“Në fillim më morën portofolin me 300 euro, më pas…”. Studenti i dhunuar në Sarandë rrëfen grabitjen

Jan 17, 2018 | 13:30
SHPËRNDAJE

Petro Lula, 23-vjeçari, që u dhunua nga tre persona të maskuar dhe me armë, në ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së premtes në vilën e tij në qytezën e Ksamilit, ka rrëfyer në Polici tmerrin e përjetuar. I riu, fëmija i vetëm i familjes Lula, ka rreth dy vite që është kthyer nga Greqia për të vazhduar universitetin.

Petro Lula
Petro Lula

Banon i vetëm në shtëpinë e tij, në një vilë katërkatëshe, që e kanë ndërtuar prindërit, që kanë rreth 20 vite që punojnë në Greqi. Në sezonin e verës, dhomat e vilës i japin edhe për pushues.

“Ishte ora 07:30 e mëngjesit, orë kjo kur unë pothuajse çdo ditë nisem për në shkollë”, ka thënë i riu i pyetur në Komisariatin e Policisë në Sarandë, pas daljes nga spitali ku mori mjekimin e nevojshëm. “Studioj në Universitetin e Tiranës, filiali Sarandë, në vitin e parë, dega Gjuhë angleze. As kisha dëgjuar dhe as kisha kuptuar gjë se në vilën time kishin hyrë të panjohur. Zbrita shkallët e katit të tretë. Në katin e dytë u përballa me tre persona të maskuar, që më drejtuan armën. Nuk pritën as t’i pyesja se kush ishin, por u turrën si bisha mbi mua. Fillimisht më lidhën dhe nisën të më kontrollonin në trup. Më morën portofolin, e hapën dhe morën 300 euro që kisha në të, pastaj e flakën në tokë”, rrëfen 23-vjeçari.

Nga bisedat mes autorëve, Lula thotë se ka mësuar se kanë arritur të hyjnë në banesë përmes një dritareje në katin e parë. “Pastaj, njëri nisi të më godiste me qytën e pistoletës në kokë dhe trup deri sa më gjakosi keq, ndërsa dy të tjerët nisën të kontrollonin nëpër dhoma. Duke folur ata me njëri-tjetrin, dëgjova që ata kishin hyrë në shtëpi nga dritarja në katin e parë nga pjesa e pasme e shtëpisë. Pasi kontrolluan pothuajse gjithë dhomat, kur ishin duke u larguar morën edhe çelësat e vilës dhe të makinës. Ata zbritën poshtë dhe ikën në qetësinë e tyre pa pikë frike sikur nuk kishin bërë asgjë, ndërsa mua më lanë të gjakosur në korridorin e katit të dytë. Kur kanë zbritur poshtë, kanë prishur edhe kamerat e sigurisë”, ka përfunduar i riu.

Deri tani nga Policia e Sarandës nuk ka asnjë të identifikuar, ndërsa ka disa të shoqëruar. Dyshohet se personat nuk janë nga zona, por ndoshta të ardhur nga qytete të tjera me qëllim vjedhjen. Në kërkim të autorëve janë vënë edhe vetë familjarë të të riut, ndërsa mësojmë se mjeti “Benz” me targë AA 322 DP në orën 11:00 të paradites të së premtes është parë në Tepelenë, ndërsa mësohet se rreth orës 09:00 të mëngjesit, dhunuesit me mjetin e vjedhur kanë qenë ende në Ksamil”.

SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura