Në festën e 8 Marsit, gruaja parë nga këndvështrimi i njerëzve të besimeve të ndryshme fetare. Gruaja përballë Zotit, burrit dhe shoqërisë

Mar 12, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Studiuesi dhe përkthyesi Ervin Cami, i besimit mysliman, sopranoja Marjana Leka, katolike dhe Armida Plumbi, përgjegjëse për komunikimin në shoqatën “Gruaja”, flasin për rolin e gruas në shoqëri e familje, parë edhe nga këndvështrimi fetar

Një ndarje e madhe gjinore ekziston midis burrave dhe grave, sidomos në të 40-at e tyre, përsa i përket besimit në Zot dhe jetën pas vdekjes. Një sondazh britanik botuar nga “UCL Institute of Education”, (analizuar nga David Voas, profesor në Institutin për Kërkime Sociale dhe Ekonomike në “University of Essex”), thotë se në këtë moshë, 54% e burrave janë ateistë ose agnostikë në raport me 34% të grave. Studimi gjithashtu ka treguar se në këtë vëzhgim, myslimanët kanë më pak dyshime për ekzistencën e Zotit dhe jetën pas vdekjes. Pikërisht sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne po sjellim pikëpamjet e dy grave në karrierë, sopranos Mariana Leka dhe Armida Plumbit, si dhe të një burri, Edvin Camit, që i përkasin besimeve të ndryshme. Pozicioni i tyre në shoqëri dhe marrëdhëniet familjare…

Edvin Cami “Një shami në kokë, nuk mjafton që të jesh ‘e mbuluar’”

Edvin Cami me bashkëshorten e tij, Ludi
Është një besimtar i devotshëm dhe praktikant i fesë islame.
    Po ashtu, edhe gruaja e tij, Ludi, i përket të njëjtin besim.
    Në vitin 1992 shfaqi interes për “Hyjnoren” dhe për besimin në përgjithësi. Pas një periudhe meditimi, leximi e shqyrtimi të teksteve burimore e sqaruese për besime të ndryshme, Edvin Cami, zgjodhi të pranojë Islamin si besimin e vet fetar. Pikërisht, ky besim do të ishte dhe “pika bashkuese” me bashkëshorten e tij, me të cilën janë njohur në Tiranë, kur ajo studionte në vitin e fundit të Akademisë së Arteve. Sot, prindër të një vajze, ai flet për atë se si e sheh gruan edhe sipas pikëpamjeve të Islamit, pikërisht në ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Cili është përshkrimi i një “gruaje të mirë” sipas jush? Çfarë e bën të mirë gruan tuaj?
Në gjykimin tim, “gruaja e mirë” është njeriu i mirë. Nuk e shoh dot gruan përtej njerëzores. Duke u zhveshur nga “trupi” dhe duke iu kthyer qenies apo shpirtit, që nga çasti i krijimit hyjnor, vërejmë se shpirti nuk karakterizohet nga gjinia apo përkatësia seksuale. Njeriu është mbi të gjitha, qenie. Dhe shqetësimi im nuk është “gruaja” si e tillë, por qenia, egoja, njeriu. Në rrethanat e krijuara nga shoqëria e modernes dhe e pasmodernes është bërë zakon që të bëhet një përkufizim i gruas nisur nga premisa gjinore apo seksuale. Ndaj, edhe diskutimi për “gruan dhe të drejtat e gruas” përbën një zhargon modern. Edhe në rastet kur kjo bëhet pjesë e diskursit fetar, ndikimi vjen qartësisht prej modernes dhe nuk ka lidhje me tradicionalen. Dhe dashje pa dashje, këtu biem në diskutimin për formën dhe jo për thelbin. Ndërsa, një mendësi e ngritur mbi zbulesën hyjnore, nuk e sheh gruan në kontekstin e seksualitetit të saj si qenie gjinore, por në kontekstin e humanitetin të saj, si qenie njerëzore. Në këto kushte, do ritheksoja se gruaja e mirë, sikurse burri i mirë, janë veçse njeriu i mirë, të cilin e njohim dhe duam të gjithë.
Cilat janë të drejtat dhe detyrimet që ka ajo (ju) në familjen tuaj?
Më shumë sesa detyrime, do të flisja për marrëveshje. Ndoshta, edhe një marrëveshje e pashkruar apo e papërkufizuar. Rastësisht, ndodh që bashkëshortja ime punon privatisht si grafiste dhe kjo i mundëson që të jetë më e pranishme në shtëpi, në një orar më të lirshëm sesa unë, të merret më shumë edhe me fëmijën, dhe me punët e përditshme të shtëpisë. Mua më është dashur të jem më pak i pranishëm në shtëpi për shkak të profesionit, por, edhe kur gjendem aty të kem një ngarkesë më të madhe po me profesionin dhe të jem “i lidhur” pas kompjuterit për t’i shërbyer sërish punës “jashtë shtëpisë”. Kjo është bërë shkak që angazhimi i bashkëshortes sime me familjen dhe me të ashtuquajturat “punë të shtëpisë” të jetë më i madh se imi. Por, është thjesht rastësi. Mund të ishte edhe e kundërta. Dhe në një të ardhme mund të ndodhë edhe e kundërta. Nëse bashkëshortja ime do të jetë e detyruar të punojë më shumë se unë për të siguruar të ardhura, ndërsa unë nuk do t’i kem detyrimet profesionale që kam tani, atëherë kuzhina dhe kujdesi për fëmijën do të më mbeten mua.
Gruaja juaj ka të njëjtat të drejta dhe detyrime në martesë si dhe ju?
Natyrisht. Siç është tradita e rrënjosur tashmë dhe siç e parashikojnë edhe ligji, dhe Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, të drejtat dhe detyrimet janë të barabarta. Përtej kësaj, realiteti tregon se barazia nuk do të thotë njëjtësi. Edhe në kushtet e barazisë, burri dhe gruaja nuk janë të njëjtë, sikurse edhe dy burra nuk janë të njëjtë me njëri-tjetrin, përtej detyrimeve dhe të drejtave të barabarta ligjore. Realiteti shoqëror ka provuar tashmë mungesën e realizmit të “realizmit socialist” të dramës “Lezja”, gruas komuniste pararojë që dëshironte të bëhej shofere kamioni.
Nëse gruaja juaj është e pakënaqur nga martesa, ka të drejtë të kërkojë divorcin?
Pa dyshim. Si mund të pengohet kjo?
Kur ka të drejtë ajo të kërkojë divorcin? Kur keni të drejtë ju të kërkoni divorcin?
Në parim, divorci kërkohet në rast mospërputhjeje karakteresh e interesash apo në rastet kur njëri nga bashkëshortet sillet si “bashkëshort i padenjë”, siç e përcakton edhe ligji. Por natyrisht, duke marrë parasysh kontekstin e një familjeje që respekton besimin fetar, kujtoj pohimin e Profetit Muhamned se divorci vërtet është diçka e lejuar, por është “abghadu el-halal”, apo “e lejuara më e urryer” në sytë e Zotit. Ndaj, edhe divorci është vetëm zgjidhja e fundit që duhet menduar në rast të një krize të rëndë familjare. Dhe natyrisht është shumë e rëndësishme të respektohet etika si gjatë martesës, ashtu edhe në rastin e divorcit. Kështu, bashkëshortët urdhërohen në Kuran (2:231) që nëse vendosin të qëndrojnë së bashku, të qëndrojnë me mirësi e mirësjellje dhe nëse vendosin të ndahen, edhe këtë ta bëjnë me mirësi e mirësjellje.
Cili do të ishte reagimi juaj në rastin e një tradhtie të mundshme?
Reagimi do të ishte thjesht zhgënjimi i pasuar nga divorci. Çfarë mund të ishte tjetër?
Cili është “dënimi” që duhet të marrë (apo do t’i jepnit) gruas në një rast të tillë tradhtie?
Prishja e familjes është një dënim i mjaftueshëm. Pasojat e saj janë të rënda dhe ndihen gjatë gjithë jetës. Koncepti “dënim”, nëse do t’i referoheshim një dënimi fizik apo penal, është i përjashtuar nga legjislacioni në vendin tonë dhe si i tillë, është i pazbatueshëm dhe i papranueshëm. Çdo përpjekje për vetëgjyqësi është e dënueshme jo vetëm nga ligji, por edhe nga Feja.
Po nëse tradhtia ndodh prej jush?
Vlen e njëjta gjë. Nuk ka asnjë ndryshim.
Është e nevojshme, e detyrueshme që gruaja juaj të jetë e mbuluar?
Është e nevojshme që si burri, ashtu edhe gruaja të plotësojnë kushtet e mbulesës, që nuk është vetëm një rrobë fizike, por që nis te rroba dhe vijon para së gjithash me sjelljen modeste, me përpjekjen për të ruajtur estetikën në paraqitjen e jashtme pa synuar të tërhiqet vëmendja e të tjerëve te seksualiteti dhe pa ushqyer egoizëm, arrogancë, mendjemadhësi. Të kesh një shami në kokë, nuk mjafton që të jesh “e mbuluar”. Siç shprehet Kurani i Shenjtë: “O bij të Adamit! Ju kemi dhuruar rroba për të mbuluar intimitetin tuaj, si dhe rroba për stolisje. Por rroba më e mirë është rroba e devotshmërisë…” (7:26) Nëse pyesni konkretisht për bashkëshorten time, ajo nuk mban një mbulesë në kokë, por, gjithsesi është e mbuluar me “rrobat e devotshmërisë” me aq sa ia lejojnë rrethanat shoqërore në të cilat jeton.
Sa i përket anës ekonomike, a ka gruaja juaj të njëjtat të drejta me ju?
Natyrisht. Bashkëshortja ime kontribuon financiarisht dhe me çdo mundësi tjetër në familje, dhe po këtë bëj edhe unë. Në kontekstin e një familje që e ngre jetën e vet mbi besimin fetar, vlen të kujtohet se Kurani ngarkon me përgjegjësi burrat për të mbajtur financiarisht familjen (4:34), ndërsa kontributi financiar i gruas në familje konsiderohet jo si detyrim, por si një vepër e mirë dhe e vlerësueshme në kuadrin e përkushtimit fetar. Dhe në këtë kontekst, mund të them se me zgjedhjen që ka bërë për të kontribuar përmes punës së saj edhe financiarisht në familjen tonë, bashkëshortja ime qëndron në aspektin e devotshmërisë, një shkallë sipër meje, që në këndvështrimin e besimit fetar zbatoj thjesht një detyrim.
Përkthyesi
Edvin Cami lindi më 23 prill 1974, në Tiranë. Pas studimeve të larta për filologji gjermane në Universitetin “Marmara” të Stambollit, kreu studimet pasuniversitare në të njëjtën fushë në Universitetin “Karl Franc” të Gracit, e më pas në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, ndërsa aktualisht doktoron në Universitetin “Ludvig Maksimilian” të Mynihut, në fushat e letërsisë së re gjermane dhe të historisë e të kulturës së Lindjes së Afërme. Aktualisht ushtron mësimdhënie në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Është njohës i disa gjuhëve të huaja dhe përkthyes i shumë teksteve. Është autor i monografisë “Gëtja mes Perëndimit dhe misticizmit oriental”, i një numri artikujsh në revista shkencore e në shtypin e përditshëm, si dhe fitues i çmimit të parë për përkthimin në shqip të poezive të poetit gjerman G. Benn, lëshuar në vitin 1998 nga shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”.

Armida Plumbi: E paragjykuar se jam me shami, kjo s’është tolerancë fetare
Të mbajë shami në kokë apo të jetë një “grua e mbuluar” për të, nuk përbën fare problem, përkundrazi. E rritur në një familje, ku e ëma u bë praktikante e fesë islame dhe u mbulua që në fillim të viteve ’90, për Armida Plumbin dukej se kjo ishte zgjedhja e natyrshme. Pavarësisht se i ati nuk e donte diçka të tillë dhe vazhdon ende të mos e pranojë me gëzim zgjedhjen e së shoqes, të vajzës dhe të djalit të tij. Por, Armida është e bindur se rruga e drejtë për secilën besimtare të devotshme është kjo dhe ndihet vetvetja vetëm në këtë formë. E martuar po ashtu me një besimtar mysliman, i cili është edhe Drejtor i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë dhe teolog, mund të thotë me plot gojën se feja islame është baza e vërtetë e jetës së tyre. Edhe pse ka studiuar për Juridik, ajo sot punon si përgjegjëse në Departamentin e Komunikimit Publik dhe Masmedias në shoqatën “Gruaja”, mbase edhe sepse këtu e gjeti veten më mirë, në një vend ku jo çdo kund të hapen dyert për të punuar, nëse ke mbi kokë një shami.
“Të flasësh për integrim do të thotë të japësh kontribut për shoqërinë dhe nuk besoj që mbulesa ime po pengon kontributin tim në shoqëri. Unë mbuloj flokët dhe jo trurin. Mendoj se gjërat tani kanë ndryshuar për mirë. Por, megjithatë është më tepër mit ideja e harmonisë fetare. Kur unë nuk mund të punoj te një kompani vetëm sepse jam e mbuluar edhe pse jam e aftë, kjo nuk është harmoni dhe tolerancë”, shprehet Armida, që megjithatë, përtej kësaj e ndien veten “të lirë të jetë vetvetja dhe të bëjë ato çfarë do”. E pasionuar pas së bukurës, si çdo grua tjetër, i kushton një vëmendje të veçantë veshjes dhe mbulesës së saj. “Më pëlqen të vishem, të kombinohem. Nuk më pëlqen të luaj shumë me ngjyrat, por me kombinime dyngjyrëshe. Kur blej pallto përshembull, blej dhe këpucë e shami. Ka dyqane të posaçme. Dikur nuk kishte, ishte gjë e madhe të kishte shami dyshe, shalle të vogla të modelit turk dhe qepja shumë rroba. Tani, në Tiranë janë 4-5 dyqane të tilla besoj, por janë mjaftueshëm për të plotësuar nevojat”, thotë Armida. Ajo e cilëson mbulesën si “obligim në hapësirën e jashtme, që ti të mos ekspozosh bukuritë e tua për të huajt. Por për burrin, rregullimi duhet të jetë maksimal”. “Ka plot femra të zbuluara që në shtëpi rrinë me tuta dhe rrinë ashtu para burrit. Nuk është logjike. Duhet të jemi të këndshme edhe në shtëpi”, shton 27-vjeçarja.

Sopranoja Mariana Leka: Gjendja ekonomike i pengon gratë të kërkojnë divorc
Një besimtare e fesë katolike, sopranoja e njohur Mariana Leka, nuk është në fakt një “praktikante e devotshme”, siç e cilëson ajo, por, megjithatë e gjen veten mirë te besimi në Zot dhe në fenë katolike. E lidhur me katolicizmin më tepër si me një traditë, ajo kujton shumë qartë gjyshen dhe nënën e saj, kur në vitet e komunizmit festonin fshehtazi Pashkët apo Krishtlindjet. Një grua e suksesshme në karrierë, ajo ndan mendimin e vet për gruan, familjen dhe burrin…

Cili është përshkrimi i një “gruaje të mirë” apo “burri të mirë” sipas jush?
Cilësitë që e bëjnë një grua apo burrë “të mirë” janë respekti dhe përgjegjësia për familjen. Përkujdesja gjithashtu. Unë vetë gjithmonë familjen e kam menduar si diçka të shenjtë dhe për mua është ashtu. Nuk do të bëja dot pa familjen. Si unë pa ata, bashkëshortin dhe djalin tim e rrethin pak më të gjerë. Dhe ndoshta dhe ata pa mua.
Cilat janë të drejtat dhe detyrimet që besoni keni ndaj familjes ju dhe bashkëshorti juaj?
Përkujdesja, kujdesi reciprok dhe bashkëpunimi në familje. Mbështetja për njëri-tjetrin. Kjo më duket është kryesorja për një familje.
Në ç’rast mendoni se një grua ka të drejtë të kërkojë divorcin?
Shkaqet janë nga më të ndryshmet kur një familje nuk ka qetësi, nuk shkon mirë. Ndoshta fillojnë nga ekonomia, por dhe nga karakteri i vetë çiftit, qoftë i burrit apo gruas. Shpesh edhe në Shqipëri ndodh që gratë janë shumë të nënshtruara. Shpesh dhe kur dhunohet nga burri, bashkëshorti për hir të familjes e opinionit pranon të jetojë në atë gjendje. Për mua, kjo është e padrejtë. E padrejtë që një grua të kalojë jetën në këtë mënyrë, si dhe e dëmshme për familjen dhe fëmijët vetë, që mund të rriten në trysni shumë të fortë. Kur bashkëshorti vë dorë mbi gruan është gjëja më e tmerrshme. Për mua një bashkëjetesë e tillë është e kotë dhe absolutisht që duhet kërkuar divorci për të mirë të të gjithëve.
Mendoni se sot gruaja dhe burri janë në pozita të barabarta në familjen shqiptare e më tej në shoqëri? E ndieni veten të barabartë me burrin tuaj?
Mendoj se jo. Në përgjithësi, shoqëria shqiptare është shumë maskiliste. Mashkulli është më i fuqishëm dhe konsiderohet shpesh si shtylla e vetme e familjes. Nuk mund të them nuk ka ndryshuar pozita e gruas. Është dhe ajo shumë e zonja, jo vetëm për familjen, por dhe në biznes, profesion, karrierë, por në përqindje të madhe, gruaja është më poshtë se burri.
Po nga pikëpamja ekonomike a ndajnë të njëjtat detyrime dhe a kanë të njëjtat të drejta?
Shpesh, gratë shumë të varura nga burrat edhe për shkak të ekonomisë. Ndoshta, dhe kur nuk kanë harmoni në familje pranojnë të jetojnë ashtu edhe për shkaqe ekonomike. Se, nëse divorcohen vështirë të fillojnë një jetë nga e para. Ndoshta është dhe pa punë, e pa shkolluar e mundësitë e saj janë shumë të pakta, e këto e bëjnë që të nënshtrohet.
Në rastin e një tradhëtie të mundshme, si do të ishte reagimi juaj?
Kam idenë se femrat janë më tolerante. Ndoshta për gjithë arsyet që thamë, kurse burrat më pak tolerantë. Në rastin tim besoj do të ishte njëlloj reagimi, si nga ana ime si nga e bashkëshortit.
Shpesh gratë shumë të varura nga burrat edhe për shkak të ekonomisë. Ndoshta dhe kur nuk kanë harmoni në familje pranojnë të jetojnë ashtu edhe për shkaqe ekonomike. Se nëse divorcohen, vështirë të fillojnë një jetë nga e para. Ndoshta është dhe pa punë, e pa shkolluar e mudnësitë e saj janë shumë të pakta e këto e bëjnë që të nënshtrohet.
Në rastin e një tradhëtie të mundshme, si do të ishte reagimi juaj?
Kam idenë se femrat janë më tolerante. Ndoshta për gjithë arsyet që thamë, kurse burrat më pak tolerantë. Në rastin tim besoj do të ishte njëlloj reagimi, si nga ana ime si nga e bashkëshortit.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura