitetet e operativëve rusë në Perëndim luhaten nga dezinformimi tek operacionet destabilizuese, përgjimet, manipulimi i zgjedhjeve, rekrutimi i burimeve dhe spiunazhi politik, ushtarak dhe ekonomik. Pas aneksimit të Krimesë dhe largimit të Rusisë nga G8, aktivitetet e spiunazhit dhe operacionet klandestine ruse u intensifikuan. Autoriteti i Presidentit Putin është i padiskutueshme dhe shefat e inteligjencës i shërbejnë qëllimeve të tij politike. Kësisoj, ata ndikojnë tek ai nëpërmjet informacionit të tyre, që ai e lexon çdo mëngjes, vëren studiuesi M. Galeotti. Por, në Ukrainë ata gabuan rëndë, edhe pse qe misioni i tyre më i rëndësishëm jashtë Rusisë.

NË EUROPË

Europa ka qenë gjithmonë shesh lojërash për rusët, të cilët kanë kryer operacione spiunazhi, eliminime, dezinformime në shkallë të gjerë, financime të fshehta partish, sulme kibernetike etj.

Në Bullgari, shërbimet ruse janë tepër aktive në politikë (sipas Kryeministrit Petkov, rrëzuan qeverinë më 22 qershor 2022), në diplomaci, ekonomi, media, etj.; në Estoni bllokuan për tri javë institucionet e vendit; në Francë GRU ka sulmuar kanalin TV5, Ministrinë e Mbrojtjes etj.; në Gjermani kanë hakeruar faqen e internetit të Bundestagut, krijuan pështjellime në krizën e emigrantëve dhe po ndërhyjnë në institucionet e energjetikës; në Holandë: në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, në Mbretërinë e Bashkuar mbështetën kauzën e Brexit dhe kanë eliminuar ish-agjentë rusë. Po kështu, trollët rusë kanë ndërhyrë në krizën separatiste në Katalonjë, në zgjedhjet e përgjithshme dhe presidenciale në Francë, Gjermani, Suedi, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë, duke përkrahur dhe financuar partitë dhe kandidatët prorusë.

NË UKRAINË: NËN TRYSNI

FSB ka spiunuar Ukrainën për dekada. Ajo është përpjekur të kontrollojë institucionet e vendit, të paguajë zyrtarë dhe opozitën, si dhe të pengojë çdo lëvizje drejt Perëndimit. Shërbimet ruse në Ukrainë hartuan një skenar të tërë lufte për të arritur objektiva strategjikë si sulmi rrufe në Kiev, që do të rrëzonte qeverinë brenda pak ditësh dhe vakumin politik do ta plotësonin agjentët e FSB-së.

Mirëpo, këto qëllime ishin përtej mundësive të rusëve dhe gabimi i tyre qe vërtet thelbësor dhe strategjik. Dukuria më e çuditshme, vërejnë ekspertët, është se FSB e dinte që lufta me Ukrainën nuk do të ishte një shëtitje; ajo e dinte se shoqëria ukrainase do t’i rezistonte agresionit rus dhe se ushtarët e Kremlinit nuk do të mirëpriteshin si çlirimtarë; megjithatë, propozuan një plan sulmi, që dështoi në të gjitha objektivat e veta. Pse gënjyen? Shumë mendojnë se ata nuk guxuan t’i tregonin të vërtetën Presidentit Putin. Sjellja e tyre është shembulli i qartë i një procesi klasik dhe i përsëritur në diktatura: shefit i thuhet vetëm ajo që i pëlqen atij.

BALLKANI PERËNDIMOR

Rusia dhe Kina kanë aktivitete të gjera në fushën e energjisë, ushtrisë, infrastrukturës dhe politikës në disa vende të Ballkanit Perëndimor, në Serbi, p.sh., Kina po investon rreth $11 miliardë dollarë dhe do të instalojë rrjetin 5G. Perëndimi i konsideron veprimet e Rusisë si një rrezik më të madh sesa ato të Kinës, sepse rusët, për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së në rajon, përdorin trysni politike dhe ekonomike, nënshkruajnë marrëveshje, financojnë parti politike, politikanë, biznesmenë, median, aktivitete kulturore, fetare, etj.; kanë të angazhuar oficerë të inteligjencës, operativë politikë, oligarkë, organizata ultranacionaliste, median e vet shtetërore dhe internetin (Kalinka, gazeta “Panorama”, 3 shkurt 2021).

Lufta në Ukrainë mund të intensifikojë ndërhyrjet e inteligjencës ruse për të nxitur konfliktet e vjetra, si: në Bosnjë, Mal të Zi e gjetkë. Kështu, Rusia sapo nënshkroi me Serbinë një marrëveshje për “konsultime” të ndërsjella. Sipas informacioneve të njohura, Shqipëria është objektiv i shërbimeve ruse, kineze dhe iraniane. Personeli ynë i sigurisë ka ndaluar ‘turistë’ rusë në bazën e NATOs në Kuçovë, apo në objekte të tjera të sigurisë dhe të infrastrukturës kritike të vendit tonë. Po kështu, sulmet kibernetike të inteligjencës iraniane kishin si qëllim të na shkatërronin infrastrukturën dixhitale qeveritare dhe shërbimet publike.

RUSIA FINANCON PARTITË PRORUSE

Rusia financon partitë populiste apo nacionaliste, që mbështesin Rusinë, si dhe kandidatët e tyre në dhjetëra vende europiane, përfshirë Tiranën. Që nga viti 2014, Moska ka shpenzuar për to mbi 300 milionë dollarë. Vitet e fundit, Rusia dhe Kina kanë zhvilluar mënyra më ndërvepruese dhe më të sofistikuara për të ndikuar, duke i dhënë përparësi ‘fuqisë së mprehtë’, d.m.th., diplomacisë manipuluese, që minon sistemin politik të një vendi.

DËBIMET E AGJENTËVE RUSË

Pjesa më e madhe e vendeve europiane, si: Austria, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar qindra vetë, personel i ambasadave dhe konsullatave ruse. Mediat perëndimore informojnë se, që kur Rusia pushtoi Ukrainën, janë dëbuar 385 ‘diplomatë’ rusë, që konsiderohet si përpjekja më e madhe e koordinuar në histori.

Largimi i spiunëve rusë nga vendet europiane, por edhe nga organizmat ndërkombëtare në Bruksel apo Vjenë (NATO, BE, IAEA, OSBE, etj.) është një përgjigje e drejtpërdrejtë kundër luftës dhe masakrave ruse në Ukrainë. Ekspertë të inteligjencës perëndimore vërejnë se dëbimet diplomatike nuk do të ndalojnë aktivitetet e inteligjencës ruse në Europë ose në Shtetet e Bashkuara, por ky është mjeti më i mirë për të kufizuar veprimtarinë e tyre.

Zyrtarë të lartë europianë të përfshirë në procesin e dëbimit vërejnë se veprimtaria e spiunëve ndryshon nga vendi në vend. Vendet, që kanë të akredituara agjenci ndërkombëtare janë objektivat kryesore të inteligjencës ruse për infiltrim, kurse në rajone të tjera, si në vendet baltike, ku jeton një numër i madh rusësh etnikë, mund të jenë objektivë për të ndikuar në veprimtari me interes për Rusinë. Megjithatë, spiunët rusë të deklaruar nuk janë dëbuar të gjithë. Në disa raste, është lejuar shefi i stacionit me një ekip më të vogël sepse mund të jetë një kanal i vlefshëm.

PASOJAT E DËBIMIT

Në lojën ndërkombëtare spiuni kundër spiunit, Europa i ka dhënë Rusisë një goditje gjymtuese në operacionet e inteligjencës ruse në Europë. Sipas specialistëve, me këta operativë, Rusia siguronte inteligjencë nga vendet, ku ata shërbenin. Kështu, dëbimet do të çmontojnë pjesë të mëdha të rrjeteve të spiunazhit të Moskës dhe do të reduktojnë operacionet e spiunazhit dhe dezinformimit kundër Perëndimit dhe luftës në Ukrainë.

Dëbimi goditi rëndë veprimtarinë e Rusisë për të minuar përpjekjet e perëndimit për të njësuar frontin e aleatëve kundër pushtimit rus; goditi lidhjet ekonomike të Rusisë me Europën (megjithëse, tani është nën darën e sanksioneve) dhe promovimet me interes ekonomik. Por, ekspertët vërejnë, gjithashtu, se Moska ka mënyra të tjera për të mbledhur informacion. D.m.th., largimi i oficerëve të inteligjencës nga Europa do t’i shkaktojë Moskës probleme në planin afatgjatë, kurse në planin afatshkurtër, Presidenti Putin mund të marrë informacionin, që dëshiron përmes burimeve të hapura. Sam Charap, një shkencëtar politik i njohur në Korporatën Rand, thotë se dëbimet ishin në përputhje me përpjekjet për të shkëputur të gjitha kanalet me Rusinë, përveç disa linjave të komunikimit. “Kjo është një përgjigje e kuptueshme ndaj tmerreve të luftës, por mund ta bëjë më të vështirë misionin diplomatik, nëse vjen koha për diplomaci”, vëren ai.

Revolucioni i inteligjencës

Sot, demokracitë përballen me një dilemë. Nëse ato nuk zhvillojnë teknologjinë e informacionit, do ta lenë veten të pambrojtur brenda vendit dhe do të humbasin terren jashtë tij. Gjatë gjithë historisë, njerëzit kanë spiunuar njëri-tjetrin për të zbuluar se çfarë po bëjnë ose planifikojnë të bëjnë të tjerët, duke përdorur mjete, që përmirësoheshin vazhdimisht, por kurrë nuk zëvendësuan drejtuesin e tyre: njeriun. Sot, inteligjenca artificiale (IA) dhe sistemet autonome po i ndryshojnë të gjitha këto.

Revolucioni i inteligjencës (RI) që po afron, do t’i kthejë ‘makineritë’ jo thjesht në mjete për mbledhjen dhe analizën e informacionit, por në konsumatorë të inteligjencës, në vendimmarrës, madje edhe në objektiva të operacioneve të inteligjencës: makinat do të spiunojnë makina të tjera për të marrë vesh se çfarë po bëjnë ose çfarë po planifikojnë të bëjnë. Shqetësimi i këtyre makinerive do të vazhdojë të jenë marrëdhëniet politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake të njerëzve, por inteligjenca e drejtuar nga makina do të funksionojë me një shpejtësi, shkallë dhe kompleksitet të atillë që inteligjenca e drejtuar nga njeriu nuk do të jetë më në gjendje ta arrijë.

RI është i pandalshëm, ai është bërë global, prandaj edhe komuniteti ynë i inteligjencës nuk ka rrugë tjetër, veçse ta përqafojë atë dhe të përgatitet për të ardhmen. Ky evolucion duhet fillojë me investime të mëdha në teknologjitë e reja dhe teknologjinë e autonomizimit, si dhe me ndryshime sistemike në konceptimin e operacioneve, që u mundëson agjencive të përpunojnë vëllime të mëdha të dhënash dhe të transferojnë inteligjencën, që rezulton, drejtpërdrejt në makinat autonome.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura